Fieraku rrezikon 1 vit burg për ndërtim pa leje…tek koteci i pulave!
Një çift në Libofshë të Fierit përballet prej tetë muajsh me drejtësinë për rindërtimin pa leje të murit të kotecit të pulave, ndërsa bashkëshorti rrezikon 1 vit burg në kuadër të luftës së ashpër kundër informalitetit.
Caci Dhamo dhe e shoqja Zoica besojnë se rindërtimi i kotecit të shpendëve u ka sjell ters; vezët e shtruar për zogj kanë dalë më shumë klluka (lluka) këtë vit. Karakatina pjesërisht e shembur, e ndërtuar ngjitur me shtëpinë që më 1977 me tulla, blloqe, kallama dhe e mbuluar pjesërisht me tjegulla e eternit i ka hapur çiftit punë me shtetin dhe drejtësinë.
Kakarisjet e gjelave dhe zogjtë e hallakatur në oborr i kujtojnë tani 61 vjeçarit nga Libofsha e Fierit se i duhet të shkojë në gjykatë në një proces që zgjat prej 8 muajsh, pasi është kallëzuar për ndërtim pa leje të kotecit të shpendëve.
Në dosjen që Prokuroria i ka dorëzuar Gjykatës, Caci Dhamo akuzohet se ka konsumuar
elementët e veprës penale të ndërtimit të paligjshëm, parashikuar nga neni 199/a i Kodit Penal. Hetimi kundër tij ka nisur shtatorin e vitit të shkoi, pas denoncimit të një fqinji.
Dhamo rrezikon të dënohet deri në 1 vit burg, pas ndryshimeve të bëra në Kodin Penal në dhjetor të 2014 në mbështetje të një fushate që qeveria ndërmori për prishjen e disa godinave pa leje dhe asaj që e cilësoi si luftën kundër informalitetit.
Policia e Shtetit njoftoi në fillim të 2016 se kishte proceduar më shumë se 1600 raste ndërtimesh pa leje në të gjithë vendin për vitin 2015. Por fushata e qeverisë nuk ka mundur të veçojë shkelësit e mëdhenj nga banorët që kryejnë ndërhyrje të vogla në shtëpitë e tyre.
KOHA JONË SONDAZH

