Festivali i Gjirokastrës, Rama: Asnjëherë folklori ynë s’u ka folur kaq shumë njerëzve nga kultura të ndryshme

Pas 8 vitesh u rikthye në Gjirokastër edicioni i XI të Festivali Folklorik Kombëtar, me potpuri këngësh të djepit, të dasmave e gëzimeve, vallet e ritet, paradën e kostumeve popullore nga të gjitha trevat e Shqipërisë e diaspora.

Kryeministri Edi Rama ndau foto nga nata e parë e Festivalit, evenimentit më të madh të muzikës dhe valles shqiptare, cilësuar edhe si një ekspozitë e bukur e trashëgimisë kulturore jomateriale.

“Gjirokastra më e bukur se asnjëherë, si asnjëherë e dashur për njerëz nga tërë anët e botës, e ku asnjëherë folklori ynë s’u ka folur me tingujt dhe ngjyrat e veta magjike kaq shumë njerëzve nga kultura të ndryshme”, u shpreh Rama në rrjetet sociale. Rama ndoqi nga afër natën e parë të këtij Festivali, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Linda dhe djali i tyre i vogël, Zaho.

Në Kalanë e Gjirokastrës, në një skenë të hapur për të gjithë për 8 netë vjen simbolika e valltarëve të lidhur dorë për dore, duke sjelle traditën me këngë e valle të larmishme nga të gjitha trevat shqiptare.

Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës 2023, ngjarja që bën bashkë ngjyrat e bukura të folklorit shqiptar. Në natën e parë, që u çel nga grupet folklorike të Hasit, Kukësit dhe Tropojës, ishte i pranishëm edhe kryeministri Rama. Festivali rikthehet në skenën e tij tradicionale, në Kalanë e Gjirokastrës, pas një pauze prej 8 vitesh.

SHKARKO APP