Historia e KOHA JONE/Fatos Lubonja në nëntor 1995: Kundrejt të marrëve edhe Zoti është i pafuqishëm
(Botuar me 19 Nëntor 1995 në KOHA JONE)
Intervistë me Fatos Lubonjën
Pas 4 vjetësh rrugë drejt Europës, nëse do t’ju bëhej pyetja sa larg jemi, si do të përgjigjeshit ose si do ta masnit distancën me të?
Për ta matur distancën me Evropën ka teste të shumtë dhe sipas atyre testeve diku mund të dalësh më afër dhe diku më larg. Unë dëshiroj të shpalos një test që ka të bëjë me atë se sa respekt gëzon dhe sa vlen një personalitet i artit apo i letërsisë në shoqërinë shqiptare. Për këtë mjafton t’ju ftoj të shikoni nja dy gjëra në dukje të vogla. Po të shkoni në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve do të shihni në pragun e saj një mur i cili ka zaptuar trotuarin. Është një pamje tmerrësisht e shëmtuar jo vetëm për syrin e një artisti, por edhe të çdo qytetari që kalon aty pari, jo vetëm nga pikëpamja estetike, por edhe nga ajo funksionale. Ndërkaq shkrimtarët tanë të shqyer vazhdojnë të pinë kafe përditë rrëzë atij muri dhe ndjehen ngrohtë pasi janë mbështetur mu në shpinë të Qeverisë. Madje një pjesë syresh, me kryetarin e tyre të nderit në krye, duket se janë të dënuar përjetësisht si Sizifi të ngjisin lart portretin e çdo presidenti që të vijë në Shqipëri për t’i vënë pastaj shqelmin kur ai të bjerë nga pushtetit. Ose shikoni Galerinë e Arteve. Bënë peticion piktorët më të njohur të vendit për t’ua hequr kioskat rreth saj. Askush nuk ua vërshëlleu. E pra në Perëndim një protestë e artistëve apo shkrimtarëve më të mëdhenj jo vetëm që do të shkulte një mur apo disa kioska, por do të trondiste vendin. Jo vetëm në Perëndim, por thuhet se edhe në Rusinë Cariste në shekullin e 19, Cari kishte frikë vetëm një njeri, Tolstoin. Kurse këtu çdo funksionar i rëndomtë që ka dy vartës, pale sikur të ketë makinë dhe shofer, ndjehet sikur qëndron nja 7 shkallë më lart se më i njohuri i poetëve…
Ose le të jap një shembull tjetër: Në Hamburg kam asistuar në një demonstratë që organizuan banorët e një lagjeje vetëm pse Bashkia kishte dhënë leje të priteshin disa pemë të parkut bri banesave të tyre. Kurse këtu tek ne, çdo kopuk që ka pesë para dhe mund të blejë ndonjë pushtetar, ka për borxh të presë jo pemët e Tiranës, por edhe vetë Kullën e Sahatit dhe njerëzit të kalojnë indiferent përbri ashtu sikurse kalojnë indiferent përbri gropës nevojtore që la hapur Hajdin Sejdia, përbri trafikut të superngarkuar me makina rrangalla që helmojnë fëmijët e tyre, etj. Floberi thotë diku se figurat më të respektuara të një vendi janë artistët, priftërinjtë dhe luftëtarët. Dhe këtë e ka thënë në shekullin e 19-të. Kurse këtu tek ne, në fund të shekullit 20, njerëzit më të respektuar vazhdojnë të mbeten banditët, mashtruesit dhe policët. Ky është një nga testet për të treguar diferencën midis nesh dhe Evropës, i dashur mik.
Dhe si e shpjegoni këtë?
Në nivele sipërfaqësore kjo shpjegohet me dy gjëra që pjellin dhe ndihmojnë njëra tjetrën. Me një anë varfëria kulturore dhe shpirtërore që pjell politikanë të mbrapshtë dhe nga ana tjetër politikanët e mbrapshtë që pjellin varfëri shpirtërore dhe kulturore. Po të hysh më thellë është vërtet e vështirë të shpjegosh mungesën e përgjegjësisë shoqërore që ekziston në këtë vend. Thuhet se vetëm Perënditë dhe kafshët mund të jetojnë jashtë shoqërisë. Mua më duket se këta politikanët tanë, ashtu si bllokmenët e djeshëm, e pandehin veten si perëndi që jetojnë larg këtyre “kafshëve” apo që, me të mbaruar mandatin do të shkronjën të jetojnë diku në Evropë me paret që kanë grumbulluar nga ryshfetet. Ndryshe nuk kam si e shpjegoj njeriun e kulturës, Aleksandër Meksi, që firmos prishjen e parqeve të Tiranës pa u kujtuar asnjëherë se që të rritet një pemë nën hijen e të cilës do të prehen nipërit dhe stërnipërit e tij, duhen 20 vjet kurse një pallat ndërtohet edhe për 20 ditë. Ndërsa Berisha të jep menjëherë përshtypjen se gjithë ditën nuk mendon gjë tjetër vetëm si të ruajë pushtetin, sikur kjo është copa e luanit që gjakon të mos e lëshojë nga putrat, të tjerët mjaft që mos t’ia trazojnë atë llokmën i le ta shqyejnë nga të mundin trupin e Shqipërisë. Para 4 vjetësh doli nëpër mitingje duke na thënë se jemi të gjithë bashkëfajtorë, pasi kështu siguronte votat e atyre komunistëve të lodhur e të zhgënjyer, nga një regjim që i kishte tjetërsuar, sikurse edhe atë vetë. Kurse tani, pasi na ka zhgënjyer keqas, kthehet e krijon nëpërmjet një të ashtuquajturi ligj antigenocidist një atmosferë tensioni, urrejtjeje dhe përçarjeje midis shqiptarëve, pa menduar fare se në çfarë qorrsokaku po i fut njerëzit dhe energjitë e tyre, se çfarë pasojash ka kjo klimë për shëndetin e shoqërisë shqiptare; pa u merakosur fare se po përdhos edhe shpatën e drejtësisë e cila është shumë, po shumë fisnike dhe e lartë, për t’u përdorur për luftëra të ulëta politike.
Domethënë ndonëse i persekutuar rëndë familjarisht jeni kundër ligjit të gjenocidit?
-… Jam kundër pasi ai nuk ka të bëjë aspak me drejtësinë. Pretendohet se nëpërmjet këtij ligji do të ndalohet që të përsëritet e kaluara. Mirëpo çdo shqiptar që ka dy para mend e kupton se ky ligj nuk është tjetër veçse një vazhdim i po asaj të kaluare kur drejtësia përdorej për të eliminuar kundërshtarët politikë, kur politika ndërtohej mbi parimin përca dhe sundo, mbi dhunën fizike dhe psikologjike dhe mbi fshehjen e etjes për pushtet pas motivesh të tjera. E si mund të besojë një ish i burgosur se ky ligj bëhet që shpirti i tij të gjejë rehat kur sheh se ai e merr nismën nga një sekretar i stazhonuar partie, shpallet i kushtetueshëm nga një gjykatës që ka dënuar priftërinj me vdekje, mbështetet nga një shkrimtar si Kadareja që ka ushqyer me veprat e tij urrejtjen dhe përcmimin ndaj armikut të klasës që nga bejleresha Nurihan e deri tek politbyroisti pucist B. Apo nga Teodor Laco që figurën letrare më të paharruar ka një lopë të cilës personazhi negativ, kulaku i thotë : “Ha o lopë, ha, më mirë ti se sa ata”…!? Unë kam qenë dhe jam i mendimit se drejtësia ndaj krimeve të diktaturës për fat të keq nuk mund të realizohet. Ka shumë arsye për këtë, që ne të gjithë i ndjejmë, ndonëse nuk mund t’i artikulojmë dot të gjitha. Ndërsa ndër arsyet që kam renditur mund të përmend: faktin që kemi jetuar në një sistem mungese lirie, dhe në një farë kuptimi mungesë lirie do të thotë mungesë e përgjegjësisë për akte të kryera nën shtrëngim; faktin se përgjegjësitë kryesore kanë vdekur; faktin se Shqipëria përndryshe do të mbushej me burgje, sepse që të bësh drejtësi do të thotë të futësh cdo fajtor në burg dhe jo t’i përzgjedhësh ata vetëm në radhët e kundërshtarëve të sotëm politik… Konfliktin brenda vetes time midis ndjenjës së drejtësisë dhe pamundësisë për ta realizuar atë e kam zgjidhur duke anuar nga falja, por njëkohësisht duke shkruar dhe vazhduar të shkruaj për ato krime që të mos harrohen dhe të mos përsëriten. Respektoj cdokënd që është kundra këtyre argumentave duke u nisur nga një dashuri më e fortë se e imja për drejtësinë por jo ata që e përdorin drejtësinë sikur të ishte prostitutë. Personalisht do të ndjehesha shumë më i shpërblyer per vuajtjen time sikur ky bizantinizëm të merrte fund sesa duke parë pleq të rrëgjuar në bangot e të akuzuarve dhe fotografi kafkash nëpër gazeta. Është një skot gazetarësh që i ka rrëmbyer aq shumë zelli për t’i shërbyer padronit saqë nuk arrin të mendojnë se janë ata me atmosferën që krijojnë përditë në gazetat e tyre dhe në televizion, instrumenta që po e vënë në lëvizje këtë marrëzi. Në vend se të qajnë ditën për bombën që ju vu natën familjes së Nikoll Lesit, ata më mirë le të mendojnë natën kur përgatisin gazetat dhe emisionet televizive se cfarë përgjegjësie kanë për atë bombë. Shqiptarët po egërsohen gjithnjë e më shumë ndaj njëri tjetrit dhe nuk do të ndërtojnë dot një shoqëri dhe jetë normale po nuk u ndal kjo marrëzi akuzash dhe kundërakuzash genocidiste me të cilat po mbushen përditë kokat e tyre të coroditura.
-Dhe cfarë mund të bëhet për ta ndalur atë?
-Nuk e di. Në këtë cast më vjen të them vetëm se kundrejt të marrëve edhe Zoti është i pafuqishëm.
-Vazhdojnë t’ju akuzojnë nëpër gazeta si një ndër intelektualët që shan Shqipërinë me të huajt…
-Kjo është një propagandë tipike e stilit enverist – e përsëris enverist dhe jo komunist, pasi, kur mendojmë komunizmin kemi parasysh edhe internacionalizmin, kurse nacional-komunizmi enverist është surrogati më i keq i utopisë komuniste. Sipas shablloneve të asaj propagande, Shqipërinë e kishin halë në sy të gjithë; të huajt konsideroheshin armiq, madje të huajt e të gjithë botës, të Lindjes, të Perëndimit dhe jashtëtokësorët. Edhe vetë fjala “sharje”bën pjesë në arsenalin e asaj propagande e cila i drejtohej kryekëput emocioneve të njeriut injorant. Këtij njeriu injorant i drejtohen edhe ata që e përdorin sot duke harruar se stani i atyre që hanë bar pakësohet dita ditës. Një tipar tjetër i pseudopatriotëve në sulmet kundër meje dhe miqve të mij është shpifja dhe deformimi i faktit. Një shkarashkrues i një gazete enveriste që botohet në Zvicër, i mërzitur keq nga libri im i burgut, kishte arritur deri atje sa të kthentë kokëposhtë një thënien time në televizionin anglez. Ndaj pyetjes “a e dua Shqipërinë?”unë përgjigjesha se e dua Shqipërinë deri edhe tek burgu im, në kuptimin e vetëm se në këtë vend mund të ndjehemi si një pemë që ka lëshuar rrënjë dhe mund të bëjë kokrra, kurse gjetkë mund të shndërrohesha në një dru të thatë zjarri. Ai e kishte marrë dhe deformuar sikur kisha thënë se Shqipërinë e dua po aq sa burgun tim. Vini re se si puqen në stil enveristët e konvertuar dhe enveristët e pakonvertuar. Më tepër se cdo gjë mua më duket se kësaj skote pseudopatriotësh i shkon thënia “nacionalizmi është fundi i horrave”.
-Një artikull i juaji rrethi “shqiptarëve”dhe “kosovarëve”zgjoi shumë polemika këtu dhe në Kosovë. Mendoni se ka pasur keqkuptime apo keqinterpretime?
-Kjo është një pyetje së cilës dua t’i përgjigjem pak më shtruar meqenëse përvec akuzave të ardhura nga skota e shkarashkruesve të sipërpërmendur, rreth këtij artikulli kanë reaguar edhe njerëz seriozë të cilët i respektoj. Keqinterpretimi më i papranueshëm i artikullit është ai i motiveve që më kanë shtyrë ta shkruaj atë. Duhet të kesh syze tepër të deformuara nga pasione dhe komplekse gjithfarëshe për ta interpretuar atë artikull sikur është shkruar me qëllim përcarje. Aty thuhet shprehimisht: “të gjitha këto që përmenda dhe shumë të tjera ( e kam fjalën për diferencat) bisedohen nëpër rrethe të ngushta, tryezave të shtëpive apo kafeneve, komplekse dhe paragjykime gjithfarëshe. Ato, ashtu si plagë që nuk i rreh ajri dhe dielli, më shumë malcohen nga kjo praktikë sesa shërohen. Rrallë herë sheh ato të bëhen publike nga intelektualë shqiptarë dhe kosovarë. Akoma më rrallë i sheh të trajtohen me seriozitetin dhe urtësinë që meritojnë. Këtej nga Shqipëria nëpër shtyp flitet hapur vetëm për “vëllezërit kosovarë”, për “cështjen e Kosovës”, për “armikun e përbashkët serb”. Herë herë të duket sikur të dy palët duan dhe u leverdis të shikojnë tek njëri tjetri vetëm hijet e njëri tjetrit. Mirëpo të mos harrojmë se këto plagë, të mbështjella deri në marrje fryme nga retorika boshe mbi atdhedashurinë, janë përcaktuesit e vërtetë të dashurisë sonë ndaj njëri tjetrit ashtu sikurse komplekset e fshehura nën koshientë janë sunduesit e vërtetë të ndjenjave dhe veprimeve të njeriut…”. Më duket se këto radhë me të cilat mbyllet artikulli ka dashuri dhe shqetësim dhe jo dëshira përcarëse. Unë thjesht rrekem t’i kuptoj të dy palët duke shtuar mendimin se të dy palët kemi nevojë të njohim më mirë njëri tjetrin, nëse duam të kemi dashuri dhe mirkuptim të vërtetë dhe të qëndrueshëm ndaj njëri tjetrit. Në artikullin tim nuk flitet për diferencat në mënyrë të tillë që të vihet në dukje se cilët prej shqiptarëve të mirë dhe cilët të këqinj, kush ka të drejtë e kush gabim; atje nuk i jepet përparësi asnjërës palë, (sikurse bën akuzuesja ime, gazeta “Rilindja” e cila në faqet e saj ka shkruar se geni i vërtetë i shqiptarëve është në Kosovë). Po ashtu unë nuk them se kemi të bëjmë me dy degëzime që kanë tendencën të largohen nga njëra tjetra sikurse e interpreton Sabri Hamiti në një intervistë dhënë një gazetë shkaravinë si “Albania”që u flet shqiptarëve me gjuhën e policit dhe të inkuizitorit. Megjithatë nga njerëz më të urtë, që jetojnë vërtet me hallet e Shqipërisë, më ka ardhur vërejtja se edhe sikur të bëhet fjalë për diferenca nuk është mirë të flitet për to në kontekstin historik, politik e shoqëror ku ndodhemi. Kjo vërejtje më duket se e ngre vërtet një cështje problematike dhe do të doja t’i jepja përgjigje ashtu sic e mendoj. Pikësëpari dua të them se unë jam i mendimit se diferencat ekzistojnë. Këtë e mbështes jo vetëm duke u nisur nga shumëcka kam vërejtur dhe vërej në jetën e përditshme, një pjesë të cilave i kam evidentuar në artikullin tim dhe një pjesë jo, por edhe duke u nisur thjesht nga konceptimi i konformimit si një proces dinamik, cka do të thotë se fate të ndryshme përgjatë thuajse një shekulli nuk mund të mos lenë gjurmë në psikologji, mentalitet e kulturë, përgjatë këtij procesi. Koncepti i kombit sipas të cilit ai është një komunitet popujsh i ndërtuar historikisht e i stabilizuar, që ka dalë mbi bazën e një gjuhe, territori, jetë ekonomike, kulturore, natyrë fizike dhe se vetëm plotësimi i gjithë këtyre karakteristikave në të njëjtën kohë mund të përbëjë një komb, është koncepti stalinist për kombin dhe është i gabuar pasi nuk lë hapësirë për ta parë konformimin si një dinamikë. Popujt kanë qenë dhe janë në formim dhe evoluim. Kështu kanë qenë edhe shqiptarët, të cilëve sipas babait të nacionalizmit shqiptar Mithat Frashëri, më 1912 u dilte detyra që nga një grumbuj fisesh të krijonin një komb. Tani le të vijmë tek cështja a duhet folur apo jo për këto. Fakti është se ne jemi të dy palët, si andej dhe këtej kufirit politik, të frustruar dhe kompleksuar rëndë. Në Kosovë kryesisht për shkak të shtypjes serbe. Në Shqipëri për shkak të varfërisë, për shkak të plagëve të rënda psikologjike e sociale që ka lënë diktatura enveriste dhe paaftësisë së politikanëve që drejtojnë sot jetën e vendit. Kjo bën që të ekzistojë, madje dhe të shfaqet rreziku i projektimit të komplekseve, urrejtjes dhe agresivitetit të akumuluar brenda nesh tek njëri tjetri, pasi gjithmonë për të shkarkuar komplekset e inferioritetit gjendet një më i dobët dhe një më i afërt. Kështu që kur dikush fillon e flet për diferencat kjo mbart rrezikun që vetë e folura të shndërrohet në instrumentin e parë të shpërthimit të këtij agresiviteti, pra të nxisë një proces të shfryrjes së urrejtjes dhe projektimit të fajit tek njëri tjetri. Mirëpo nga ana tjetër edhe ruajtja e një uniteti në nivelet e dukjes na ka treguar se është një punë tejet e dëmshme. Mund të sjellë shumë shembuj nga historia për ta ilustruar këtë, por po mjaftohem me përmendjen e faktit se Enver Hoxha foli tërë jetën për unitetin e partisë me popullin… Pasojat dihen. Shqiptarët këtej kufirit janë sot më të përcarë se kurrë, pasi, mendoj, ashtu kanë qenë edhe dje kur në dukje ruhej uniteti. Prandaj, pyetjes nëse duhet folur për diferenca apo jo unë i përgjigjem se duhet folur. Cështja pastaj shtrohet se si duhet folur. Mund të flitet për to duke u nisur nga dashuria dhe shqetësimi për kombin, sic kujtoj se kam shkruar vetë; mund të shkruash për to duke u nisur nga nevoja psikologjike për të shkarkuar agresivitetin – dhe kjo është tepër e rrezikshme; por mund të shkruash edhe duke dashur të shfrytëzosh komplekset e një pjese ndaj tjetrës për qëllime studimi politik – sic më duket se kanë shkruar shkarashkruesit mercenarë të qeverisë që më kanë sulmuar mua në shtypin shqiptar. Dhe kjo, për mendimin tim, është forma më e rrezikshme.
-A mendoni se politika e Berishës ndaj zgjidhjes së problemit të Kosovës është e drejtë dhe si e shihni ju perspektivën e saj?
-Unë mendoj se politika e Berishës – dhe jo vetëm e tij – për zgjidhjen e problemit të Kosovës është një përzierje diletanteske e dy pragmatizmave që në thelb dëmtojnë dhe asgjësojnë njëri tjetrin: atij pragmatizmi që synon të përdorë për qëllime pushteti emocionet naive të nacionalizmit primitiv të shqiptarëve dhe atij pragmatizmi që ka gjithherë parasysh qëndrimin e fuqive të mëdha për cështjen e Kosovës. Rezultati është një inkoherencë dhe një dyzim tragjik. Njëra pamje e këtij dyzimi është prirja jonë për ta mbajtur gjallë një retorikë boshe politike mbi ëndrrën e bashkimit: pamja tjetër është nënshtrimi absolut, deri servil, ndaj vullnetit të të huajve rreth cështjes së këtij bashkimi. Në mes të këtyre dy pragmatizmave që, në thelb, sipas mendimit tim, i shërbejnë mbajtjes së pushtetit nga klane të caktuara politike dhe jo cështjes shqiptare, më duket se ka një terren të madh të lënë djerrë dhe ky, sipas meje është bash ai ku duhet të zhvillohet politika jonë jo për pushtetin, por për shqiptarët. Mua më duket se ajo cka ndodh me politikën tonë lidhur me Kosovën – dhe jo vetëm këtu në Shqipëri, por edhe në Kosovë – është dicka që të kujton anekdodën e asaj plakës që kishte humbur unazën dhe e kërkonte nën një llampadar pasi aty kishte dritë, ndërkohë që e kishte humbur diku tjetër në errësirë. Është më komode të kërkosh në dritë, por puna është të hedhësh dritë dhe të kërkosh aty ku ke gjënë e humbur. Shkurt mund të them se lidhur me cështjen e Kosovës unë jam për një politikë që, pa humbur vizionet e largëta, të mbështetet më shumë mbi idenë i Isaiah Berlinit se “ndryshe nga sa mendohet zakonisht koha jonë ka nevojë për më pak pasion mesianik dhe për më shumë skepticizëm të iluminuar… për t’u dhënë më shumë rëndësi masave adhoc që synojnë arritjen e qëllimeve në një të ardhme të parashikueshme”.
-Jemi në prag të fushatës elektorale. Ka zëra që thonë se Shqipëria është në hall me demokratët dhe në hall do të bjerë me socialistët. Ju, pa pasion, kë do të zgjidhnit?
-Mendoj se pasioni është i nevojshëm për të vënë në lëvizje njeriun në një kah apo në një kah tjetër. Përndryshe ai mund të gjendet në pozitën e gomarit të Buridanit i cili ngordhi ngaqë i ndodhur në mes të një thesi me tërshërë dhe një kovë me ujë nuk dinte nga të shkonte. E njëjta gjë mund të thuhet edhe kur njeriu ndodhet midis dy të këqijave. Ai duhet të zgjedhë të keqen më të vogël, normalisht ai ka prirjen të ikë nga e keqja imediate. Mund të bjerë edhe në breshër, por pajtimi me një të keqe është punë më e ligë se sa përpjekja për të shpëtuar prej saj. Nga kjo pikpamje unë mendoj se duhet të clirohemi nga e keqja që na ka zënë. Madje do të thoja se kjo është në të mirë edhe të ekipit të vetë Berishës. Unë shoh se ajo thënia e vjetër “humnera ndjell humnerën” që tregon se pse komunistët kaluan nga krimi në krim, nga përcudnimi në përcudnim, po bëhet gjithnjë e më kuptimplotë edhe për ekipin e Berishës. Sikur ata të mbeten në pushtet edhe 5 vjet të tjera nuk di se ku do të kenë shkuar vetë dhe ku do ta kenë cuar Shqipërinë. Nuk është e rastit që ata më të mencurit dhe më të përgjegjshmit e PD e kanë braktisur me radhë anijen e Berishës. Them se një politikë e PS e dominuar në njerëz të rinj, energjikë dhe me frymë perëndimore, në koalicion me partitë e qendrës, që nuk do të përmbyste cdo gjë që ka bërë PD, por vetëm do të korigjonte gjërat më flagrante, do të ishte më e mirë se sa vazhdimi i kësaj politike që po bëhet gjithnjë e më e papërgjegjshme. Ky është gjykimi im i shtytur nga pasioni i atij që kërkon që gjërat të ndryshojnë.
-Dhe me gjakftohtësinë e një analisti që i sheh gjërat ng jashtë apo nga një kohë tjetër, cfarë do të thoni?
-Do të thoja se ajo cka mund ta karakterizojë situatën shqiptare në këtë periudhë të egër tranzicioni të pafund, në thelbin e saj, është pikërisht kontradikta midis një tendence që ka shoqëria shqiptare të strukturohet sipas shtretërve dhe degëzimeve të vjetra dhe tendencës për të krijuar shtretër të rinj. Pesimistët vënë re më shumë tendencën e parë dhe së bashku me opozitën, bashkohen në thirrjen kundër rrezikut të një neodiktature apo neototalitarizmi. Optimistët bashkohen me lajkatarët e pozitës në shprehjet me entuziazëm për arritjet demokratike. Të dy palët mendoj se thonë një pjesë të së vërtetës. Po të vesh re sot jetën politiko-shoqërore të vendit do të gjesh tendencën e partisë në pushtet për të vendosur ekskluzivisht në jetën politike dhe për të ruajtur stabilitetin dhe autoritetin nëpërmjet ushtrimit të dhunës, por dhe një aktiviteti të gjallë politik të partive opozitare. Sot do të gjesh burgosje dhe kërcënime gazetarësh e politikanësh, deri vënie tritoli në dyert e shtëpive të tyre, por edhe një kurajo qytetare që s’ka ekzistuar kurrë më parë në shoqërinë shqiptare. Sot do të shohësh një televizion që s’i lë hapësirë thuajse fare partive të tjera politike, por edhe një shtyp opozitar që shitet më shumë se cdo gjë tjetër. Kush do ta fitojë luftën midis këtyre dy tendencave? As njëra, as tjetra do të thoja. Nëqoftëse me “crrënjosje të komunizmit” nuk do të kuptojmë propagandën banale të PD nën këtë moto, as pretendimet e atyre që thonë se Berisha apo Meksi kanë qenë komunistë, por zhdukjen e asaj mundësie, ndërrimin e asaj mënyre jetese, të atyre konditave ekonomike, sociale dhe kulturore që ushqejnë autoritarizmin në Shqipëri, atëherë mund të themi se kjo luftë do të vazhdojë gjatë dhe ashtu si individi me një sëmundje kronike, edhe shoqëria shqiptare do të jetë e detyruar të jetojë gjatë në simbiozë me të, domethënë deri atëherë kur shqiptarët do të jenë pasuruar dhe kulturuar, ashtu dhe aq sa të mund të quhen vërtet qytetarë të lirë të një shteti vërtet demokratik.
Intervistoi A.Shkullaku