Faik Basha ikën nga Partia e Lirisë dhe shkon tek PS: Mungesë e theksuar meritokracie

Edhe pse vendi është në prag të zgjedhjeve, Faik Basha ka dhënë dorëheqjen nga çdo post që mbante te Partia e Lirisë. Për të ky vendim vjen pas “një periudhe të gjatë reflektimi dhe analizimi të situatës aktuale në Partinë e Lirisë”.
”Vendimi im për tu dorëhequr nga Partia e Lirisë është i nevojshëm për të ruajtur principet e mia dhe përkushtimin ndaj interesit publik. Gjatë periudhës që kam qenë pjesë e kësaj partie, kam vënë re një mungesë të theksuar të meritokracisë. Është e qartë se shumë vende dhe pozita janë zënë përmes favoritizmit dhe marrëdhënieve personale, duke anashkaluar individët më të aftë dhe të përkushtuar në kauzat publike. Kam vërejtur se përparimi i individëve të aftë dhe të përkushtuar shpesh zëvendësohet nga praktika të servilëve dhe privilegjeve të paarsyeshme. Kjo ka sjellë një ambient ku meritat individuale dhe përkushtimi për ideale të larta bien në hije para interesave personale dhe politikave klanore”, shkruan Faik Basha.
Po ashtu ai thotë se e ardhmja e Shqipërisë është në duar të qytetarëve të saj, duke nënkuptuar kalimin tek PS-ja, pasi flet për Shqipërinë Europiane. ”Çdo përpjekje e re, çdo hap i vogël përpara, është një hap drejt një të ardhmeje më të ndritur. Le të fillojmë këtë betejë së bashku për një Shqipëri Europiane, për të ndërtuar një Shqipëri që na bën krenarë të gjithve. Interesat e një Shqipëria Europiane janë detyrë patriotike e çdo shqiptari”.