FA, ndihma për fëmijët italianë të prekur nga tërmeti

Gratë dhe vajzat ushtarake e civile të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura kanë ndërmarrë një nismë në ndihmë të fëmijëve të prekur nga tërmeti i para disa ditëve në Itali.

Të mbështetura edhe nga ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, ato kanë ndërgjegjësuar gjithashtu të gjitha njësitë apo repartet e FA-së, për të lehtësuar sadopak gjendjen e vështirë që po kalojnë ata fëmijë.

Në një aktivitet ku ishte i pranishëm edhe ambasadori i Republikës së Italisë në vendin tonë, Alberto Cutillo, u bë dorëzimi i ndihmave të mbledhura për këta fëmijë. Në fjalën e saj, ministrja Kodheli e konsideroi këtë nismë si të jashtëzakonshme për të ndihmuar sadopak fëmijët italianë të prekur nga tërmeti i tmerrshëm i disa javëve më parë.

Swiss Digital Desktop Reklama

“Është një shenjë e bujarisë së qytetarëve shqiptarë në përgjithësi, por FA dëshmon po ashtu se ndërveprimi dhe bashkëpunimi me partnerët tanë, nuk është vetëm kur flitet për stërvitje e misione të përbashkëta, por është njëkohësisht edhe në gjërat e vogla. Sigurisht që kjo është simbolike, por unë jam e bindur që, është sa simbolike aq edhe domethënëse”, tha Kodheli, duke falënderuar pjesëtarët e FA-së, të cilët kontribuan në mbledhjen e këtyre lodrave.

Swiss Digital Mobile Reklama

Ndërsa ambasadori i Republikës së Italisë në vendin tonë Alberto Cutillo, e konsideroi këtë nismë si një gjest mjaft domethënës. “Ju falënderoj që menduan për fëmijët e prekur nga tërmeti i pasa disa ditëve në Itali. Është një mendim që jam i sigurt se do të gëzojë edhe fëmijët që pritet të jetojnë muajt e ardhshëm në kushte të vështira, në pritje të rindërtimit të shtëpive të tyre, dhe që kanë nevojë të ndjejnë dashurinë dhe miqësinë e popullit shqiptar që është veçanërisht e shtrenjtë. Në emër të tyre dhe të gjithë institucioneve italiane, dua t’ju falënderoj dhe do të kujdesemi që kjo ndihmë të arrijë te ata fëmijë”, u shpreh Cutillo.

Ndihma e pjesëtarëve të Forcave tona të Armatosura për fëmijët italianë të moshës nga 1 deri në 10 vjeç të prekur nga tërmeti konsiston në materiale jetike dhe lodra dhe do të vijojë deri ditën e shtunë.
Ky sensibilizim bëhet në kuadrin e marrëdhënieve shumë të mira që kanë FA shqiptare me ato italiane.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?