Familja Mema telefonatë në polici pas masakrës: Ejani na mbroni

Pjesëtarë të fisit Mema, të cilët jetojnë ende në qytetin e Elbasanit, pak minuta pas atentatit të së mërkurës ndaj fisit Çapja, kanë përjashtuar përfshirjen e tyre në këtë krim.

Një telefonatë e mbërritur në Policinë e Elbasanit ka kërkuar ndihmë nga uniformat blu pas të shtënave me armë të ndodhur në lokalin e Agron Çapes, që i morën jetën tre personave dhe lanë të plagosur tetë të tjerë.

Burime për Repor TV nga policia e këtij qyteti thanë se në telefonatën e mbërritur pak minuta pas ngjarjes, pjesëtarët e fisit Mema të njohur për koflikte të hershme me fisin Çapja, kanë kërkuar ndihmë dhe ruajtje nga policia.

“Alo policia, jemi familja Mema, ju lutem ejani na mbroni pasi Çapjat do kujtojnë se i kemi sulmuar ne për shkak të konflikteve që kemi pasur, por nuk kemi asnjë lidhje dhe ndjehemi të frikësuar, ejani na mbroni ju lutem”.

Është kjo një pjesë e telefonatës që Report TV ka zbardhur nga hetimet që po kryhen deri më tani, ndërsa që prej 3 shkurtit të atentatit, forca të policisë mbajnë ende nën vëzhgim jo vetëm fisin Mema, por dhe fisin e sulmuar, Çapja.

Konflikti midis dy fiseve Mema-Çapja në Elbasan prej 2005 ka sjellë 11 viktima dhe një sërë atentatesh si brenda dhe jashtë vendit, ndërsa pas hekurave drejtësia ka mundur të vendosë vetëm 3 persona.

Në atentatin e dy netëve më parë ku në drejtim të lokalit të Agron Çapes pranë stadiumit “Elbasan Arena”, u qëlluan 65 plumba kallashnikovi mbetën të vdekur pronari Agron Çapja, nipi i tij Ardit Sinakolli dhe miku i tyre Eno Bedali, ndërsa 8 persona të tjerë që ndodheshin me ta në lokal mbetën të plagosur rëndë nga breshëria e plumbave.

Referuar vëzhgimit të kamerave të sigurisë të cilat ishin të vendosura në lokal, në kushte anonimati grupi hetimor shprehet se informacionet e mbledhura janë shumë të pakta dhe nuk kanë ndihmuar në zbardhjen e krimit.

Sipas hetuesve personat që kanë qëlluar me armë kanë ndaluar dhe parkuar automjetin e tyre jashtë rrezes së regjistrimit të kamerave.

Kjo ka bindur hetuesit se atentati ndaj Çapjave ka qenë i planifikuar dhe lëvizjet e tyre janë vëzhguar prej më shumë se 1 jave.

SHKARKO APP