Festat pas tërmetit, si po festojnë shqiptarët?

Dhjetori është muaji që ka më shumë optimizëm, entuziazëm, pavarësisht se këtë vit duket se gjërat janë zbehur pak, për shkak të situatës që ka krijuar tërmeti tragjik i 26 nëntorit dhe post goditjet e tij.

Në A2 Business Week u diskutua pikërisht për festat, shpenzimet, që bëjmë, çmimet dhe çfarë preferojmë: prodhime shqiptare apo të huaja në tryezat tona.

Deputetja e Partisë Socialiste, Evis Kushi, e cila është edhe anëtare e Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe të Financave, u shpreh se tërmeti i 26 nëntorit i ka zbehur festat e fundvitit.

“Këtë vit filloi shumë vonë festa. Arsyeja ishte që ne t’i jepnim fëmijëve më shumë shpresë pas tërmetit të 26 nëntorit, i cili patjetër që ka ndikim te qytetarët dhe te bizneset që e kanë ndjerë. Shumë njerëz i kanë anuluar festat e tyre, kanë anuluar udhëtimet e tyre. Periudha është shumë e shkurtër për të filluar normalitetin”.

Gazetarja Ermira Çausholli u shpreh se shqiptarët me rrogën që marrin mendojnë vetëm për t’u ushqyer. “Do të ishte mirë që çmimet të ishin më të ulëta krahasuar me rrogat. Në një shikim të përgjithshëm ky vit më duket më i dobët nga ana financiare. Ky vit është një vazhdim i problematikave që janë të mbartura dhe jemi sot në këtë gjendje që jemi. Njerëzit sakrifikojnë shumë për të mbushur tavolinën pasi kjo është traditë e shqiptarëve”.

Po ashtu mendon edhe pedagogia Nevila Xhindi, e cila shprehet se ky ka qenë një vit i vështirë për shqiptarët. “Kriza politike prodhoi edhe krizë ekonomike. Shqiptarët janë ndjerë të pasigurt dhe janë munduar të kursejnë. Kanë rënë interesat në banka, e kemi ndjerë ne në xhepat tanë. Kemi ulur konsumin. Më pas, ishte dhe tërmeti. Ka një vazhdë gjërash që e kanë gjunjëzuar ekonominë shqiptare”, u shpreh pedagogia.

SHKARKO APP