Favorizoi lirimin e Hekuran Billës, ILD kërkon shkarkimin e prokurorit të Krujës
Pas gjyqtares Enkeleda Hoxha, Inspektori i Lartë i Drejtësisë kërkon edhe shkarkimin e prokurorit të Krujës, Bujar Memia.
ILD i është drejtuar Këshillit të Lartë të Prokurorisë me një shkresë, ku kërkon shkarkimin e prokurorit.
Sipas ILD, Memia ka favorizuar lirimin e të dënuarit me burgim të përjeshtshëm Hekuran Billa, i cili disa muaj pasi fitoi lirinë u ekzekutua në një atentat në zonën e “Komunës së Parisit”, në Tiranë.
Sakaq, nuk është shqyrtuar ende kërkesa për shkarkim e gjyqtares Hoxha, ku në mbledhjen e së premtes seanca u shty, për të dytën herë pasi gjyqtarja kërkoi më shumë kohë për tu njohur me çështjen.
Që prej ngritjes si institucion ILD-së i është pranuar kërkesa për shkarkimin e gjyqtarit të Korçës, Markeljan Kuqo, ndërsa për një prokurore i është refuzuar masa e tërheqjes së vëmendjes.
Kush ishte Hekuran Billa?
Hekuran Billa, i cili u vra mbrëmjen e 11 qershorit 2020 në Tiranë ka qenë i dënuar në Britani për vrasjen e Prel Markut.
Një vit para vrasjes ai ishte liruar nga burgu i Krujës në rrethana të paqarta pas një dënimi me burgim të përjetshëm.
Pas vrasjes Billa u largua në Danimarkë, ndërsa drejtësia angleze e kishte dënuar me burg për jetë pa të drejtë lirimi pa kryer të paktën 34 vite burg.
Dosja angleze u transferua në Tiranë dhe Gjykata e Apelit njohu vendimin, dhe e dënoi me 25 vite burg për vrasje në vitin 2016.
Vuajtja e dënimit nisi që nga data e arrestimit 15 nëntor 2015 dhe duke llogaritur dhe kohën e paraburgimit 40-vjeçari ka dalë nga burgu i Krujës në vitin 2019.
Burimi: Ora News