Festa në Shkodër – Lutje për besimtarët myslimanë që pritën Kurban Bajramin në luftë
Festa e Kurban Bajramit edhe këtë vit nisi me ritualin e faljes në sheshin qëndror të Shkodrës.
Besimtarët myslimanë shënuan kështu nisjen zyrtare të festës, ndërsa nuk mungoi mesazhi i përfaqësuesit të myftinisë Shkodër, Lavdrim Hamja, i cili i kushtoi një pjesë të ligjeratës së tij vendeve që këtë Bajram po e presin në lufte e ditë të vështira.
Ai kërkoi që të gjithë të kontribuojmë për paqen e për ditë më të mira.
Lavdrim Hamja: Sa herë që njerëzimi ecën në rrugën profetike të të dërguarve të Zotit jeton në paqe dhe harmoni me vëllain e tij njeri dhe sa herë që njerëzimi ka devijuar dhe devijon prej kësaj rruge marrëzia dhe çmenduria njerëzore nuk ka njohur kufi.Luftra të tëra e gjakderdhje makabre janë shkaktuar prej njeriut që nuk njeh Zotin dhe nuk beson në të.Po të llogarisim bilancin e luftrave botërore, shkaqet dhe pasojat e tyre patjetër do të bindemi se kur njeriu nuk njeh Zotin e tij bën shkatërrime e derdh gjak në tokë saqë as shejtani i mallkuar nuk bën gjëra të tilla. Miliona e miliona të vrarë prej dy luftrave botërore dhe Zoti na ruajt që të mos ndodhë ndonjë konflikt tjetër. Edhe sot që flasim, po ndodhin maskra, persekutime dhe krime njerëzore ndaj popullsisë myslimane në Ruanda. O Allah ne të lutemi ty për paqen, dashuri dhe harmoni në mesin tonë dhe mbarë botën.
Pas faljes, besimtarët myslimanë i janë drejtuar shtëpive ku kanë kryer kurbanin, traditë e këtij Bajrami.
Kurban Bajrami është festa e sakrificës dhe e flijimit, por edhe festa e kujdesit ndaj njëri- tjetrit përmes dhurimit.

