Eugent Bushpepa, fitues absolut i Festivalit të 56-të në RTSH, do shkojë në Eurovizion
Ka përfunduar me sukses nata finale e edicionit të 56-të të Festivalit të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar.
Pas një nate plot surpriza, ku performuan plot 14 artistë, erdhi edhe momenti i shpalljes së fituesit.
Nisur nga ovacionet e jashtëzakonshme, opinioni absolut i medias, si dhe nga publiku tej mase i ndezur, juria profesioniste vendosi që kënga fituese e festivalit të jetë “Mall” nga Eugent Bushpepa, i cili tashmë zyrtarisht do të përfaqësojë Shqipërinë në “Eurovision 2018”.
Kënga “Mall” është një kompozim i vetë artistit, ndërsa edhe vargjet e tekstit i ka shkruar gjithashtu vetë.
“Fillimisht do doja të falënderoja Radio Televizionin Shqiptar dhe jurinë shumë të respektuar, e cila mëdha mundësinë që të përfaqësoj Shqipërinë në Eurovision”, tha këngëtari Bushpepa, pasi pranoi çmimin e parë në skenë.
Vendi i dytë i takoi këngës “Ekziston”, kënduar nga Redon Makashi, ndërsa vendi i tretë shkoi për artisten, Inis Neziri për këngën e saj “Piedestal”.
Mbrëmja e edicionit të 56-të të Festivalit të RTSH-së përfundoi nën drejtimin e Adi Krastës dhe Jonida Shehut.
Ndërkohë, “Eurovision 2018” do të zhvillohet në datat 8, 10 dhe 12 maj në Lisbonë të Portugalisë.