Europol: Krimi i organizuar rrezikon të përhapet në të gjithë Evropën

HAMBURG, ATSH-DPA/ – Krimi i organizuar po përhapet në të gjithë Evropën, sipas agjencisë së zbatimit të ligjit të BE-së, Europol, me një prirje në rritje për dhunë midis rrjeteve kriminale që përbëjnë një problem në vende përfshirë Gjermaninë.

“Krimi i organizuar është në rritje. Ai shfrytëzon çdo dobësi”, tha shefja e Europol-it, Catherine De Bolle për revistën gjermane ”Der Spiegel”.

”Rritja e tregtisë së drogës po nxit dhunën”, tha De Bolle.

”Prodhimi i kokainës në Amerikën Jugore dhe Qendrore po lulëzon dhe Evropa është e mbushur me drogë”, sipas Europol.

“Situata është dramatike”, tha De Bolle, duke vënë në dukje se tregtia e drogave të tjera po rritet gjithashtu.

Sipas hetimeve të autoritetit policor me bazë në Hagë, 821 rrjete të rënda kriminale janë aktive në Bashkimin Evropian.

”Këto banda, me më shumë se 25 000 anëtarë, janë shumë profesionale dhe të pamëshirshme”, paralajmëroi së fundmi Europol.

Biznesi kryesor, sipas analizave, është trafiku i drogës.

”Paratë e fituara nga droga në Evropë kryesisht qëndrojnë në kontinent dhe investohen në ekonominë lokale”, tha më tej De Bolle.

“Kjo e bën krimin e organizuar një nga rreziqet më të mëdha të kohës sonë”, theksoi ajo.

”Policia ka nevojë për mjete teknike, kompetenca dhe personel për të pasur një shans në luftën kundër rrjeteve kriminale”, tha De Bolle.

“Nëse nuk investojmë më shumë, do ta humbim këtë luftë”, tha ajo.

Pas një konflikti të ashpër midis bandave gjermane dhe holandeze të drogës në zonën e Këlnit, sindikata e hetuesve kriminalë gjermanë (BDK) ka paralajmëruar krime të tilla si sulme me eksploziv dhe rrëmbime.

“Holanda duhet të jetë një paralajmërim për ne”, i tha gazetës ”Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung”, kryetari i BDK-së në North Rhine-Westphalia, Oliver Huth.

Atje, shpërthimet para shtëpive apo bizneseve janë një taktikë e zakonshme presioni që përdoret nga bandat e drogës./ a.jor.

SHKARKO APP