Fatos Lubonja: Ne shqiptarët dhe kosovarët, ne kosovarët dhe shqiptarët

(Botuar me 4 Qershor 1995 në KOHA JONE)
Nga Fatos Lubonja-

Para ca kohësh kam takuar në një nga kryeqytetet e Evropës një intelektual kosovar i cili, teksa bisedonim mbi problemet e mëdha të Shqipërisë dhe Kosovës, në një çast, pa e prishur pamjen e mirësjelljes dhe respektit reciprok që karakterizonte bisedën, si duke qeshur, më tha: “Ne po vijmë t’ju pushtojmë një herë, pastaj shohim e bëjmë…” E kishte fjalën se ne shqiptarëve të Shqipërisë mëmë na mungonte patriotizmi, prandaj e meritonim që kosovarët të na bënin “një pushtim atdhetar” që do ta shpëtonte kombin nga gjendja ku e kishim çuar ne me atë rasbitjen tonë deri në neveri për vendin dhe me atë gatishmëri për ta bjerrë identitetin kombëtar në favor të një identiteti prej skllavi në Perëndim. Humori i tij cinik, i mpleksur me atë ndjenjën e superioritetit që jepte ndjenja e lartë patriotike, më la mua, shqiptarit të këtej kufirit, një shije disi të hidhur, dhe më ngërmoi t’i përgjigjesha duke i treguar historinë e një grupi djemsh kosovar që kishin dezertuar nga ushtria serbe dhe që erdhën në territorin e Shqipërisë me ndjenja të forta patriotike, por që të ndeshur me vështirësitë e mëdha ekonomike dhe me shumë komplikime të tjera, u armiqësuan ashtu dhe aq me qytetarët e Elbasanit sa arritën të bëjnë grevë urie për të kërkuar largimin nga Shqipëria për në Evropë…
Prej atij momenti biseda sikur u këput në mes duke më lënë një shije të hidhur moskuptimi që m’u bë se kishte qenë e pranishme gjatë gjithë kohës, por e fshehur nën mirësjelljen dhe dashamirësinë e jashtme. Ajo shije moskuptimi më është kthyer e rikthyer nëpër mend sa herë më ka rastisur të mendoj dhe bisedoj rreth marrëdhënieve shqiptar-kosovar dhe veçanërisht sa herë ndonjë gazetar i huaj më ka drejtuar pyetjen: “A janë të gatshëm shqiptarët të luftojnë përkrah kosovarëve në rastin e hapjes së një lufte me Serbinë?” Në Gjermaninë e bashkuar qarkullon një anekdotë tashmë e njohur botërisht. Një Lindor takon një Perëndimor dhe i thotë: “Hello, tani u bëmë një popull”. Kurse perëndimori i përgjigjet: “Edhe ne po ashtu”. Prapa këtij humori qëndron një e vërtetë e hidhur; ajo se kur një popull e ndan historia më dysh ai bëhet dy popuj dhe se, edhe në u arriftë bashkimi gjeografik i tyre, ky do të jetë larg atij bashkimi që ndërton unitetin e vërtetë të një kombi. Pas ndarjes së gjatë 50-vjeçare, gati plotësisht izoluese, ne, shqiptarëve dhe kosovarëve, na u dha mundësia e kontakteve. Përshtypja ime është se dashuria platonike e ushqyer për 50 vjet sikur është kthyer në një fejesë më shumë zhgënjyese se sa premtuese. Retorikat mbi solidaritetin për çështjen e madhe të kombit, dashurinë për Kosovën dhe Shqipërinë, mbi bashkimin, duket sikur janë bërë gjithnjë e më formale, gjithnjë e më shumë vegla të politikanëve në luftërat politike ndërkohë që, thellë-thellë, si popuj, ndihemi larg, jo rrallë edhe plot dyshime dhe mosbesim të ndërsjellë. Mua më duket se ka ardhur koha që të dy palët të ndeshemi më ballazi me problemin e këtij hendeku mjaft të thellë shpirtëror, kulturor e psikologjik që na ndan dhe që nuk premton një martesë të lumtur edhe sikur kjo të realizohet. Filozofi Frank Pol Riceur, kur flet për rrugët e afrimit të popujve të ndryshëm sugjeron tri gjëra: njohjen e kulturave të njëri-tjetrit, rivlerësimin me sy kritik të historisë së njëri tjetrit, si dhe faljen e mëkateve ndaj njëri tjetrit. Ne nuk jemi tamam dy popuj të ndryshëm, por më duket se nuk jemi as tamam një popull i vetëm, prandaj edhe sugjerimi i Riceurit më duket se na përshtatet disi, ndofta përgjysmë. Ne vërtet s’kemi mëkate për t’i falur njëri tjetrit, të paktën nga ato të mëdhatë, që lënë vulë mbi ndërgjegjet kolektive, vërtet kemi dhe shumë gjëra të përbashkëta, veçanërisht gjuhën dhe shekujt e errët kur bënin pjesë në Perandorinë Otomane, por, qysh kur u formua shteti shqiptar, historia na ka ndarë në dysh duke na përplasur me fate të ndryshme herë-herë edhe të përkundërta duke bërë që, si para Luftës së Dytë Botërore, ashtu edhe pas saj, të mos kemi pasur shumë kohë të merremi e të komunikojmë me njëri tjetrin e të njohim vërtet njëri tjetrin. Konstante e përhershme e ndryshimit ka qenë se ne të dheut mëmë kemi qenë të zënë më shumë me problemin e sundimit të njëri tjetrit dhe të çlirimit nga njëri tjetri, kurse kosovarët me çështjen e çlirimit nga dominimi serb. Le të përpiqem të ilustroj pa kërkuar gjatë, se si shfaqet kjo konstante gjatë 50 vjetëve që sapo i lamë prapa e në vazhdim: Kosovarët e donin vendin Shqipëri sepse atje shikonin nënën e tyre nga e cila ishin ndarë me përdhunë; shqiptarët filluan ta urrejnë, pasi i rrethuar me tela me gjemba, ai u shëmbëllente më shumë si një kamp përqendrimi. Kosovarët kishin mundësi të dilnin jashtë shtetit dhe kjo eksperiencë i zhveshi nga ëndrrat e tokës së premtuar; shqiptarët e izoluar digjeshin për të parë botë. Kosovarët e shikonin Enver Hoxhën si simbolin e Shqipërisë, madje shumë prej tyre u bënë edhe marksistë-leninistë për këtë arsye; shqiptarët e urrenin sepse ishte simboli i së keqes që i kishte pushtuar. Kosovarët, të lodhur nga serbët, digjeshin nga malli për shqiptarët; shqiptarët thoshin se të keqen më të madhe e provuan kur mbetën thjesht dhe vetëm në duart e shqiptarëve. Kosovarët përmalloheshin kur dëgjonin këngë popullore; shqiptarëve ato u kishin ardhur në majë të hundës pasi s’dëgjonin tjetër muzikë në Radion dhe Televizionin Shqiptar… Këta dy lloj shqiptarësh pas vitit 90 u takuan për herë të parë me njëri tjetrin nëpër Evropë pas ngjarjes së Ambasadave dhe eksodeve masive, edhe filluan të grindeshin: Emigrantët kosovarë, të lektisur për dheun mëmë i qortonin ikanakët shqiptarë se i lanë vendin, kurse këta ja kthenin se nuk donin t’ia shihnin bojën atij Atdheu të mallkuar ku s’kishin parë tjetër veçse vuajtje. Një pjesë e mirë e kosovarëve nuk mund të duronin që t’u shahej Enveri kurse këta e shanin me fjalët më të ndyra… Pas hapjes së Shqipërisë këtij problemi të jashtë kufijve ju shtuan edhe ato të brenda kufijve. Shumë intelektualë shqiptarë, që shumëçka nga e keqja që e kishte pllakosur Shqipërinë e gjenin tek tradita myslimane e që bënin thirrje, thuajse hapur, për kthim në fenë e të parëve, mbetën të zhgënjyer kur shkuan në Kosovë dhe panë se atje myslimanizmi kishte rrënjë aq të thella… Po ende kosovarët, që e njihnin shumë mirë psikologjinë e kapitalit e që erdhën në Shqipëri jo thjesht me dashuri platonike, por me mendimin se do të investonin një markë për të fituar dy, ranë shpejt në konflikt me shqiptarët e varfër të cilëve ju krijua përshtypja se ata po vinin t’i mashtronin e t’i dominonin në tokën e tyre, t’i kthenin në shërbëtorë. Dukej se shqiptarët ishin më të gatshëm të bëheshin shërbëtorë të italianëve, gjermanëve dhe amerikanëve, sesa të kosovarëve. Rasti i Hajdin Sejdisë i cili u voli shqiptarëve dollarët e grumbulluara me aq mund, e acaroi në ekstrem për ca kohë krizën e mosbesimin midis shqiptarëve dhe kosovarëve… po ende, në jetën politike, reja e konfliktit Veri-Jug, e cila herë zbehet dhe herë zymtësohet në qiellin e psikikës së shqiptarëve, i ka veshur kosovarët, veçanërisht në mendjen e jugorëve me dijen e frikshme të aleatit të revanshizmit verior… Të gjitha këto që përmenda dhe shumë të tjera bisedohen nëpër rrethe të ngushta, tryezave të shtëpive apo kafeneve, duke ushqyer komplekse dhe paragjykime gjithfarëshe. Ato, ashtu si plagët që nuk i rreh ajri dhe dielli, më shumë malcohen nga kjo praktikë se sa shërohen. Rrallë herë i sheh ato të bëhen publike nga intelektualët shqiptarë dhe kosovarë. Akoma më rrallë i sheh të trajtohen me seriozitetin dhe urtësinë që meritojnë. Këtej nga Shqipëria nëpër shtyp flitet hapur vetëm për “vëllezërit kosovarë”, për “çështjen e Kosovës”, për “armikun e përbashkët serb”. Herë-herë të duket sikur të dy palët duan dhe u leverdis të shikojnë tek njëri-tjetri vetëm hijet e njëri tjetrit. Mirëpo, le të mos harrojmë se këto plagë, të mbështjella deri në marrjen frymë nga retorika boshe mbi atdhedashurinë, janë përcaktuesit e vërtetë të dashurisë sonë ndaj njëri tjetrit, ashtu sikurse komplekset e fshehura në inkoshientë janë sunduesit e vërtetë të ndjenjave dhe veprimeve të njeriut…
Fatos T. Lubonja

SHKARKO APP