Faza tranzitore e Covid-19 dhe rreziku i një vale të dytë
Pandemia e Covid-19 është shumë më tepër sesa një krizë shëndetësore dhe 3 muajt e fundit, virusi na ka treguar dëmin që mund të shkaktojë edhe në shtetet më të përparuara në botë. Vendet më të prekura si Italia, Spanja dhe Shtetet e Bashkuara tashmë po i drejtohen fazës së dytë të pamdemisë, teksa nevoja për t’iu rikthyer normalitetit dhe ulja e përqindjes së të infektuarve, ka bërë që qeveritë e këtyre vendeve të fillojnë zbutjen e masave kufizuese.
Indrit Seferi, specialist i Shëndetit Publik dhe pedagog në Universitetin e Mjekësisë foli rreth fazave tranzitore të Covid-19 dhe menaxhimit të riskut që mund të vijë si pasojë e një vale të dytë infektimesh. Ai theksoi faktin se faza e re e hapjes graduale të shoqërisë, me rihapjen e aktivitetit të disa bizneseve, do ta shtonte riskun që infektimet, të cilat deri tani në vendin tonë kanë qenë kryesisht kontakte familjare, të zgjerohen në një rreth më të gjerë. Nisur nga këto kushte, ai këshilloi që hapja graduale të shoqërohet me një ndërgjegjësim social për bashkëjetesë në kushtet e distancimit social dhe masave të shtuara të higjienës.
”Duhet treguar kujdes nga të gjitha hallkat e shoqërisë, me në krye qeverinë në bazë të instruksioneve të shëndetësisë, duke gërshetuar të gjitha hallkat, qoftë aspektin ekonomike edhe atë social. Çështja është se risku ekziston gjithmonë. Ekzistojnë disa faktorë, që nga menaxhimi i institucioneve publike, tek autoritetet shëndetësore. Sa cilësor do të jetë bashkëpunimi i popullatës për të ndjekur rigorozisht distancimin social dhe masat higjienike. Në kushtet e hapjes graduale do të varet se sa këto biznese do të kenë mundësi që t’i përshtaten ndryshimet që të kemi një infektim gradual apo të minimizohet. Kjo është ajo me të cilën jemi duke u përballuar. Janë shumë aktorë, vetëm puna e Ministrisë së Shëndetësisë nuk do të ketë sukses pa një bashkëpunim qytetar”.