Fitimi i sistemit bankar – Ra ndjeshëm për katërmujorin e parë të vitit
Fitimi i sistemit bankar ka rënë ndjeshëm në katërmujorin e parë të këtij viti. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për katër muajt e parë të vitit bankat tregtare raportuan një rezultat të përbashkët financiar në vlerën e rreth 2.8 miliardë lekëve, më pak se gjysma e fitimit prej 5.9 miliardë lekësh të raportuar për katërmujorin e parë të vitit 2019. Këto të dhëna mbështeten në standardet e raportimit të aplikuara nga Banka e Shqipërisë për efekt të mbikëqyrjes bankare. Statistikat sipas standardeve ndërkombëtare të raportimit financiar nuk janë akoma të disponueshme. Sipas standardeve të BSH, vitin e kaluar sistemi bankar regjistroi fitime në vlerën e 20 miliardë lekëve dhe një kthim nga kapitali në nivelin 13.45%. Ndërsa për katërmujorin e parë të këtij viti kthimi nga kapitali ka zbritur në 5.28%.
Kriza e rëndë e Covid-19 pritet të ndikojë ndjeshëm aftësinë paguesve të huamarrësve dhe të sjellë një rritje të raportit të kredive me probleme gjatë muajve të ardhshëm. Në mënyrë të paevitueshme, kjo pritet të përkeqësojë edhe rezultatet financiare të bankave tregtare. Megjithatë, ky moment i ka gjetur bankat të mbrojtura dhe me nvele të larta kapitalizimi. Në fund të marsit, raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit në nivel sistemi ishte 19.1%. / scan