Eurostat: Tkurrje e popullsisë së re në Shqipëri me mbi 18 mijë persona

Të dhënat më të fundit të Eurostat mbi popullsinë e moshës 15–29 vjeç në Europë nxjerrin në pah një situatë veçanërisht problematike për Shqipërinë, e cila kryeson renditjen për rënien më të madhe demografike të kësaj grup-moshe. Krahasuar me vendet e tjera europiane, vendi ynë po përjeton një tkurrje të përshpejtuar të numrit të të rinjve, që tejkalon ndjeshëm mesataret rajonale dhe kontinentale.

Sipas statistikave, në janar 2025 Shqipëria numëronte 405,832 persona të moshës 15–29 vjeç, rreth 18,300 më pak se një vit më parë. Kjo përkthehet në një rënie vjetore prej 4.32%, një ritëm katër herë më i lartë se ai i Serbisë, e cila renditet pas Shqipërisë me një ulje prej 1.03%. Ndërkohë, vende si Sllovakia, Austria dhe Turqia kanë regjistruar vetëm ndryshime minimale, nën kufirin 1%.

Kontrasti bëhet edhe më i theksuar kur Shqipëria krahasohet me shtete që po shënojnë rritje të popullsisë së re. Spanja, Bullgaria dhe Rumania, për shembull, raportojnë zgjerim të grup-moshës 15–29 vjeç, duke reflektuar aftësinë e tyre për të tërhequr ose mbajtur të rinjtë përmes tregut të punës dhe sistemit arsimor.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ndërsa vende të Bashkimit Europian, si dhe shtete si Zvicra dhe Islanda, po arrijnë të stabilizojnë strukturën e tyre demografike, Shqipëria po thellon humbjen e rinisë. Ky fenomen po shndërrohet në një tipar specifik shqiptar dhe jo thjesht ballkanik, duke ndikuar drejtpërdrejt në mungesën e fuqisë punëtore dhe në rënien e potencialit inovativ.

Swiss Digital Mobile Reklama

Humbja vjetore e mbi 18 mijë të rinjve nënkupton zhdukjen e barasvlershme me një qytet të tërë studentësh dhe profesionistësh të rinj. Ndërkohë, vende si Gjermania dhe Italia, destinacione kryesore të emigracionit shqiptar, po përfitojnë nga ky fluks. Nëse ky trend vijon, pasojat për zhvillimin afatgjatë, tregun e punës dhe sistemin e pensioneve pritet të jenë gjithnjë e më të rënda.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A ka të drejtë Trumpi për Groenlandën?