Firmoset marrëveshja me kompaninë italiane për kërkim nafte në Dumre, Rama jep detajet
Kryeministri Edi Rama e ka quajtur një moment shumë të rëndësishëm për të ardhmen e ekonomisë së vendit nënshkrimin e marrëveshjes me Kompaninë italiane ENI për të bërë shpime dhe eksplorime në bllokun e Dumresë, që vjen pas zbulimit të kompanisë SHELL në zonën e Shpiragut.
“Një lajm i shkëlqyer për zhvillimin e sektorit të hidrokarbureve dhe një sinjall kuptimplotë për rritjen e mëtejshme të investimeve të huaja direkte në Shqipëri”, tha Rama.
Ky projekt do ketë një ndikim të madh në ekonomi tha shefi i qeverisë si dhe lajmëroi se kompania italiane do ofrojë edhe trajnime për studentët e Gjeologji Minierave në Shqipëri.
“U deshën 30 vjet që ne sot të kemi një kontratë me ENI që nga pikëpamja e vlerës së vet ekonomike për shtetin shqiptar e qytetarët është më e mira dhe më e favorshme që është nënshkruar, janë treguar miqtë italianë shumë të hapur e konstruktive ndaj kërkesës sonë për të pasur një kontratë që të ketë një përfitim të drejtpërdrejt më të madh se sa të mëparshmet për shtetin e një përfitim të mirëstrukturuar në aspektet kohore, e përtej kësaj për të pasur edhe një partner që jo thjesht do eksplorojë e zbulojë naftë në Shqipëri por do ndihmojë në rritjen e cilësisë së burimeve tona njerëzore, do përfshihet në kuadrin e paktit të universitetit me Gjeologji Minierat për të ndihmuar në rritjen e kapaciteteve për të hapur mundësi për trajnime e mastera. Objektivi ishte ta mbyllnim këtë kontratë brenda vitit e të vijohej me eksplorimet. Në Dumre ka një rezervë të pritshme të konsiderueshme sikurse zbulimi në Shpirag është një nxitje më shumë për të vijuar me eksplorimet. Bëhet fjalë për një tjetër investim të huaj në Shqipëri, e cila vendos një flamur me shumë peshë në hartën e investimeve të huaja në Shqipëri e përtej vlerës monetare do sjellë edhe vlerën e madhe të dijes e të bashkëpunimit që do rrisë cilësisht gjithë hapësirën që mbulon ky sektor”.
Raporti ynë me naftën tha Rama është i komplikuar edhe për shkaqe politike, teksa kujtoi vitet kur Italia pushtonte Shqipërinë.
“Kur Viktor Emanueli u prezantua me idenë e pushtimit të Shqipërisë në 39-n ngriti pikëpyetjen cfarë dreqin i duhen mbretërisë italiane ato kilometra shkëmbor të Shqipërisë. Konti Ciano tha se ata shkëmbinj mund të plotësonin 100% të nevojës italiane për krom, 30% të nevojës për naftë dhe hekur”.