Xhafaj aludon Ramën: Përbuz shpifjet e komentet neveritëse të kujtdo

Ministri i Brendshëm, ende në detyrë, Fatmir Xhafaj ka bërë një tjetër reagim pas dorëheqjes së tij. Ai shkruan se dorëheqja është tërësisht me vullnetin e tij të lirë.

Sot nga Lushnja, kryeministri Rama tha duke i dhënë teserën një të riu socialist se “nuk mund te gjuash me gurë partinë tënde, ndaj nëse e bën një gjë të tillë duhet të ikësh”, që në Tiranë u përkthye si një koment ndaj Fatmir Xhafës. Ministri Xhafa kishte arrestuar dy ish-deputetë dhe hapi dosjen Dako, e cila krijoi panik te qeveria. Ndaj duket se reagimi i Fatmir Xhafaj ndaj kryeministrit përmblidhet me fjalët “Përbuz shpifjet e komentet neveritëse të kujtdo”

Postimi i ministrit Xhafaj në Twitter

Këto orë kam marrë me qindra mesazhe vlerësimi dhe respekti për punën e bërë, nga qytetarë të vendit tim, por edhe miq e partnerë me të cilët punova. Një pjesë e madhe nga socialistë, me të cilët kam bërë rrugë të gjatë në jetën time. Shumica dërrmuese e mesazheve nga njerëz të panjohur prej meje.

Ju jam sinqerisht mirënjohës për këto mesazhe inkurajuese. I siguroj të gjithë se dorëheqja ime është tërësisht me vullnetin tim të lirë dhe e bazuar në principe dhe vlera njerëzore e institucionale. Ajo është tërësisht respekt për veten, e për këto standarde të shenjta për mua.

Opozita me komentet për dorëheqjen time konfirmon edhe një herë degradimin e saj politik. Fatkeqësi për ata vete, por edhe për qytetarët. I sfidoj ata e cilindo, tanimë që nuk do të jem më Ministër të provojnë akuzat e bëra ndaj meje si Ministër.

Përbuz shpifjet e komentet neveritëse të kujtdo që nuk mund të kuptojë dot se ka edhe njerëz në politikë, që mund të jenë të lirë e vetvetja, në çfarë mendojnë e çfarë bëjnë. Ligësinë e pafytyrësinë e tyre thjesht e neveris me heshtjen time. Koha mbetet gjykatësi më i mirë për cilindo.

SHKARKO APP