Fatmir Xhafaj, Pandeli Majko dhe Erjon Braçe nuk votuan ligjin e qeverisë Rama

Nga pak e përditë disa deputetë me integritet dhe që nuk kanë frikë SPAK (sepse janë korrekt me ligjin) po dalin kundër disa praktikave të kryeministrit Rama.

Ndonëse jo opozitë, porse oponencë bëjnë ndaj kryeministrit, duke i rritur kuotat e tyre në publik si njerëz me personalitet politik.

Në fakt kur kemi një opozitë jo solide dhe jo të besueshme, këta të tre (por po shtohen edhe disa të tjerë) po mbajnë lart parlamentin, sepse nuk thonë “Po” për gjithçka që synon kryeministri.

Ndërkohë të tre e treguan dinjitetin e tyre kur nuk votuan ligjin e qeverisë për kanabisin.

Kuvendi i Shqipërisë shqyrtoi për tre orë pas mesnate të premten dhe miratoi projektligjin “Për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së cannabis-it dhe prodhimit të nënprodukteve të tij për qëllime mjekësore dhe industriale”.

Ligji mori 69 vota pro, 23 kundër, 3 abstenime. Tre votat abstenuese u përkisnin deputetëve socialistë Fatmir Xhafaj, Pandeli Majko dhe Erjon Braçe.

Kundër këtij projektligji u shpreh gjatë fjalimit të tij edhe deputeti socialist Fatmir Xhafaj.

Ai kujtoi se kur ishte ministër i Punëve të Brendshme policia e ka luftuar fuqishëm kultivimin e narkotikëve dhe ai vet ishte luftuar nga shumë anë pikërisht për goditjen e kësaj dukurie.

“Gjatë atyre dy viteve Shqipëria ka regjistruar dy vitet me statistikat më minimale në kultivimin dhe trafikimin, e konfirmuar nga Guardia di Finanzia italiane”, tha zoti Xhafaj.

Ai tha se cannabis-i është i pranishëm midis shqiptarëve edhe pse është i paligjshëm, duke nisur nga përdorimi politik, që bëhej në Lazarat, e deri tek përdorimet financiare.

“A është gati shoqëria shqiptare për këtë projektligj me rreziqe të mëdha sociale? Mendoj se kjo është qasje e gabuar. Ky është një biznes që vret. Po ashtu vret besimin e njerëzve tek puna. Mendoj se është një hap i parakohshëm për Shqipërinë”, tha zoti Xhafa.

Opozita shprehu dyshime pse projektligji u miratua me shpejtësi në komisionet parlamentare nga socialistët, dhe nga ana tjetër nuk ka ndonjë studim mbi përfitimet që ka ekonomia e Shqipërisë në raport me rreziqet dhe pasojat sociale, shëndetësore dhe kriminale që sjell përdorimi i marihuanës.

SHKARKO APP