A do të miratohet në Shqipëri eutanazia apo vetvrasja e asistuar?

“Armët e drejtësisë hyjnore, mpihen nga rrëfimi dhe pikëllimi i shkelësit”-Dante Aligeri, “Komedia”, Volumi 2-Purgatori
HYRJE
Duke marrë shkas nga një ndodhi në jetën time, kam hulumtuar mbi mundësitë e dekriminalizimit të eutanazisë, duke e konsideruar si proces mjekësor që mundëson mbajtjen e dinjitetit edhe në kushte ҫnjerëzore. Lista e personave që mund të kuptojnë me të vërtetë se ҫfarë përfaqëson “vrasja e mëshirueshme”, mund të përmblidhjet te personat me një sëmundje të pashërueshme e me dhimbje të mëdha dhe familjarët e tyre, me të cilët bashkëjetojnë (shiko si shembull te: www. nytimes.com/1964/11/02/israeli-mother-enters-jail-for-mercy-killing-of-son-3.html?searchResultPosition=1).
Të tjerët, filozofojnë mbi të drejtën e të gabuarën, të ligjshmen e të paligjshmen, njerëzoren dhe hyjnoren, ashtu si edhe Fridrish Niҫe te “Kështu foli Zarathustra”.
Normalisht edhe në ҫështjen e eutanazisë, ashtu edhe si edhe në ҫështje të tjera ku përfshihen jeta dhe vdekja (shembull aborti), debati është shumë i ashpër, mes pranuesve dhe kundërshtuesve të eutanazisë (shiko vendimin e GJEDNJ-së Mortier k. Belgjikës, aplikimi nr. 78017/17, §99-111).
Gjithsesi për parantezë, ideja kryesore kur nisa të shkruaj, ka qënë kërkimi i një përgjigje, përtej “po”-së ose “jo”-së, që konsiston në përcaktimin nëse eutanazia është e pranueshme, deri në ҫ’masë mund të jetë e pranueshme dhe si mund të detajohen procedurat, që të jetë një proces sa më i drejtë dhe i gjithëpranuar.
Disa aspekte të rëndësishme, paraprakisht të domosdoshme për tu analizuar, janë:
Së pari, rezulton se ka një përplasje mes parashikimit të nenit 17 të Kushtetutës (Jeta e personit mbrohet me ligj) dhe neneve 1 dhe 5 të ligjit nr. 10 339, datë 28.10.2010 “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën për të Drejtat e Njeriut dhe Biomjekësinë”, ku dhe kemi:
Neni 1: “Palët e kësaj konvente mbrojnë dinjitetin dhe identitetin e të gjitha qenieve njerëzore dhe i garantojnë çdokujt, pa diskriminim, respekt për integritetin e tyre, si dhe për të drejtat e tjera dhe liritë themelore në lidhje me aplikimin e biologjisë dhe mjekësisë.
Çdo palë, sipas ligjit të saj të brendshëm, merr masat e nevojshme për t’u dhënë fuqi dispozitave të kësaj konvente.”.
Neni 5: “Një ndërhyrje në fushën shëndetësore mund të kryhet vetëm pasi personi i interesuar të ketë dhënë pëlqimin e lirë dhe të bazuar në lidhje me të.
Ky person merr informacionin e nevojshëm paraprak për qëllimin dhe natyrën e ndërhyrjes, si dhe për pasojat dhe rreziqet e saj.
Në çdo kohë, personi në fjalë mund të jetë i lirë për të tërhequr pëlqimin e dhënë.”.
Së dyti, duke analizuar vendimarrjen e GJEDNJ-së në Lambert dhe të tjerë k. Francës ([DHM], nr. 46043/14, § 61-68), mbi vlerësimin e guides (26-28 nëntor 2013) të Komitetit të Bio-kimikës e Këshillit të Evropës, për principet që do duhet të zbatohen për vendimarrjet mbi trajtimet mjekësore, specifikisht në situatat fund-jetës dhe në Mortier k. Belgjikës, aplikimi nr. 78017/17, §139-140, rezulton se, për ta konsideruar eutanazinë në përputhje me Konventën Evropian e të të Drejtave të Njeriut: “… dekriminalizimi [eutanazisë] duhet të shoqërohet me sigurimin e masave mbrojtëse të përshtatshme dhe mjaftueshme, për të parandaluar abuzimin dhe për të siguruar respektimin e të drejtës për jetë.”.
Së treti, duhet nxjerrë diferenca mes eutanazisë dhe vetvrasjes së asistuar.
Përkufizimet përkatëse nga fjalori anglisht, janë:
- Eutanazia është akti i vrasjes së dikujt, që është shumë i sëmurë ose shumë i moshuar, që të mos vuajë më (shiko në: https://dictionary.cambridge.org/dictionary/english/euthanasia).
- Vetëvrasja e asistuar është akti i të ndihmuarit të dikujt që dëshiron të vdesë, për të vrarë veten, kur është shumë i sëmurë që ta bëjë vetë, ose në rastet kur kjo ndodh (shiko në: https://dictionary.cambridge.org/dictionary/english/assisted-suicide).
Në fjalë të varfa, tek eutanazia vdekjen e sjell personi që e zbaton, ndërsa te vrasja e asistuar, vdekja vjen nga vetë personi që dëshiron të vdesë.
Së katërti, shumë pak vende e lejojnë ligjërisht që të mund të zbatohet si eutanazia ashtu edhe vetëvrasja e asistuar (aksesohet në: https://www.statista.com/chart/28133/assisted-dying-world-map/), dhe nga kjo do duhet të nxirret “pse-ja”, e saj.
Besoj së është gjërësisht e pranuar, që pengesa kryesore në legalizimin e eutanazisë dhe vetëvrasjes së asistuar është ndikimi fetar, shumë i fortë (shiko në: www.vatican.va/roman_curia/congregations/cfaith/documents/rc_con_cfaith_doc_19800505_eutanasia_it.html dhe www.islamqa.org/shafii/seekersguidance-shafii/169367/is-euthanasia-permissible/).
ZHVILLIMI
Kushetuta e Republikës së Shqipërisë ka në preambulën e saj: “… me zotimin për mbrojtjen e dinjitetit dhe të personalitetit njerëzor…”.
A përfshihet në dinjitetin njerëzor, të jetuarit me dinjitet momentet e fundit të jetës dhe të vdekurit, po me dinjitet?
Në nenin 25 të Kushtetutës, kemi: “Askush nuk mund t’i nënshtrohet torturës, dënimit apo trajtimit mizor, çnjerëzor ose poshtërues.”.
Ndërsa në nenin 3 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, gjejmë: “Askush nuk mund t’i nënshtrohet torturës ose dënimeve ose trajtimeve çnjerëzore ose poshtëruese.”
Nëse një person do ishte në kushtet e një sëmundje të pashërueshme, në fazat më të avancuara të saj, si dhe me dhimbje të mëdha dhe të pakurueshme, heqja e mundësisë për ti dhënë fund vuajtjeve (me fundin e jetës), a do konsiderohej si një trajtim çnjerëzor ose poshtërues?
Problematika më e madhe nuk konsiston në situata bardh e zi, ku ҫdokush e gjen kollaj zgjidhjen “e duhur”, por në ato situata “kufitare”, ku alternohen të gjitha zgjidhjet dhe ku askush nuk do donte të merrte një vendim të gabuar, që ka vulosur fundin e një jete.
Sot në Shqipëri, nëse një mjek specialist, asiston apo ndihmon një të sëmurë të pashërueshëm që ka dhimbje të mëdha, që ti japë fund jetës së tij, do gjendej shumë shpejt para një procesi penal, ku përveҫ dënimit përkatës do humbiste edhe të drejtën e ushtrimit të profesionit.
Si rezultat do duhet të kuptojmë sa alternativa ka një i sëmurë rëndë, në gjendje të pashërueshme dhe dhimbje të mëdha, që në pamundësi të një zgjidhjeje mjekësore dhe ligjore, mendon se duhet ti japë fund jetës:
- Zgjidhja e pare nuk është e paligjshme dhe nuk është mjekësore:
Personi i sëmurë rëndë, në gjendje të pashërueshme dhe dhimbje të mëdha, vret veten.
Kjo nuk do përbënte shkak për të marrë në përgjegjësi penale personin, nëse (përshëmbull) nuk arrin me sukses vetëvrasjen.
- Zgjidhja e dytë është e paligjshme dhe mund të jetë edhe mjekësore:
Personi i sëmurë rëndë, në gjendje të pashërueshme dhe dhimbje të mëdha, nëpërmjet një doktori, mjeku popullor, specialisti helmesh etj., ndihmohet të vdesë.
Kjo përbën vepër penale për personin që e asiston/ndihmon dhe ҫdo person tjetër që ka ndihmuar apo shtyrë në realizimin e vrasjes së asistuar (edhe nëse mbetet në tentative).
- Zgjidhja e tretë, është e ligjshme, e mundshme por financiarisht e kushtueshme:
Personi i sëmurë rëndë, në gjendje të pashërueshme dhe dhimbje të mëdha, udhëton drejt një vendi që e lejon eutanazinë (shembull Belgjika), që nuk ka pengesa edhe për një të huaj, dhe ndjek procedurën ligjore për të arritur të sigurojë asistimin drejt vdekjes (shiko vendimin e GJEDNJ-së Ulrich Koch kundër Gjermanisë, aplikimi nr. 497/09, 23 nëntor 2010 dhe 31 maj 2011).
Kjo procedure do kishte një barrë të rëndë financiare (udhëtime, akomodime, procedura mjekësore etj.), por që ngre pikëpyetjen tjetër “të madhe”: Eutanazia qënka e arritshme vetëm për personat që kanë të ardhura/pasuri të mëdha?
Po të marrim për bazë nenin 18, pika 1, të Kushtetutës: “Të gjithë janë të barabartë përpara ligjit”, dhe nenin 14 të Koventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut: “Gëzimi i të drejtave dhe i lirive të përcaktuara në këtë Konventë duhet të sigurohet, pa asnjë dallim të bazuar në shkaqe të tilla si seksi, raca, ngjyra, gjuha, feja, mendimet politike ose çdo mendim tjetër, origjina kombëtare ose shoqërore, përkatësia në një minoritet kombëtar, pasuria, lindja ose çdo status tjetër.”, diferencimi i mësipërm (zgjidhja e tretë), a përbën një dallim në barazinë para ligjit dhe diskriminim për shkak të pasurisë?
Duke paraqitur llogarinë e bërë për rastin e Zvicrës (shiko në: www. deinadieu.ch/en/advisor/what-does-assisted-suicide-cost-and-who-pays-for-it/), në lidhje me trajtimin me eutanazi të jo rezidentëve, kostoja rrotullohet te 9.040 franga zviceriane (rreth 9.617 euro).
KRAHASIMI
Duke qënë se vetvrasja e asistuar, rezulton më e komplikuar për tu ligjëruar në vendin tone, pasi parashikon mundësinë e asistencës nga staf jomjekësor, si dhe duke vlerësuar se trajtimi i saj përfshihet më së shumti te eutanazia pasive, ky punim do të fokusohet, te dy llojet e eutanazisë (aktive dhe pasive):
Eutanazia aktive (www.bbc.co.uk/ethics/euthanasia/overview/activepassive_1.shtml) ndodh kur profesionistët mjekësor, ose një person tjetër, bëjnë qëllimisht diçka që shkakton vdekjen e pacientit.
Eutanazia pasive (www.bbc.co.uk/ethics/euthanasia/overview/activepassive_1.shtml) ndodh kur pacienti vdes, sepse profesionistët mjekësorë ose nuk bëjnë diçka të nevojshme për ta mbajtur pacientin gjallë, ose ndalojnë së bëri diçka që po e mban pacientin gjallë, si:
- fikin makineritë që e mbajnë në jetë
- shkëpusin tubin ushqimor
- nuk kryehet një operacion, që zgjat jetën
- nuk jepen barna, që zgjasin jetën
Në Shqipëri është e ndaluar secila nga eutanazitë, në ҫfarëdolloj situate, sëmundjeje, vuajtjesh apo konfirmimesh mjekësore. Por a duhet të jetë kështu?
Kanadaja ka ndryshuar legjislacionin e saj (17 mars 2021), bazuar në një vendim të Gjykatës së Lartë të Kubekut (Quebec), që ka konisideruar si antikushtetuese pjesën “Parashikueshmërinë e arsyeshme të vdekjes nga shkaqe natyrore” dhe kriterin “Fund i jetës”, duke lejuar që edhe personat me sëmundje të rënda por që nuk konsiderohen që kanë një parashikueshmëri të arsyeshme të ardhjes së vdekjes së tyre, të mund të kishin asistencë mjekësore që të vdesin (eutanazi).
Hollanda dhe Belgjika, janë vendet e para në botë që kanë legalizuar eutanazinë, ku një pacient mund të kërkojë eutanazi kur:
- vuan nga vuajtje të vazhdueshme të padurueshme fizike ose psikologjike, pa mundësi përmirësimi.
- vuajtja është për shkak të një sëmundje të rëndë dhe të pashërueshme, të shkaktuar nga një aksident ose sëmundje.
- kërkesa për eutanazi duhet të jetë vullnetare, e qëllimshme dhe me shkrim, në mënyrë të përsëritur (në Hollandë parashikohet konsulta me të paktën një profesionist tjetër të pavarur).
Në SHBA, trajtimi është i veҫantë, për secilin nga shtetet përbërëse, por mund të gjendet një emërues i përbashkët në vendimin e Gjykatën e Apelit të Qarkut të Dytë (Nju Jork)-Vacco, Attorney General of New York, et al. v. Quill et al.: “Çdokush, pavarësisht nga gjendja fizike, ka të drejtë, nëse është i aftë, të refuzojë trajtimin mjekësor të padëshiruar jetëshpëtues; askush nuk lejohet të ndihmojë në një vetëvrasje.”.
Në Zvicër, Kodi Penal nuk lejon që të nxitet apo asistohet dikush që të kryejë vetëvrasje, për motive egoiste, që lejon në krahun tjerër (a contrario), asistimin për të kryer vetëvrasjen, për motive jo egosite (eutanazia).
PROBLEMATIKA
Nëse në Shqipëri, do vijë momenti që të lejohet eutanazia apo vetvrasja e asistuar, fillimisht do duhet të ngrihen për diskutim kufinjtë ku do të lejohet të praktikohet si procedure mjekësore.
Rreziku më i madh konsiston në transformin e Shqipërisë, në një vend tërheqës për qytetarët e vendeve të tjera, për të zbatuar eutanazinë [Sipas Komisionit Federal të Kontrollit dhe Vlerësimit të Eutanazisë (Belgjikë), ka pasur një rritje prej 15% në numrin e procedurave të eutanazisë në vitin 2023 … ky Komision ka vënë në dukje gjithashtu një numër në rritje të të huajve që udhëtojnë në Belgjikë për një procedurë eutanazie. Vitin e kaluar [2023] 110 individë që jetonin jashtë vendit, udhëtuan posaçërisht në Belgjikë për eutanazi, pjesa më e madhe franceze (101).] (shiko gjithashtu edhe vendimin e GJEDNJ-së [DHM] Gross kundër Zvicrës, aplikimi nr. 67810/10)
Problematika e dytë, konsiston me precedurat që duhen ndjekur: Kërkesa, pranimi apo refuzimi, kontrolli administrative dhe gjyqësor, ankimi dhe ecuria disiplinore (ose ndjekja penale).
Kërkesa:
Fillimisht duhet trajtuar se kush lejohet të bëjë kërkesë:
Jam i mendimit, që personi i sëmurë (pacienti) nuk do duhet të lejohet të bëjë kërkesë për veten, me arsyetimin se në situate kur ka dhimbje të pandërprera dhe shpesh të forta, personi që vuan është i gatshëm për ҫdo lloj zgjidhjeje, vetëm që të gjejë “qetësi” nga dhimbjet.
Pa dashur ta banalizoj, nëse një person vuan nga dhimbjet e mëdha të dhëmbëve, do ishte i gatshëm kurdoherë të hiqte dhëmbin, pavarsisht se stomatologu përkatës do mund të këshillonte një mjekim gradual dhe të suksesshëm.
Atëherë kush mund të kërkojë zbatimin e eutanazisë?
Besoj se familjarët e personit me një sëmundje terminale (shiko në: my.clevelandclinic.org/health/articles/terminal-illness), në konceptin e gjërë që mund ti bëhet këtij përcaktimi, do të ishin personat që legjitimohen për të bërë kërkesën.
Për ta bërë më të qartë, do duhet të lejohen bashkëshort-i/ja, fëmijët, prindërit, vëllezërit e motrat, fëmijët e fëmijëve, dhe në mungesë të plotë të tyre, ҫdo person që ka jetuar të paktën tre vitet e fundit me personin, për të cilin do bëhet kërkesa për të zbatuar eutanazinë.
Mosha e kërkuesit:
Për t’u përcaktuar mosha e personit, që lejohet të kërkojë zbatimin e eutanazisë tek një famijar, mendoj se duhet marrë për bazë përcaktimi në pikën 6, neni 27, i Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur. Thënë më thjesht, kërkuesi duhet të jetë mbi 23 vjeҫ.
Ku duhet kërkuar:
Vlerësoj se kërkesa do duhet të përpilohet tek një noter, me një format standart të miratuar nga Dhoma Kombëtare e Noterisë dhe kundrejt një shume fikse jo diskriminuese.
Për shkak të rëndësisë së ҫështjes, kërkesa (drejtuar noterit për përpilimin e aktit për zbatimin e eutanazisë) duhet të paraqitet nga një nga personat e parashikuar në ligj apo akt nënligjor, që lejohet të bëjë kërkesë për zbatimin e eutanazisë (trajtuar më lart).
Kërkesës duhet ti bashkëngjiten dokumente vërtetuese mbi sëmundjen, trajtimin mjekësor, vendodhjen, certifikatat e lindjes, martesës dhe ato familjare (në intervale 3, 5 apo 10 vjeҫare, në varësi nëse përsoni është më pak se 21 vjeҫ, 21 deri 35 vjeҫ apo mbi 35 vjeҫ) si dhe ҫdo dokument tjetër që vlerësohet nga kërkuesi si i nevojshëm (shembull vendime të KMCAP-së, vërtetime nga DRSSH-ja etj.).
Pas kësaj, noteri do duhet që të dokumentojë sëmundjen, historikun e trajtimit, vlerësimin mjekësor (nëse ka) dhe të përcaktojë listën e të gjithë familjarëve të personit, për të cilin do bëhet kërkesa për eutanazi (sipas përcaktimit që bëra më lart), brënda një afati 48 orësh nga marrja e kërkesës.
Noteri në këtë rast bën pasqyrimin e asaj që kërkuesi dorëzon, duke i përmbledhur në aktin standart që do duhet të zbatohen, në rastin e kërkesave për eutanazi. Kjo do të thotë se hulumtimi i noterit, konsiston në dokumentacionin e paraqitur, nëse vlerësohet se është i plotë. Nëse dokumentacini nuk është i plotë (mungesë dokumentesh), nuk është i besueshëm (me fshirje, mungesë fletësh etj.), nuk është në formën e kërkuar nga ligji (fotokopje e panoterizuar, dokumet pa vulë të njomë etj.), noteri e kthen kërkesën me shkresë, duke përcaktuar qartësisht mangësinë e konstatuar.
Sapo merret kërkesa me dokumentacionin e domosdoshëm, noteri dërgon njoftim me shkrim mbi kërkesën e bërë, në qëndrat e ngritura me ligj apo akt nënligjor, që lejohet të zbatojnë eutanazinë, duke bashkëngjitur dokumentacionin e domosdoshëm për të identifikuar personin ndaj të cilit do zbatohet eutanazia (në rast miratimi).
Por noteri do duhet të refuzojë kërkesën e bërë (me akt të arsyetuar) kur kërkesën e bën vetëm njëri nga familjarët që legjitimohet të bëjë kërkesën dhe nga aktet rezulton se janë edhe të tjerë që do mund të legjitimoheshin.
Për ta bërë më të thjeshtë, kërkesën e paraqet bashkëshort-i/ja, por rezulton se ka dhe 3 fëmijë dhe 2 vëllezër. Noteri me përgatitjen e listës së personave që legjitimohen të paraqesin kërkesë, do duhet të vlerësojë nëse plotësohet kuota/përqindja dominuese (33%, 50% apo më shumë), që do do jetë e paracaktuar me udhëzim të Dhomës Kombëtare të Noterëve dhe Ministrisë së Shëndetësisë.
Kundër vendimit të refuzimit të kërkesës, për shkak të mos arritjes së kuotës/përqindjes së domosdoshme, personi kërkues mund të ngrijë padi në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë. Nuk mund të kërkohet sigurimi i padisë sipas nenit 28 të ligjit 49/20129 “Për gjykatat administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, i ndryshuar.
Gjatë gjykimit, paditësi duhet të vërtetojë pse nuk merr/merret dot pëlqimi i familjarëve të tjerë dhe situatën shëndetësore për të cilën kërkohet zbatimi i eutanazisë. Gjykata mund të thërrasë ekspertë të fushës, për vlerësimin e situatës shëndetësore të personin për të cilin kërkohet zbatimi i eutanazisë.
Ndërgjyqësia e detyrueshme, përmban si paditës kërkuesin dhe personin ndaj të cilit kërkohet të zbatohet eutanazia (ose kujdestari/përfaqësuesi ligjor i tij) dhe si i paditur noteri përkatës dhe Ministria e Shëndetësisë.
Vijim:
Kur noteri bindet që personi kërkues legjitimohet, plotësohet kuota/përqindja minimale e domosdoshme për paraqitjen e kërkesës, personi për të cilin kërkohet zbatimi i eutanazisë vuan nga një sëmundje terminale (këtu do shërbente një udhëzues i Ministrisë së Shëndetësisë mbi përcaktimin e sëmundjeve terminale për të cilat mund të kërkohet zbatimi i eutanazisë) dhe dokumentacioni i dorëzuar është i plotë (sipas kërkesave të ligjit apo aktit nënligjor), përpilon aktin drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë, duke kërkuar vlerësimin nga specialistët e fushës, nëse do mund të zbatohet eutanazia.
Ministria e Shëndetësisë, do duhet brënda 2 ditëve nga marrja e kërkesës, të vlerësojë kërkesën dhe të vendosë mbi ngritjen e komisionit me përbërje 5 mjek të certifikuar, për të trajtuar kërkesat për zbatimin e eutanazisë.
Komisioni i mjekëve do duhet të marrin vendim për pranimin ose refuzimin e kërkesës, brënda një afati maksimal prej 3 ditësh (me të drejtë shtyerje të afatit 2 ditë, për shkak se nevojitet dokumentacion shtesë ose pamundësi pjesëmarrjeje të të paktën 2 anëtarëve, për një periudhë mbi 1 ditë). Nëse anëtari sëmuret apo për arsye të tjera nuk merr dot pjesë në komision mbi 2 ditë, zëvëndësohet me urdhër të ministrit të shëndetësisë.
Nëse arsyet e mospjesëmarrjes janë jo të justifikueshme ligjërisht, fillohet procedura disiplinore.
Vendimi i komisionit të mjekëve përcillet nga Ministria e Shëndetësisë, për te noteri kërkues dhe qëndrat e zbatimit të eutanazisë, menjëherë.
Noteri e përcjell vendimin te personi kërkues dhe personi ndaj të cilit do zbatohet eutanazia ose kujdestari/përfaqësuesi ligjor i tij, menjëherë.
Zbatimi i eutanazisë, në mungesë të një ankimi gjyqësor, do zbatohet brënda 7 ditëve nga njoftimi i vendimit të grupit të specialistëve, personit kërkues dhe personit ndaj të cilit do të zbatohet eutanazia ose kujdestarit të tij/përfaqësuesit ligjor.
Eutanazia do zbatohet vetëm në qëndrat shëndetësore të miratuara me ligj apo me akt nënligjor.
Ankimi:
Kundër vendimit për mos nxjerrjen e aktit nga noteri, nga personi kërkues mund të ngrihet padi në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë, e cila do duhet të vendosë brënda 7 ditëve nga regjistrimi i padisë. Nuk mund të kërkohet sigurimi i padisë sipas nenit 28 të ligjit 49/20129 “Për gjykatat administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, i ndryshuar.
Kundër vendimi për nxjerrjen e aktit nga noteri, nga familjarët e tjerë të legjitimuar, të personit që vuan nga sëmundje terminale, mund të ngrihet padi në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë, e cila do duhet të vendosë brënda 7 ditëve nga regjistrimi i padisë. Mund të kërkohet sigurimi i padisë sipas nenit 28 të ligjit 49/20129 “Për gjykatat administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, i ndryshuar.
Ndërgjyqësia e detyrueshme, përmban si paditës familjarin kërkues/kundërshtues dhe personin ndaj të cilit kërkohet të zbatohet eutanazia (kujdestari ose përfaqësuesi ligjor i tij) dhe si të paditur noterin përkatës.
Kundër vendimit për mos pranimin e ngritjes së komisionit të mjekëve nga Ministria e Shëndetësisë, nga personi kërkues mund të ngrihet padi në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë, e cila do duhet të vendosë brënda 7 ditëve nga regjistrimi i padisë. Nuk mund të kërkohet sigurimi i padisë sipas nenit 28 të ligjit 49/20129 “Për gjykatat administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, i ndryshuar.
Kundër vendimit për mos lejimin e eutanazisë, të komisionit të mjekëve të ngritur nga Ministria e Shëndetësisë, nga personi kërkues mund të ngrihet padi në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë, e cila do duhet të vendosë brënda 7 ditëve nga regjistrimi i padisë. Nuk mund të kërkohet sigurimi i padisë sipas nenit 28 të ligjit 49/20129 “Për gjykatat administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, i ndryshuar.
Kundër vendimit për lejimin e eutanazisë, të komisionit të mjekëve të ngritur nga Ministria e Shëndetësisë, nga familjarë e tjerë të legjitimuar, të personit që vuan nga sëmundje terminale mund të ngrihet padi në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë, e cila do duhet të vendosë brënda 7 ditëve nga regjistrimi i padisë. Mund të kërkohet sigurimi i padisë sipas nenit 28 të ligjit 49/20129 “Për gjykatat administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, i ndryshuar.
Ndërgjyqësia e detyrueshme, përmban si paditës familjarin kërkues/kundërshtues dhe personin ndaj të cilit kërkohet të zbatohet eutanazia (kujdestari ose përfaqësuesi ligjor i tij) dhe si të paditur Ministrinë e Shëndetësisë.
Kundër mosveprimit të noterit apo Ministrisë së Shëndetësisë (mungon akti pranimit ose refuzimit), nga familjari kërkues mund të ngrihet padi në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë, e cila do duhet të vendosë brënda 3 ditëve nga regjistrimi i padisë. Në këtë rast nuk mund të merret sigurimi i padisë sipas nenit 28 të ligjit 49/20129 “Për gjykatat administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, i ndryshuar, sepse do ishe njësoj si një zgjidhje themeli.
Ndërgjyqësia e detyrueshme, përmban si paditës personin kërkues dhe personin ndaj të cilit kërkohet të zbatohet eutanazia (kujdestari ose përfaqësuesi ligjor i tij) dhe si i paditur noteri ose Ministria e Shëndetësisë (sipas rastit).
Legjislacioni i domosdoshëm:
Nëse do të legalizohet (dekriminalizohet) zbatimi i eutanazisë, e gjithë procedura e mësipërme, që të jetë në përputhje me respektimin e dinjitetit të personave që vuajnë nga sëmundje terminale dhe familjarët e tyre, për të shmangur mundësinë e gabimeve si dhe për të mundësuar një procedure strikte dhe me afate të arsyeshme, vlerësoj se aktet e mëposhtme do duhet të miratohen detyrimisht:
Ligj ose Vendim i Këshillit të Ministrave “Për qëndrat e specializuar shëndetësore për zbatimin e eutanazisë”
Udhëzues i Dhomës Kombëtare të Noterëve “Për procedurën, afatet, formën e akteve dhe ecurinë disiplinore, në trajtimin e kërkesave për zbatimin e eutanazisë”
Udhëzim i Ministrisë së Shëndetësisë “Mbi përcaktimin e sëmundjeve terminale, për të cilat mund të kërkohet zbatimi i eutanazisë”
Urdhër i Ministrisë së Shëndetësisë “Për përbërjen dhe procedurën që do duhet të ndiqet nga komisioni mjekësor, në trajtimin e kërkesave për zbatimin e eutanazisë”
Udhëzim i përbashkët i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Dhomës Kombëtare të Noterëve “Për përcaktimin e kuovatave/përqindjeve minimale që duhet të plotësohet në kërkesën për zbatimin e eutanazisë”
Ecuria disiplinore apo ndjekje penale?
Nëse problematikat hasen në dokumentacionin e dorëzuar (fallsifikuara, fshehura apo të papasqyruara), kjo përbën shkak për ndjekje penale, si në rast se është familjari kërkues, familjari ankues, noteri, punonjës i Ministrisë së Shëndetësisë apo edhe specialisti mjekësor që thërritet të bëjë pjesë në komisionin vendimarrës (nenet 186, 188, 190 ose 192/a të Kodit Penal).
Nëse kërkesa është abuzive nga familjari kërkues, pasi për personi për të cilin kërkohet zbatimi i eutanazisë është dukshëm jashtë përcaktimeve ligjore apo nënligjore mbi sëmundjet terminale, vlerësoj se kjo nuk do të mund të përbëjë shkak për ndjekje penale, pasi nuk kemi asnjë dispozitë në Kodin Penal që ta mund ta përfshijë si veprim (si shembull ilustrues shiko në: www.bbc.com/news/world-europe-51103687).
Por nëse kërkesa abusive, kalon të tre etapat e kontrollit (noter, Ministria e Shëndetësisë dhe komisioni i mjekëve), do mund të ushtrohet ndjekja penale ndaj të gjithë të përfshirëve.
Diskutimi do ishte nëse ndjekja penale do bazohet mbi shpërdorimin e detyrës (neni 248i Kodit Penal), me rrethanë rënduese të parashikuar në shkronjën (e), të nenit 50, të Kodit Penal apo si vrasjes në rrethana të tjera rënduese (shkronja (b), neni 79 i Kodit Penal), me rrethanë rënduese shtesë shkronjën (gj), të nenit 50 të Kodit Penal?
Nëse noteri e kalon kërkesën e familjarit të personit që vuan nga sëmundje terminale, për trajtim në Ministrinë e Shëndetësisë, kur nuk duhet ta kishte kaluar ose kur Ministria e Shëndetësisë ngrin komisionin e mjekëve, kur nuk duhe ta kishte ngritur, kryer kjo në formën e pakujdesisë, vlerësoj se do ishim para rastit të fillimit të ecurisë disiplinore dhe jo ndjekjes penale, për person-in/at përgjegjës.
PËRFUNDIME
Besoj se ka ardhur koha që edhe në Shqipëri të diskutohet dekriminalizimi i eutanazisë. Duke u dakordësuar se procedurat duhet të jenë sa më strikte, kjo nuk mund të pengojë që personat vërtet me një stad sëmundjeje pa shpresë dhe për më tepër, me dhimbje të padurueshme, të mund të gjejnë qetësinë e munguar, qoftë edhe në botën tjetër. Për sa i përket marëdhënies së tyre me Zotin, janë tej asaj që mund dhe duhet të diskutojmë/Besmir Lesaj/.