Fiskalizimi, nisja shtyhet më 1 shtator
Biznesi i madh duhet të përgatitet të ndryshojë tërësisht mënyrën e deklarimit të xhiros. Afatet e reja që qeveria ka lënë, është hyrja në fuqi e fiskalizimit nga 1 shtatori i vitit të ardhshëm për biznesin e madh dhe nga 1 janari 2021 për bizneset e vogla.
Kjo është e disata herë që afati për hyrjen në fuqi të sistemit të ri të deklarimit ndryshon, çka tregon paqartësinë e vetë Ministrisë së Financave dhe administratës tatimore në zbatimin e këtij sistemi të ri, që ka ngjallur jo pak kritika dhe pakënaqësi tek biznesi dhe ekspertët.
Por vetë ligji i fiskalizimit ka hasur në kundërshtimin e fortë të biznesit dhe ekspertëve. Kjo për mënyrën sesi kërkohet të bëhet zbatimi i sistemit të ri të deklarimit. Përfaqësuesit e kompanive të kasave të fiskale rendisin disa kritika për modelin që të zbatohet. Dhe nuk kanë lidhje vetëm me kostot e larta, por edhe me luftën kundër evazionit, apo me ruajtjen e të dhënave personale të subjektit, që nuk garantohen me sistemin e ri të fiskalizimit.