Falsifikonin tamponët COVID për qytetarët që udhëtonin drejt BE, në pranga 5 persona
Dy raste të falsifikimit të tamponëve COVID-19 për të udhëtuar jashtë vendit, janë goditur nga Policia sot në Durrës, ndërsa në pranga kanë rënë 5 persona.
Policia bën me dije se një nga rastet e mashtrimit kryhej nga një agjenci turistike, në bashkëpunim me një laborator për kryerjen e testeve.
Njoftimi i policisë:
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kanë organizuar punën dhe kanë goditur 2 raste të mashtrimit dhe falsifikimit të tamponëve ndaj qytetarëve të cilët udhëtonin drejtë vendeve të BE-së, në qytetin e Durrësit, ku 1 rast kryhej në bashkëpunim mdis agjensisë së udhëtimit dhe laboratorit për kryerjen e testve, dhe 1 rast falsifikimi dhe mashtrimi kryhej nga vetë agjensia e udhëtimit.
Në vijim të veprimeve nga specialistët për hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, u arrestuan në flagrancë shtetasit:
V. B., 65 vjeçe, banuese në Durrës, për veprën penale “Mashtrimi”, e punësuar pranë një agjensie udhëtimi, në lagjen nr.4., Durrës;
A. C., 24 vjeçe, për veprën penale “Mashtrimi”, B. M., 25 vjeç, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Mashtrimi”, A. D., 23 vjeç, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Mashtrimi”, të 3 banues në Durrës dhe të punësuar pranë një laboratori në lagjen nr.4, Durrës.
Gjithashtu u shpall në kërkim për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Mashtrimi”, shtetasi L. L., 52 vjeç, administrator i laboratorit në lagjen nr.4, Durrës.
Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke qën të punësuar pranë agjensisë turistike dhe laboratorit, me anë të falsifikimit dhe mashtrimit, paisnin qytetarët të cilët do udhëtonin drejtë vendeve të BE-së, me testime “Antigen Rapid”, kundrejt përfitimit.
—
Po nga këta struktura, u arrestua në flagrancë për veprat penale, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Mashtrimi”, shtetësja A. B., 24 vjeçe, si dhe u procedua penalisht për të njëjtat vepra penale, shtetësja O. S., 40 vjeçe, të 2-ja, banuese në Durrës.
Këta shtetase në bashkëpunim me njëra-tjerën, duke qënë të punësuara pranë një agjensie udhëtimesh, në lagjen nr.4, Durrës, me anë të falsifikimit dhe mashtrimit, paisnin qytetarët të cilët do udhëtonin drejtë vendeve të BE-së, me teste “Antigen Rapid”, kundrejt përfitimit.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan njesi kompjuterike të 2 agjensive, tamponë për kryerjen e testeve dhe disa fletë me përgjigjie të testeve të falsifikuara.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.