Fëmijët e Harun Çelik kërkojnë ndihmë për babain e tyre, si u fundos mësuesi nga një aplikacion i krijuar nga ‘’dhelpra’’ (Video+detaje)
Mediat në Turqi vijojnë që të publikojnë detaje lidhur me fatin e mësuesit 42-vjeçar, Harun Çelik i cili u dëbua dy ditë më parë drejt Turqisë, ku do të përballet nën akuzën se ka qenë pjesë e grushtit të shtetit, për rrëzimin e presidentit Erdogan.
Së fundi është publikuar një video, ku shfaqen fëmijët e Harun Çelik të cilët bëjnë apel që babanë e tyre të mos e çojnë në Turqi pasi atje do ta humbasin, dhe nuk do të mund ta takojnë më.
“Nëse e çoni në Turqi, ai do të arrestohet dhe ne do ta humbasim atë. Ju lutem, mos e çoni atë në Turqi. Ne jemi 4 fëmijë që mund të humbasin babain tonë. Ju lutemi, ndihmojeni babain tonë”, të cilët mendohet se janë në Kazakistan.
Fillimisht në video flet nëna e fëmijëve, e cila në anglisht kërkon që mos t’ja kthejnë burrin në Turqi, dhe më pas flasin edhe fëmijët, që po ashtu shprehen në gjuhën angleze.
“Në 2016 erdhëm në Kasakistan, në 2019 burri im tentoi të shkonte në Kanada nga Kosova. Atje u arrestua. Nëse e sjellin në Turqi do ta arrestojnë dhe do ta humbasin. Ju lutem mos e sillni në Turqi. Kemi 4 fëmijë ata nuk mund ta humbasin babain e tyre”, shprehet në video gruaja e Harun.
Ndërsa fëmijët përsërisin: Ju lutem! Ju lutem ndihmojeni babain tonë.
Ndërkohë media turke ‘Turkey 7/24’ shkruan se 42 vjeçari akuzohet nga Turqia si pjesë e organizatës ‘FETO’ pasi ka pasur të shkarkuar aplikacionin “By Lock”, një rrjet komunikimi që dyshohet se është përdorur për të komunikuar, gjatë tentativave për grusht shteti.
Këtë aplikacion i cili është përdorur nga rreth 200-300 mijë persona, gjykata e përdor si “faj” dhe të gjithë personat që e kanë përdorur, sipas gjykatës duhen hetuar.
ByLock u regjistrua fillimisht në emrin e një qytetari amerikan me origjinë turke David Keynes, i cili ka deklaruar se ai nuk ka qenë ideator i aplikacionit, por një miku i tij i dhomës, gylenitst, i njohur me pseudonimin ‘’dheplra”.
Mendohet se ByLock është shpërndarë në fshehtësi mes gylenistëve, dhe për këtë shkak përdoruesit e tij janë parë automatikisht si të dyshuar, pavarësisht se nuk ka prova të tjera përforcuese për implikimin e tyre.
Ndërkohë që ekspertët e teknologjisë thonë se ByLock është një aplikacion i pasigurt në dërgimin e e mesazheve, dhe është lehtësisht i hackueshëm.