Festa e Pashkëve, por banorët e Bërxullës dalin në protestë. Përzënë kandidatin e Rithmelimit: E dimë që ke hallin e votës

Sot besimtarët katolikë kremtojnë festën e Pashkës, një ndër momentet më të rëndësishme të besimit që ndjekin, por banorët e Bërxullës janë ngritur sërish për protestë. Po kësaj radhe të revoltuar jo thjesht për pronat e tyre që preken nga aksi Thumanë-Kashar që kanë 7 muaj që po protestojnë, por për të përzënë ndërhyrjen e politikës nga kauza e tyre!

Ata e kanë cilësuar me të drejtë si një shfrytëzim nga ana e kandidatit të Berishës për Bashkinë Vorë, Indrit Hoxha përfshirjen e befasishme dhe interesimin e tij për protestën e Bërxullës.

Protestuesit thonë se janë në dijeni se ky interesim nga forcat politike të Berishës vjen si pasojë e zgjedhjeve vendore dhe se protesta e tyre është e pa përfaqësuar nga asnjë kah politik.

“Nuk duam mbështetje nga kandidatët. Nuk kemi nevojë fare për kryetar bashkie. Nuk e duam duam fare. Mos e filmoni fare edhe ju gazetarët. Na lini në hallet tona”,-tha një banor.

Një tjetër banore u shpreh Indrit Hoxha ka vetëm interesin e votës dhe jo të qytetarëve të Bërxullës.

“S’kanë ardhur ndonjëherë këtu që të na vijnë sot. Jeni hajdutë. Nuk na përfaqëson asnjë. Nuk duam as parti as kryebashkiak. Kush vjen për punë partie të ikë nga ka ardhur. Kjo është protestë paqësore. Ai ka hallin e votës, nuk i intereson për ne“,-tha banori.

SHKARKO APP