Faturë në gjuhë të huaj, Denaj: Zero tolerancë ndaj abuzuesve
Ecuria me kuponin është shumë pozitive në të gjithë vendin, po ka ende plot tregtarë që duan të rrezikojnë me pasojat”, deklaroi sot ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj e cila zhvilloi një inspektim në bizneset në Himarë në kuadrin e operacionit kundër informalitetit. Ajo falenderoi çdo qytetar që denoncon, çdo rast të mos lëshimit të kuponit tatimor. “Së shpejti gati do të jetë edhe aplikacioni për smartfonët në mënyrë, që së bashku ta bëjmë të papërmbajtshëm sulmin me zero tolerancë ndaj abuzuesve”, theksoi Denaj .
Ministrja tha se fatura e cila është dhe në gjuhë të huaj, pra nuk është një faturë as e prodhuar në Shqipëri, ka çmime përtej artikujve dhe argumenti i menaxherit të restorantit, i cili thotë që përdoret për menaxhim të brendshëm, nuk është një argument i cili pranohet, jo vetëm nga rregullat por edhe nga fakti që fatura e denoncuar është me çmime dhe qytetari ka denoncuar faktin që nuk ju soll kuponi tatimor.
“Në radhë të parë faleminderit për denoncimin. Kërkoj edhe një herë që këtë denoncim ta bëjnë në të gjitha mënyrat, qoftë në rrjetet sociale, në Facebook, por edhe tek aplikacioni i ri Stop Informalitetit, cili do të jetë këtë fundjavë i përdorshëm për të gjithë dhe mbi të gjitha i kërkojmë të gjithë bizneseve të heqin dorë nga ekzistenca e kuponëve të tjerë. Në çfarëdo lloj gjuhe të jenë ato fatura nuk do të zëvendësojnë kurrë faturën tatimore. Është shumë e rëndësishme që biznese të cilët kanë shkelje të mëparshme në sistemin tatimor të mos përdorin më këto fatura, pasi janë në monitorim dhe do jemi çdo javë këtu për të kuptuar nëse ka ndryshuar sjellje dhe janë futur në rrugën e ligjit, apo do të vendosim masa deri tek ato më ekstreme në bllokim. Edhe njëherë kërkojmë të mos arrijmë në këtë situatë. Kërkojmë që bizneset në të gjithë sektorët edhe të hotelerisë dhe të turizmit në aspektin e restoranteve dhe bareve, të kenë mundësi të respektojnë ligjin 100%. Njëkohësisht është kërkuar që të inspektohet edhe gjatë natës. Ju do të jeni sot dhe në ditët në vijim, deri në fundjavë dhe do të përsërisni atë në frekuencën tuaj”, u shpreh Denaj.
Ministrja bashkëbisedoi edhe me inspektorin e tatimeve të zonës, të cilin e pyeti sesa inspektime janë kryer në zonën e Himarës dhe kush janë rezultatet e deritanishme. “Domethënë, ne në ditët që kryejmë inspektimet, bëjmë 6 deri në 8 inspektime në ditë. Domethënë, gjithmonë kur ka problematika inspektimet bëhen në cilësinë e bllokimit. Pjesa më e madhe tani është formalizuar me lëshimin e kuponit, me punonjësit, me deklarimet me të gjitha, po ka dhe vende që ka probleme si nga Booking që kanë godina të paregjistruara”, tha inspektori.
Ministrja pyeti nëse inspektimet “ende vazhdojnë? Po ndërkohë ju keni parë një ndërgjegjësim të rritur? Domethënë shikoni nga njëra herë që vini në tjetrën që ka përmirësim?”. “Po, nga java e kaluar në këtë javë dhe xhiro ditore, se ne kontrollojmë dhe xhiron ditore, është goxha në rritje dhe numri i punonjëseve në shtim. Xhiron ditore e shikojmë nga sistemi”, u përgjigj inspektori.
“Po dhomat i kontrolloni në raport me vendosjen e një transparence me listën e çmimeve dhe atë të reflektuar te kuponi”, pyeti më tej ministrja Denaj.
“Po, po. Dhomat jo që kontrollohen me listën e çmimeve, po kontrollohen dhe deklarimet. Subjekti mund të thotë që kam pesë dhoma të zëna, kontrollohen dhomat e lira, nëse janë vërtetë të lira apo jo. Kontrolli bëhet i imtësishëm në pjesën e dhomave, tek të gjitha edhe tek punonjësit”, tha inspektori.
Ministrja pyeti nëse “kanë evidenca të shkeljeve në rajonin e Himarës, në zonën e Himarës?”.
Inspektori u shpreh se, “kemi pak a shumë në lidhje me subjektet e paregjistruara, domethënë që vazhdojnë akoma. Gjatë javës që kaloi unë kam bërë tre bllokime të subjekteve të paregjistruara dhe vazhdojmë akoma kontrollin”.