Festa në Tiranë/ Aktivitete dhe bllokime rrugësh në kryeqytet

Jo vetëm Elbasani, tashmë është kthyer në traditë që dita e verës të festohet edhe në kryeqytet.

Në 14 mars në Tiranë do të ketë 100 aktivitete që do të jenë të shpërndara në 10 lokacione e do të përfshijnë të gjithë grupmoshat, nga fëmijët deri tek të rriturit.

Aktivitetet do të jenë nga më të ndryshmet, do të nisin nga mëngjesi e do të vijojnë deri pas mesnate. Në sheshin ‘Skënderbej’ do të performojë ansambli i Tiranës dhe ai kombëtar. Do të ketë këngëtar e dj, mes tyre edhe këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Enisa.

Sheshi “Nënë Tereza” do të jetë i dedikuar për aktivitetet sportive ku do të luhen futboll, basketboll, tenis e shumë sporte të tjera.

Tek parku i liqenit për fëmijët do të jetë cirku Tiranës, banda e qytetit e do të zhvillohen lojra argëtuese. Ndërsa në orët e pasdites do të ketë koncert festiv për të gjitha moshat.

Në mënyrë që këto aktivitete të zhvillohen sa më lirisht, do të ketë bllokim të rrugëve në kryeqytet, që nisin që prej të hënës e vijojnë gjatë ditës së marte.

Sheshi “Nënë Tereza” do të jetë i bllokuar që prej orës 07:00 të ditës së hënë deri në orën 18:00 të datës 14 mars. Edhe në rrugën ‘Ibrahim Rugova” bllokimi nisë që prej të hënës në orën 12:00 dhe do të vijojë deri në orën 23:00 të së martës. Po ashtu do të jetë i bllokuar prej së martës në 8 të mëngjesit e deri në orën 16:00 Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” dhe rrugët që lidhen me të.

SHKARKO APP