Fauci nxit amerikanët të bëjnë dozën përforcuese të vaksinës
Eksperti kryesor për sëmundjet infektive në Shtetet e Bashkuara u bëri thirrje të dielën miliona amerikanëve që janë plotësisht të vaksinuar kundër COVID-19 të bëjnë dozat përforcuese “për të rritur mbrojtjen” ndaj virusit.
Deri më sot, 34.5 milionë nga 196 milionë persona të vaksinuar plotësisht në Shtetet e Bashkuara kanë marrë dozat përforcuese, sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), megjithëse rreth 60 milionë vetë mbeten të pavaksinuar.
Dr. Anthony Fauci, drejtor i Institutit Kombëtar për Alergjitë dhe Sëmundjet Infektive dhe këshilltari kryesor shëndetësor i Presidentit Joe Biden, tha për emisionin “This Week” të televizionit ABC, se “nuk ka mungesë qartësie” në lidhje me nevojën për doza përforcuese për shkak të rënies së efektivitetit të vaksinave të para me kalimin e kohës.
Ai tha se dozat e treta u japin njerëzve “qëndrueshmëri më të madhe”, megjithëse nuk është e qartë nëse ata që janë vaksinuar mund të vazhdojnë të kenë nevojë për vaksina përforcuese çdo gjashtë muaj ose çdo vit në të ardhmen.
“Ne do të shohim se çfarë do të thotë ta marrësh këtë dozë përforcuese, do të ndjekim shkencën, do të ndjekim të dhënat,” tha dr. Fauci në një intervistë tjetër për CNN-in.
Një panel këshillues i CDC-së të premten votoi njëzëri për të vënë në dispozicion vaksinat përforcuese të vaksinës COVID-19 për të gjithë ata që janë 18 vjeç e lart.
Numri i rasteve të reja është përsëri në rritje në SHBA, me më shumë se 90,000 raste të reja të regjistruara çdo ditë së fundmi. Dr. Fauci tha se kjo rritje nuk ishte e papritur me rënien e temperaturave me afrimin e dimrit dhe ndërsa më shumë njerëz rrinë brenda shtëpive të tyre.
Por ai tha se familjet dhe miqtë e vaksinuar plotësisht mund të mblidhen së bashku për festën e Ditës së Falënderimeve këtë të enjte dhe nuk kanë nevojë të mbajnë maska.
“Mund ta shijoni me hare festën e Falënderimeve këtë vit,” tha ai. “Gëzojeni sezonin e pushimeve me familjen tuaj.”/VOA