FA-të, 12 vajza dhe 121 djem nisin stërvitjen në bazën e Bunavisë (VIDEO)
133 të rinj, mes të cilëve 12 vajza nisën Stërvitjen Individuale Bazë në Shkollën e Trupës Bunavi. Lajmi është bërë publik nga ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka. Ajo thekson se pas përfundimit me sukses të kësaj stërvitjeje intensive, rekrutët do të betohen dhe më pas do të shërbejnë në reparte të ndryshme të Forcave të Armatosura, ku do të kenë mundësinë të kualifikohen në disa profesione.
“133 të rinj, mes të cilëve 12 vajza nisën Stërvitjen Individuale Bazë në Shkollën e Trupës Bunavi. Ne në Forcën e Armatosur e konsiderojmë këtë stërvitje si porta hyrëse e njëherësh edhe si shkollën e parë të edukimit ushtarak. Pas përfundimit me sukses të kësaj stërvitjeje intensive, rekrutët do të betohen dhe më pas do të shërbejnë në reparte të ndryshme të Forcave të Armatosura, ku do të kenë mundësinë të kualifikohen në disa profesione”, thekson ministrja Xhaçka.
“Fillimi është pak i vështirë. Është një eksperiencë e bukur ndihem mirë. Erdha me dëshirë dhe deri tani e kam përballuar shumë mirë”, shprehet Fabiola Demishaj, një nga rekrutet e reja. “Qëllimi është që në të ardhmen të bëhem pjesë e forcave komando për ti shërbyer vendit tim dhe për të bërë një karrierë në Forcat e Armatosura”, tha Indrit Xhemollari.