
Alarmi i FBI-së për sulmet kibernetike në mbarë botën lidhet me tentativa për ndërhyrje në sisteme të ndryshme, por pa pasoja të konsiderueshme për qytetarët. Kështu u shpreh drejtuesi i “Acromax”, Aldor Nini për Report Tv. “FBI këto lajmërimet i jep në lidhje me sulmet e përgjithshme që po ndodhin në të gjithë botën. Janë tentativa për të ndërhyrë në sisteme të ndryshme, por nuk kanë pasur ndonjë ndikim për popullatën e gjerë”, deklaroi Nini.
Ai shpjegoi se disa probleme në rrjet janë shkaktuar nga instalimi i gabuar i router-ëve, ndërsa edhe Google ka raportuar probleme të kufizuara. Nga ana tjetër, eksperti i sigurisë Redion Qirjazi paralajmëroi se zhvillimi i Inteligjencës Artificiale ka lehtësuar ndjeshëm kryerjen e sulmeve kibernetike, duke u mundësuar edhe individëve me burime të kufizuara të shkaktojnë dëme të mëdha.
“Me resurse të limituara dhe njohuritë e duhura, mund të shkaktosh një dëm masiv që ka shpejtësi në përhapjen e saj. Mjafton të kesh kompjuterin tënd dhe disa parametra kyç”, u shpreh Qirjazi. Ekspertët sollën si shembull sulmin ndaj sistemeve të frigoriferëve në supermarkete në Francë, ku hakerat shfrytëzuan dobësi në softuerët e papërditësuar për të ndërhyrë në funksionimin e pajisjeve.
Nini theksoi se Inteligjenca Artificiale nuk duhet parë vetëm si kërcënim, pasi ajo mund të shërbejë edhe për forcimin e sigurisë kibernetike. “Me IA gjërat bëhen më të sigurta nëse di ta përdorësh. Në Shqipëri nuk dimë ta përdorim si duhet”, deklaroi ai, duke shtuar se përditësimet e shpeshta të sistemeve mund të krijojnë edhe probleme të reja. Sipas të dhënave të cituara nga Qirjazi, gjatë tre muajve të fundit vlerësohet se kanë ndodhur rreth 2,800 sulme serioze kibernetike në mbarë botën, duke ngritur shqetësime për sigurinë e infrastrukturave digjitale.
