Essayan: paqja në Lindjen e Mesme nuk mund të imponohet përmes luftës

Në përfundim të takimit vjetor të Konferencës së ipeshkvijve latinë në Rajonet Arabe (CELRA), vikari apostolik për katolikët e ritit latin në Liban theksoi nevojën për dialog dhe paralajmëroi rrezikun e harresës në jug të vendit. “Dhuna doemos sjell dhunë”, prej këndej, thirrja drejtuar të mëdhenjve të botës, që t’i kushtojnë vëmendje fjalëve të Papës Leoni XIV
Vatican News

Përfundoi sot në Romë takimi vjetor i CELRA-s, Konferencës së ipeshkvijve latinë në rajonet arabe, që bashkon episkopatet e ritit latin të vendeve arabe të Lindjes së Mesme dhe të Afrikës lindore. Ky takim, edhe para se të trajtojë çështje të veçanta, përfaqëson për ipeshkvijtë mundësinë për të ndarë jetën e komuniteteve të tyre përkatëse, shpresat e tyre e, mbi të gjitha, sfidat e një rajoni të prekur nga lufta, migrimi e paqëndrueshmëria.

Shpresë ditësh më të mira për të gjithë
Në një intervistë me median e Vatikanit, Imzot César Essayan, Vikar Apostolik në Bejrut për Katolikët e Ritit Latin të Libanit, e përshkroi takimin e përfunduar së fundmi si më poshtë: “Është rast për ipeshkvijtë e rajonit të shkëmbejnë pikëpamje dhe të ndajnë gëzimet që po përjetojnë, por edhe sfidat”. Qëllimi, theksoi Imzot Essayan, është të kërkohet një rrugë, që do të lejojë “arritjen e qetësisë së përhapur dhe pritjen e ditëve më të mira për të gjithë”.

Swiss Digital Desktop Reklama

Libani, rruga e domosdoshme e dialogut
Gjatë takimit, shikimi zhvendoset në mënyrë të pashmangshme te Libani dhe plagët e lëna nga lufta. Imzot Essayan mirëpret vendimin si të Presidentit të Republikës ashtu edhe të qeverisë libaneze, për të ndjekur dialogun. “Ata zgjodhën rrugën e duhur, atë të të folurit, përndryshe konflikti do të vazhdojë përgjithmonë dhe nuk do të gjendet zgjidhje”. Për Vikarin Apostolik, kriza nuk mund të shihet përmes një logjike fituesish dhe humbësish. Në vend të kësaj, kemi nevojë për zgjidhje të aftë, për të “rikthyer dinjitetin e çdo njeriu” dhe për të marrë në konsideratë viktimat.

Swiss Digital Mobile Reklama

Çmimi i luftës
Çmimi që paguan popullsia, kujton prelati, është jashtëzakonisht i lartë: 65 fshatra në Libanin jugor u shkatërruan plotësisht ose pjesërisht, e të paktën 17,000 njerëz vdiqën ose u plagosën. “Nuk mund të vazhdojmë të jetojmë në këtë rreth vicioz”, pohon Imzot Essayan. Është e nevojshme të “lëmë hapësirë ​​për dialog të sinqertë, jo për shantazh”, duke pasur parasysh mirëqenien e të gjithë popujve të përfshirë në krizën rajonale.

Një konflikt i nxitur nga jashtë
Pas luftës, vëren vikari apostolik, edhe interesat e jashtme e gjeopolitike peshojnë rëndë. Por pikërisht për këtë arsye, fuqitë e përfshira duhet të kërkojnë marrëveshje që respektojnë popujt dhe territoret. Dhuna, paralajmëron, vetëm sa nxit agresion dhe zhgënjim të ri. “Askush nuk mund të imponojë paqe përmes luftës”, deklaron ai, duke cituar mësimin e Leonit XIV.

Kishat, “ministritë e mbijetesës”
Vuajtja nuk bën dallim ndërmjet përkatësive konfesionale. “Komunitetet libaneze vuajnë së bashku, të krishterë dhe jo të krishterë”, pohon Essayan. “Ne, libanezët, jemi një popull i vetëm”. Në këtë gjendje, Kishat katolike, ortodokse dhe protestante, së bashku me autoritetet fetare myslimane, vendosën të qëndrojnë pranë viktimave, sidomos pranë njerëzve më të ligshtë. Është angazhim që vikari apostolik e përmbledh me një shprehje të fuqishme: të jemi “ministri mbijetese”, për ta ndihmuar popullsinë të rezistojë dhe të ruajë aftësinë për të “menduar me besim për atë Liban, që duam të vazhdojmë ta ndërtojmë”.

Mbështetja e Selisë së Shenjtë
Në këtë udhë, Essayan theksoi edhe rolin e luajtur nga Selia e Shenjtë, përmes veprimeve diplomatike dhe mbështetjes konkrete për popullsinë. Kujtoi vizitat e nuncit apostolik, Kryeipeshkvit Paolo Borgia, në vijat e frontit, duke sjellë ndihmë në fshatrat e jugut, dhe përsëriti thirrjen drejtuar fuqive ndërkombëtare: “Po presim ende që fuqitë e mëdha të kësaj bote t’i mirëpresin fjalët e Atit të Shenjtë dhe të hapin ndërgjegjen e tyre për diskutimin e paqes”. Nuk ka”rrugë tjetër, përsërit ai, përveç asaj të dialogut” dhe të respektit reciprok.

Të rinjtë, shpresa e vendit
Imzot César Essayan kujton trashëgiminë e lënë nga vizita e Leonit XIV në Liban. Një lidhje e krijuar ndërmjet Papës dhe popullsisë. “Marrëdhënie shumë e ngrohtë”, e Papa “ka hyrë në zemrën e çdo libanezi”. Mesazhi drejtuar të rinjve mbetet veçanërisht i fortë:

“[…] Ju keni kohë! […] E keni entuziazmin për ta ndryshuar rrjedhën e historisë!”.
Fjalë që, sipas vikarit apostolik, i inkurajuan brezat e rinj që të mos jenë robër të zgjedhjeve të bëra nga të tjerët, veçanërisht kur këto zgjedhje kanë çuar në luftëra dhe kanë shkelur dinjitetin njerëzor.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A duhet liruar Erion Veliaj të drejtojë bashkinë nga zyra?