Filloi stina e arrestimeve të prokurorëve, tani radha e gjyqtarëve

 

 

Policia ka arrestuar Prokurorin e Krujës  Haxhi Giu. Ekzekutimi i urdhër arrestit është bërë gjatë ditës së sotme. Mësohet se Giu ishte prej kohësh në procedurë hetimore për shpërdorim të detyrës. Hetimi i tij është bërë nga policia dhe Njësia Task -Forcë e Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Dyshohet se Giu ka marrë një shumë prej 29 mijë eurosh për uljen e dënimit të një të burgosuri.

Haxhi Giu ishte me detyrë në Prokurorinë e Krujës prej vitit 2008. Ndërkohë që më parë ka mbajtur funksion të ndryshme në organin e akuzës. Ai njihet dhe si prokurori që hetoi vrasjen e Azem Hajdarit.

Ky është arrestimi i dytë që bëhet në radhët e organit të akuzës brenda pak ditëve. Një javë Prokuroria e Krimeve të Rënda urdhëroi arrestimin e Prokurorit të Fierit, Petrit Vukaj. Ai akuzohet për korrupsion, pasi për 3 milionë lekë ka ndërhyrë për zbutjen e dënimit të një të burgosuri. Bëhet fjalë për rastin e Elton Xhemalit, i cili më 31 Mars të këtij viti u arrestua, pasi duke drejtuar mjetin e tij në rrugën Levan – Tepelenë, shkaktoi një aksident që i mori jetën Shefit të Rendit në Policinë e Delvinës, Përparim Bizhgës, i cili ishte pasagjer i tij. Në këmbim të shumës së parave, Vukaj kishte premtuar uljen e dënimit.

Dy arrestime nga radhët e prokurorisë brenda pak ditëve është një sinjal se strukturat anti-korrupsion janë vënë në lëvizje për të goditur korrupsionin. Fakti që Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla ka firmosur në të dy rastet arrestimet tregon se Prokuroria është në lartësinë e detyrës duke goditur edhe njerëzit brenda saj.

Tashmë pritet që edhe gjykatat e Këshilli  i Lartë i Drejtësisë të vijojnë me spastrimin e radhëve nga gjyqtarët e korruptuar. 

SHKARKO APP