Fëmijët e prekur nga virozat, rritet fluksi në urgjencë
Fëmijët janë më të prekurit nga virozat dhe gripi në stinën e dimrit, ndaj dhe aktualisht fluksi në urgjencën pediatrike dhe në qendrat shëndetësore është rritur. Mjekët pediatër apelojnë prindërit që të mos drejtohen menjëherë në urgjencë, por më parë të vizitohen pranë mjekut të familjes, pasi shërbimi është i njëjtë.
Fëmijët janë më të prekurit nga gripi dhe virozat në stinën e dimrit, kjo dhe për faktin se qëndrojnë në ambiente të populluara dhe të mbyllura.
Mjekët pediatër të qendrave shëndetësore apelojnë prindërit që të ndjekin sistemin e referencës, për të shmangur radhët në urgjencën e QSUT, teksa kujtojnë se në 4 prej qendrave në kryeqytet ofrohet shërbim 24 orë.
Edlira Cenko: Që të mos krijojnë rradhë të zgjatura me orare të gjata pritjeje tek QSUT sepse shërbimi ofrohet njëoj si në urgjencë ashtu dhe në qendrat tona shëndetësore. Prindërit mendojnë se mjekët në QSUT janë më të profilizuar në atë fushë.
Simptomat mbeten klasiket, ndërsa temperatura që zgjat disa ditë nuk duhet të panikosë prindërit.
Edlira Cenko: Me temperaturë të lartë që luhatet nga 38 deri në 40 gradë bashkëshoqërohet me kollë me sekrecione ose kollë të thatë dhe me dhimbje fyti, të jetë dhe me dhimbje barku dhe mungesë oreksi. Është vënë re që temperaturat zgjasin 3-5 ditë.
Pediatra, Edlira Cenko, shprehet se situata me virozat do të vijë drejt normalizimit, teksa shprehet se në këtë pikë masa e vetme mbetet higjena personale, pasi vaksinimi nuk ka më efekt.
/Ora News