Fatos Nano :”Unë drekë me Ramën? Epo qenka lajm serioz!“

 

Mediat online dje ishin të mbushura me lajmin se kryeministri Rama është takuar me Fatos Nanon në kryeministri fill pas  humbjes së disa bashkive nga LSI dhe ftohjes së Ilir Metës me Ramën. Madje shkohej deri atje sa thuhej se  pazari i kërkuar nga kryeministri Rama ndaj ish-kryeministrit dhe ish-kryetarit të PS, Nano  ishte që “ të mos përzihej në konfliktet e mundshme mes tij dhe Metës”.  Pra, të mos kalonte me LSI.

Dje reagoi shkurt edhe keshilltari kryesor i Kryeministrit Endri Fuga. Ai tha se “Tani po e lexoj dhe unë lajmin ! Është lajm absurd”. Por Fatos Nano i pyetur nga mediat ka thënë me ironinë e tij të përhershme se “Ky është një lajm  serioz, por kur paska filluar media të merret me gjëra serioze?!”. Dhe më ka shtuar se “unë jam me pushime serioze!”.

Përtej batutave të ish-kryeministrit nga përgjigja duket se Nano po i lëshon një sinjal kryeministrit Rama, gjithnjë edhe nëse nuk ka ndodhur dreka e fshehtë siç thonë burimet pranë PS-së. Ndërsa në këtë zallamahi të nxehti dhe hamendjesh duhet të ketë një të vertetë të madhe për ftohje dhe moskomunikim mes Ramës e Metës përderisa po të mos kishte realisht të verteta fare mirë ata të dy mund të gjenin kohë të dilnin bashkë në publik apo media, sa për të hedhur poshtë fjalët që qarkullojnë. Ata janë përqafuar edhe kot se koti sa për të thënë se jemi Një, dikur.

Ndërkohë dje LSI (Meta) nxori Petrit Vasilin, kryetarin e grupit parlamentar dhe me një dozë të lehtë helmi, jo vdekjeprurës,ai  e mësoi qeverinë (pra Ramën) se si duhet të mbledhë taksat e jo t’i shtojë. A janë në një Qeveri PS dhe LSI ?!

Dozë e hapur ftohje mes dy kryesorëve të mazhorancës, por nuk dihet se për çfarë po luhet. Publiku nuk e ka mësuar se pse nuk  flasin me njëri tjetrin Rama dhe Meta, por nxjerrin në konferenca shtypi  vartësit për të lëshuar shigjeta helmi, ndonëse siç thamë, akoma nuk janë vdekjeprurëse. PS po tregohet më e matur me këto shigjeta të LSI dhe po rri e vështron se deri ku do të shkojë Meta. Nga ana tjetër PD ka gjetur “shesh për përshesh” dhe po sulmon fort pikërisht Ilir Metën. Për të krijuar diversion në të majtën shqiptare se mund të ketë një qeverisje PS-PD , pra më bazë të gjerë ose siç e quante sot një gazetë “ koalicion me b… të gjerë !”.

Kjo nuk besohet të ndodhë, sepse Edi Rama, është lojtar jo vetëm basketbolli, porse ka mësuar të luajë edhe futboll. Nuk ka asnjë interes PS të shkojë në zgjedhje të parakohshme ndaj janë spekullime fjalët e hapura si me marifet nga sejmenë të selisë rozë për të bërë presion ndaj LSI se “mund të shkojmë dhe në zgjedhje të parakohshme”. Edi Rama mund të fitojë pikë tek ndërkombëtarët , por në realitetin shqiptar, ku ende mbi 50 përqind e popullsisë është ende në “epokën e gurit” dhe nuk  përcepton lëvizjet europiane,por mbajnë nën jastek akoma sëpatën për prerje drush nuk të kuptojnë. Ndaj kryeministri mund të marrë më shumë deputetë nëse shkon në zgjedhje të parakohshme, por prapë jo numrin 71 deputetë. Dhe prapë LSI do të jetë qeveriformuese. Nisur nga të gjitha këto kryeministri ka në dorë një gjë më të fortë se Ilir Meta; të ndryshojë qeverinë në mënyrë urgjente dhe fiton pikë edhe tek ai 50 qind popullsie që thamë rri “ me sepatë në dorë”.

Fatos Nano nuk është kaq plak sa thonë nëpër kafene. Ai është “ujk” dhe ujku edhe një dhëmbë në gojë po pati, të kafshon. Plus kësaj që në PS nuk ka ndonjë situatë për t’u patur zili; ka deputetë që flasin nëpër qoshe kundër Edi Ramës, por ndër dhëmbë,çka do të thotë se po iu doli në derë ndonjë kofshë e Ramës e hanë me gjithë kocka. Apo nuk ka kofshë Edi !

Gjithsesi Ilir Meta, atje në Gjirin e Lalzit rri, por nuk është në plazh siç thonë. Takon njërëz, deputetë, lojtarë politikë dhe diçka po bluan, ndonëse thotë “me qetësi e dashuri!”. Me “dashuri”, por nëse futet në fushë për duel, ndonëse ka rënie në peshë, por pesha i ka shkuar tek dhembët që të kafshon e jo si deputetët e PS-së kofshën e Edit, por është hipopotam në gëlltitje politike!

“Jam me pushime serioze!”- tha Fatos Nano dhe nga dje i ka lenë pushimet. Po kërkon të futet në lojë. Varet se sa e thellë është krisja mes Ramës e Metës, pasi nëse është e çarë e vogël nuk futet dot Nano, aq më tepër që kohët e fundit ka vënë më shumë bark. Por nëse dyshja Rama –Meta vazhdon  njeri “thumbit e tjetri patkoit”, atëhere ai është në lojë e luan bukur.

“Jam me pushime serioze!”- tha Nano.

(Nga Spiten-Prull)

 

SHKARKO APP