Fenomeni i terrorizmit, “Ujku i vetmuar”
“Ujku i vetmuar” është një term, i cili u bë tepër popullor në vit vitet 1990, nga racisti i bardhë Alex Curtis, i cili iu bëri thirrje njerëzve që kishin të njëjtat ide si ai, për të kryer akte terroriste të pakoordinuara. Një udhëheqës prepotent i aktivizimit të “ujkut të vetmuar”, Curtis i inkurajonte racistët e tjerë të vepronin vetëm
Nga Ervin Hodo
Franz Fuchs ishte një terrorist racist austriak. Përgjatë viteve 1993 – 1997, ai vrau katër vetë dhe plagosi mbi 15 të tjerë, duke përdorur tre bomba artizanale. Timothy James McVeigh, ishte një terrorist amerikan, i cili u dënua me vdekje, për shpërthimin e një kamioni me eksploziv përballë godinës federale Alfred P. Murrah në Oklahoma, më 19 prill 1995. Nga sulmi vdiqën 168 veta dhe u plagosën më shumë se 600 të tjerë. Sipas qeverisë së SHBA, ky cilësohet si sulmi terrorist më vdekjeprurës në këtë vend përpara sulmeve të 11 Shtatorit dhe ngelet akti terrorist i brendshëm, më domethënës në historinë e SHBA-ve.
David Copeland, ishte një militant neo -nazist britanik i cili u bë i njohur si “si bombëvënësi i bombave me gozhdë i Londrës”, pas një fushate vëniesh bombash prej 13 ditësh në prill 1999. Objektivat e tij ishin njerëzit me ngjyrë, aziatikët dhe komuniteti homoseksual. Dylann Storm Roof, ishte një amerikan i dyshuar për përgatitjen e sulmeve në kishën e Charleston më 17 qershor 2015. Gjatë një shërbese lutje në Kishën Methodiste Afrikane, Roof dyshohet se është i lidhur me vrasjen e nëntë afro-amerikanëve, duke përfshirë këtu edhe Pastorin e kishës dhe senatorin Clementa C. Pinckney. Omar Mir Seddique Mateen me 12 Qershor 2016, kryen një masakër të vërtetë duke vrarë 49 vetë dhe plagosur 53 të tjerë në një lokal homoseksualësh në Orlando, Florida përpara se të vritej nga policia.
15 korrik 2016, Franca ende e tronditur nga sulmet terroriste të disa muajve më parë, bëhet sërish shënjestër e terrorizmit, kur Mohamed Lahouaiej Bouhlel në drejtim të një kamioni hyri përmes turmës në qytetin jugor të Nices, duke vrarë të paktën 84 vetë dhe duke lënë dhjetëra të plagosur. Incidenti ndodhi në bulevardin buzë detit “Promenade des Anglais”, pikërisht në momentin kur po realizohej një shfaqje me fishekzjarrë e organizuar nga bashkia me rastin e Ditës së Bastijës. Hetuesit zbuluan se Mohamed Lahouaiej Bouhlel, ishte një adhurues dhe përkrahës i ideve të ISIS.
18 korrik 2016 Ruslan Kulikbayev, 26 vjeç qëllon për vdekje tre policë në qytetin tregtar Almaty të Kazakistanit. Ekspertët deklaruan në atë kohë se Kulikbayev, ishte një adhurues dhe përkrahës i rrymës selafiste që njihet si rrymë ultra- islamike, rrymë me të cilën kishte rënë në kontakt gjatë kohës që ishte në burg. Agjencia ruse e lajmeve TASS, në atë kohë duke cituar një burim policor tha së sulmi kishte pasur motive “fetare, radikale”.
Ngjarje të tilla bëhen edhe më të shumta në numër, sa më mbrapa të shkosh në kohë dhe histori. Po çfarë kanë të përbashkët këto ngjarje dhe këto sulme? Përgjigja është shumë e thjeshtë: numri i atentatorëve. Në të gjitha rastet ka qenë vetëm një. Ky lloj terrorizmi dhe terroristi njihet rëndom me emrin “ujku i vetmuar,” për shkak të mënyrës se si shfaqet dhe vepron.
“Ujku i vetmuar” është një term, i cili u bë tepër popullor në vit vitet 1990, nga racisti i bardhë Alex Curtis, i cili iu bëri thirrje njerëzve që kishin të njëjtat ide si ai, për të kryer akte terroriste të pakoordinuara. Një udhëheqës prepotent i aktivizimit të “ujkut të vetmuar”, Curtis i inkurajonte racistët e tjerë të vepronin vetëm, kur kryenin akte kriminale në mënyrë që të mos inkriminoheshin edhe të tjerët njëkohësisht. Ai bëri thirrje për eliminimin e jo të bardhëve “me çdo lloj mjeti të mundshëm” duke promovuar në këtë mënyrë vrasjen, shitjen e lëndëve narkotike si dhe përdorimin e luftës biologjike si një strategji e dobishme.
Edhe pse termi u bë popullor në vitet ’90, veprime terroriste të kryera nga individë të vetëm janë regjistruar shumë kohë më parë. Studiuesi David Rapoport, thotë se, ky lloj terrorizmi ka ndodhur me valë, ku secila karakterizohej nga një ideologji dhe nga objektiva të caktuar, por edhe aktivitete të ngjashme, të ndërmarra nga këto grupe në shtete të ndryshme.
Ai identifikon si të tilla katër valë:
- Anarkisti, i cili u shfaq në vitin 1880 në Rusi.
- Terroristi anti-kolonizator, i cili u shfaq pas Luftës së Parë Botërore,
- E majta e re, e cila shfaqet në vitin 1960
- Vala fetare, e cila dominon sot kornizën e terrorizmit.
Aktorë të vetmuar, apo “ujqër të vetmuar” kanë qenë aktivë gjatë secilës valë. Nisur nga çfarë thotë Raport, ky fenomen nuk është një fenomen i ri, por një fenomen i cili rishfaqet vazhdimisht. Për rrjedhojë paralelet historike në analizën krahasuese, mund të ndihmojnë shumë në të kuptuarit e motivimit, të fenomenit të terroristit “ujk i vetmuar.”
Ashtu sikurse thirrja për terror e Curtis, për të vrarë jo të bardhët, e njëjta frymë karakterizon edhe një nga fatëat (deklaratat) e terroristëve të Al-Qaedës të lëshuar kohë më parë, në të cilën iu kërkohej myslimanëve anembanë botës “… vritini të pafetë (me termin i pafe nga ana e terroristëve islamike nënkuptohet çdo individ që nuk i përket fesë Islame) gjurmojini ata kudo që të ndodhen, në rrugë në dyqane…goditini me thika, shtypini me makina…”
Sipas analistit të fushës së terrorizmit Bruce Hoffman, strategjia e re e grupeve terroriste si Al Qaeda apo ISIS, synon të fuqizojë dhe motivojë individë të ndryshëm të kryejnë akte dhune, plotësisht të pavarur nga ndonjë linjë komandimi terroriste.
Bazuar në sa më sipër, mund të japim një përkufizim të përafërt të asaj çfarë është fenomeni “ujku i vetmuar”. Një “ujk i vetmuar”, ose një terrorist i vetmuar, është dikush që përgatitet dhe kryen akte dhunë jashtë çdo vartësie nga ndonjë komandë, apo grup i caktuar dhe pa ndonjë ndihmë logjistike të veçantë nga ndonjë grup apo organizatë. Megjithatë, ai ose ajo mund të jenë të influencuar apo të motivuar nga ndonjë ideologji, apo besim i një grupi të caktuar shoqëror dhe si rrjedhojë mund të veprojnë në mbështetje të një grupi të tillë, por gjithmonë të vetmuar pra të pavarura.
Si mund të dallohen dhe të luftohen?
Politikë bërësit si dhe ekspertët e fushës së sigurisë, i kanë dhënë një vend të veçantë fenomenit të “ujkut të vetmuar” në kornizën aktuale të rrezikut nga terrorizmi. Megjithatë, duhet theksuar se ka një numër të madh pengesash që shfaqen gjatë luftës ndaj këtij fenomeni. Duke vepruar në izolim të plotë, pa udhëzime, pa linjë komandimi, këta individë të vetmuar përfaqësojnë vështirësi tepër të mëdha për tu zbuluar dhe kapur.
Ky lloj profili i terrorizmit paraqet një sfidë vërtetë të madhe për forcat e sigurisë dhe në mënyrë të veçantë për shërbimet inteligjente. Identifikimi i këtij modeli të rrezikshëm të terrorizmit, natyrisht që është shumë i vështirë, megjithatë disa karakteristika dalluese të tyre janë të lexueshme për një sy të stërvitur. Kështu p.sh një “pikë e dobët” e terrorist “ujk i vetmuar” është fakti që ata shpesh digjen nga dëshira për t’i thënë dikujt se çfarë ata duan madje edhe se çfarë po planizojnë të bëjnë; ata gjithashtu shfaqin “fiksime” , shqetësim, mbi një person apo kauzë dhe “identifikim” duke marrë modelin e rolit të një “luftëtari”.
Taktikat e terroristit “ujk i vetmuar” janë të ndryshme, ndërkohë që vihet re se ka një preferencë të përbashkët nga ana e tyre për vendosjen e bombave, vrasjeve me përdorimin e armëve të ftohta, armë apo çdo mjet tjetër jo shumë të sofistikuar, për të realizuar qëllimin e tyre. Por, ajo që vlen të thuhet është se të gjitha kërkimet e deritanishme në lidhje me këtë fenomen, arrijnë në konkluzionin se “ujqërit e vetmuar” janë të paparashikueshëm dhe shpesh kryejnë sulme të papritura.
Zhvillimet në fushën e teknologjisë së informimit, kanë qenë një faktor plus në favor të këtyre individëve. Në mënyrë të veçantë internet, ka bërë që në ditët e sotme të jetë më e lehtë se kurrë për të pasur akses në materiale dhe udhëzime të ekstremistëve se si të realizosh një sulm.
Por, nga ana tjetër shumë studiues sugjerojnë se mund të jetë pikërisht interneti nga ku mund të gjurmohen aktivitetet e “ujqërve të vetmuar. Radikalizmi i Mateen, kryesit të masakrës së Orlandos, ashtu sikurse edhe drejtuesi i kamionit të tragjedisë në Nice, Mohamed Lahouaiej Bouhlel, mund të ishin gjurmuar gjatë aktivitetit të tyre në internet.
Terroristi i sulmeve në Ëuerzburg , i cili mbërriti në Gjermani si një minoren i pashoqëruar dhe jetoi me një familje strehuese në një qytezë gjermane, ndoshta mund të ketë lenë gjurmë të njëjta.
Gjurmët që këta njerëz lenë “online” njihen tashmë si “sinjale të dobëta” për shkak se janë të vështira për shërbimet e inteligjencës që të kapen. Megjithatë, ekzistojnë teknika për gjurmimin e tyre. Kështu një skuadër e Agjencisë së Kërkimeve të Mbrojtjes së Suedisë, përgatiti një material për gjurmimin e këtij lloji terrorizmi. Materiali bazohet në një numër shenjash të sjelljes që ndihmojnë në përcaktimin e asaj se nëse një person është i aftë, apo është duke shfaqur dhunë radikale.
Ëebsitet mund të gjurmohen për atribute linguistike të sjelljeve të këtij lloji. Studiuesit suedezë shkruan : “rrjedhja e informacionit të këtij lloji, ka shumë të ngjashme të përmbajnë fjalë ndihmëse që sinjalizojnë qëllimin (të tilla si: “…do të…” “unë do të”…. “duhet që”) së bashku me fjalë që shprehin veprime të dhunshme, ose eufenizma.”
Një program kompjuterik, i përgatitur për të kapur shenjë të tilla, sidomos në rrjetet sociale të radikalëve ku individët “ujk i vetmuar” janë vizitorë aktivë, ose videot që presupozohet që ata mund të shikojnë në Youtube, në përfundim të një kohe të përcaktuar më përpara, programi mund të nxjerrë një listë të personave, të cilët mund të mbahen nën vëzhgim. Studiuesit suedezë rekomandojnë gjithmonë përdorimin e një analisti, për të kontrolluar rezultatet e një operacioni të tillë të kryer nga programi kompjuterik.
Edhe pse kjo ngelet vetëm një metodë gjurmimi, që deri tani nuk është se ka qenë tepër efikase, nga ana tjetër është një masë e mirë parandaluese në kuadrin e masave të luftës kundër “ujkut të vetmuar”.
Situata në Irak dhe Siri, të jep arsye duke të bërë të besosh se trendi i “ujkut të vetmuar” pritet të vazhdojë dhe të shpeshtohet. Ka me qindra, për mos thënë me mijëra luftëtarë të huaj nga Europa, ku edhe Shqipëria dhe Kosova, kanë pasur një numër të konsiderueshëm (dukshëm me rënie së fundimi), të cilët kanë udhëtuar në Siri apo Irak dhe kanë marrë pjesë në luftime përkrah terroristëve të ISIS (DAESH). Rikthimi i tyre paraqet një rrezik kuptimplotë, kjo pasi, për shkak të trajnimit dhe eksperiencës me të cilën ata rikthehen nga fronti i luftës, ata janë të aftë të kryejnë sulme efektive pa pasur nevojë për ndihmë, udhëzime, drejtim, apo për ndonjë rrjet të gjerë që t’i mbështesë. Por, një grup tjetër akoma më i rrezikshëm dhe tepër potencial për t’u kthyer në “ujqër të vetmuar’ janë pikërisht ata persona të cilët janë ndaluar për t’iu bashkuar fushës së betejës së Sirisë dhe Irakut. Si mënyrë alternative, për të treguar mbështetjen e tyre ndaj kauzës që përfaqësojnë, ata mund të organizojnë sulme brenda vendit të tyre.
Edhe pse ky grup i terroristëve mund të ketë mangësi të trajnimit dhe mungesë të eksperiencës së luftimit, ata ngelen pa dyshim një rrezik i madh në një ambient dhe në një vend si vendi ynë ku çdo viktimë është humbje e madhe. Nisur nga të gjitha sa thamë më sipër, të kuptuarit, të raportuarit në kohë si dhe mbajtja nën vëzhgim dhe vlerësimi i duhur i individëve që shfaqin qoftë edhe shenjat më të vogla të “ujkut të vetmuar,” është sot më i nevojshëm se kurrë.
KOHA JONË SONDAZH

