Familja e Billës rrëzon pistën kryesore të hetimeve: Atë konflikt e kemi mbyllur
Shumë pista dhe enigma ka ekzekutimi i Hekuran Billës, mbrëmjen e së enjtes në zonën e Komunës së Parisit. Familjarët e 40-vjeçarit janë pyetur në polici dhe kanë thënë se nuk kanë konflikte për ngjarjen e vitit 2006. Sipas tyre atë konflikt e kanë mbyllur. Billa në vitin 2006, akuzohej se kishte vrarë 22-vjeçarin Prel Marku në Angli ku qëndronte si emigrant. Billa u shpall fajtor për tre akuza për vrasje në tentativë dhe vrasje të Prel Markut dhe u dënua me burgim të përjetshëm, me një mandat minimal të rekomanduar prej 34 vitesh. Hekuran Billa iku në Danimarkë por policët e gjurmuan atë dhe e dënuan për vrasje, dy përpjekje për vrasje dhe plagosje me qëllim. Ai i mohoi të gjitha akuzat.
Ngjarja në Britani
Në vitin 2006, ai ekzekutoi me breshëri në një lokal në Angli, Prel Markun ndërsa la të plagosur tre të tjerë, Petrit Brahoj, Agron Gjoni dhe Musa Rrahmani.
Gjykata në Angli e dënon Billën me burgim të përjetshëm, ndërsa nëntë vite më pas, Ministria e Drejtësisë Shqiptare, pra në në 2016, kërkoi që ai ekstradohet drejt vendit tonë për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit.
Në Shqipëri, Billa kërkoi një tjetër proces gjyqësor për njohjen e vendimit. Gjykata shqiptare ja konvertoi burgimin e përjetshëm me 25 vite burg, duke u bazuar në legjislacionin shqiptar. Pasi mori këtë vendim tre vite më vonë, Billa bëri sërish një kërkesë në gjykatë për tu liruar me kusht, që arriti ta marrë në vitin 2019.
Lirimi nga burgu
Gjyqtari Altin Abdiu në 13 maj 2014, bëri njohjen e vendimit të përjetshëm por në 20 korrik 2016 gjyqtari Lefter Jahaj, vendosi të ndryshojë vendimin e gjykatës së Tiranës për njohjen e burgut përjetshëm dhe dënimin e tij përfundimisht me 25 vite burgim. Gjyqtarja e Krujës, Enkelejda Hoxha vitin e kaluar i njohu uljet dhe i fali 5 vite duke e liruar me kusht.
”Hekuran Billa ka arsye të veçanta që përligjin kërkesën e tij për lirimin me kusht, që janë gjendja familjare ku konkretisht është në përbërje familjare me dy prindërit, gjendja shëndetësore e tyre paraqitet me probleme të shëndetit, të dokumentuara. Gjithashtu arsye tjetër është gjendja ekonomike e vështirë, pasi të vetmet të ardhura janë pensioni i prindërve të tij, i cili është i pamjaftueshëm për ilaçet e tyre, ndaj ai ka paraqitur edhe një kontratë punësimi”.
Gjithashtu theksohet sjellja e mirë e Billës në burg. Po ashtu, në vendim thuhet se shërbimi i provës është shprehur se perspektiva e riintegrimit të tij në shoqëri është e konsiderueshme.