Fati i plehrave të Shkodrës, Voltana Ademi paralajmëron padi në SPAK: Grumbullimi në fushë

Kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi ka paralajmëruar se do të ngrejë padi në SPAK nëse çështja e depozitimit të mbetjeve në landfillin e Bushatit nuk merr zgjidhje nga autoritetet përkatëse. Në një lidhje me gazetaren Juli Xhokaxhi në ABC, Ademi deklaroi se për ministrinë e mjedisit nuk ka bën sens vendimi për rritjen e tarifës por nga ana tjetër nuk ka një argumentim ligjor.

Ademi shtoi se zgjidhja e përkohshme për të larguar plehrat nga banesat, është grumbullimi i tyre në një fushë deri në zgjidhjen e ngërçit institucional.

“Sipas teknologjisë është rënë dakord që do bëheshin disa punë në sajë të arritjeve. Duhet të argumentohet pse nevojiten para më shumë për shërbimin e kërkuar. Të na vihet në dispozicion dokumentacioni. Unë kam pritur zgjidhje nga ministria e Mjedisit dhe Prefektura e Shkodrës. Ministria e Mjedisit e ka funksion të vetin. Klosi më konfirmoi që do të merrej me këtë çështje. Për ministrinë e Mjedisit nuk bën sens rritja e tarifës dhe nga ana tjetër nuk ka një argumentim teknik.

Ai më komunikoi që do të bisedonte. Plehrat ndodhen në fushë. Do gjej një fushë dhe do t’i mbledh aty për t’i hequr nga pragjet e dyerve. Kemi situatën e rrezikshme pasi plehrat janë shumë afër çdo shtëpie. Katër javë janë shumë. Unë kam kërkuar në vazhdimësi. Jo vetëm zyrtarisht por edhe njerëzisht. 44 mijë tonë mbetje në vit prodhon në Shkodër. Unë po bëj gati depozitimin e kallëzimit në SPAK nëse çështja nuk zgjidhet. Kjo mendoj që është detyrim ligjor. Kam dërguar padinë time në Gjykatë Administrative. Nëse nuk ka përgjigje, mendoj që është rasti për t’iu drejtuar institucioneve më lart”, tha Ademi.

Ademi tha se njoftimi është bërë në ditët e para të Janarit por pavarësisht komunikimit me të gjitha institucionet nuk ka marrë asnjë argumentin shpjegues. Ajo zbuloi se një ditë më parë ka komunikuar me ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku dhe ka marrë garanci prej saj për zgjidhjen e problemit por deri tani nuk ka asnjë hap konkret.

“Kemi marrë një njoftim në ditët e fundit të Janarit. Për rritjen deri në 15 mijë lekë për qytetarët që depozitojnë mbetjet në landifill. Në datën 4 na është mbyllur hyrja për mjetet që depozitojnë mbetjet atje. Sot jemi para një situate që është jashtë mundësisë së menaxhimit. Unë kam pasur komunikim me të gjithë, prefekturën, ministrinë e mjedisit, AKU. Kam kërkuar të mblidhemi disa herë. Trupa ekzekutive nuk ka mundësi për të reformuar një kontratë. Është një procedurë që duhet të bëhet për 6 muaj dhe jo për një ditë.

Nëse ne kemi 35 mijë lekë për një familje, na rritet me 73% e vlerës së depozitimit. Nuk është çështje për të diskutuar nëse mundemi apo jo. Ne duam të dimë se kujt ia paguajmë. Nuk mundet dikush sot për nesër të thotë se ne duam të rrisim tarifën. Mbrëmë kam komunikuar me Belinda Ballukun e cila ka deklaruar se do të merret me këtë çështje. Nuk është vetëm bashkia Shkodër ajo që penalizohet. Kontrata është përditësuar në varësi të tarifës. Ajo që ndodhi në Lezhë, bashkia nuk e ka pranuar. Unë veproj në bazë të ligjit.

Askush nuk duhet të hamendësojë për rritje të tarifave. Bëhet fjalë për një situatë që unë dyshoj se është korruptive. Kam informacione se ministria e Infrastrukturës është duke financuar fazën e dytë të landfillit të Bushatit. Është miratuar në buxhetin e vitit 2021. Bëhet fjalë për projekt 4 mld lekë. Nuk është rasti për të abuzuar. Ne jemi të gatshëm të investohemi. Nëse ka kosto të tjera të shërbimit mjafton të bëhen me dije. Unë i referohem deklaratave që bëhen. Deri pardje unë nuk e kisha informacionin. Landfilli nuk është i asnjë bashkie. Është në pronësi të ministrisë. Është ndërtuar me fonde europiane. Nëse ka nevojë për diskutim duhet të bëhet me dije. Ne kemi marrë dy vendime nga asambleja ndërkomunale Bushat dhe një vendim i këshillit bashkiak në Tetor dhe që i jep të drejtë asamblesë për të rritur çmimin”, tha Ademi. /abcnews.al

SHKARKO APP