Ora 15.32. Një pjesë e protestuesëve ndodhen tashmë përballë godinës së Kryeministrisë. Thirrjet e Policisë së Shtetit janë që protestuesit të largohen sepse kanë bllokuar lëvizjen e qarkullimit rrugor.
Ora 15:28. Policia e Shtetit ka përdorur sasi të mëdha uji me presion për të shpërndarë protestuesit tek zona e Parkut Rinia. Pas ndërhyrjes, efektivët janë vënë në ndjekje të të rinjve, ndërsa raportohet edhe për përdorimin e plumbave të gomës. Gjithashtu, policia ka nisur shoqërimet me forcë të disa prej protestuesve. Ngjarja vjen në kuadër të protestave të të rinjve dhe studentëve, të cilët janë mbledhur në disa zona për të shprehur pakënaqësitë e tyre. Deri më tani, nuk ka informacion të plotë mbi numrin e personave të shoqëruar dhe nëse ka të lënduar nga ndërhyrja policore.
Protesta studentore ka hyrë në ditën e saj të shtatë dhe si në ditët e mëparshme vijon të jetë e dhunshme dhe të ketë përplasje mes protestuesve dhe efektivëve të policisë. Mëngjesin e kësaj të hëne, para se të niste grumbullimi i protestuesve para Ministrisë së Arsimit, reagoi kryeministri Edi Rama, i cili tha se do të jenë prindërit ata që do të mbajnë përgjegjësi për aktet e dhunës së fëmijëve të tyre të mitur në protestë, duke thënë se do të paguajnë dëmet. Rama tha se PD u bë strehë e protestuesve të maskuar, teksa shtoi se kjo parti po “ëndërron që të kthehet 21 Janari”. Sali Berisha akuzoi Edi Ramën si shkaktar të dhunës.
Prokuroria e Tiranës dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) kanë regjistruar 3 materiale kallëzuese për ngjarjet gjatë protestave, për veprimet e punonjësve të Policisë së Shtetit. Mes rasteve që po hetohen janë dëmtimi i 19-vjeçarit Ledion Balla, të cilit iu thye këmba më 13 tetor, dhe ai i 21-vjeçarit Muhamed Skana, i cili u përplas në tokë nga policia teksa qëndronte në këmbë pranë Ministrisë së Arsimit.
Në një përgjigje për mediat, Prokuroria konfirmon se materialet lidhen me dëmtimin e dy të rinjve, por edhe me veprime të tjera të efektivëve gjatë protestave. “Nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, janë regjistruar 3 materiale kallëzuese lidhur me ngjarjet e ndodhura gjatë protestave. Materialet e regjistruara lidhen, ndër të tjera, me ngjarjet gjatë të cilave janë dëmtuar shtetasit L.B. dhe M.S., si dhe me veprime të tjera të kryera nga punonjës të Policisë së Shtetit”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.
19 vjeçari Ledion Balla pësoi frakturë në këmbë pranë Parlamentit. Në pamjet e publikuara, katër policë shihen duke e mbajtur nga gjymtyrët për ta transportuar drejt spitalit. I riu ka deklaruar se nuk ishte pjesë e protestës, por po kalonte rastësisht aty. Ende nuk janë sqaruar rrethanat e dëmtimit të tij. Pas publikimit të videos, nga detyra u pezulluan katër efektivët dhe shefi i Rendit në Komisariatin Nr. 1.
Muhamed Skana, 21 vjeç, u lëndua më 16 tetor pranë Ministrisë së Arsimit, pasi u përplas me forcë në asfalt gjatë ndërhyrjes së një polici. Ai pësoi dëmtime në kokë dhe në shtyllën kurrizore dhe u dërgua për trajtim në Spitalin e Traumës. “Prokuroria Tiranë, në koordinim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, po ndjek në vijimësi situatën e krijuar, me qëllim dokumentimin e çdo rasti të mundshëm të shkeljes së ligjit dhe kryerjen e veprimeve përkatëse në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në reagimin zyrtar.
Ora 14:07. Policia ndjek “këmba-këmbës” protestuesit, por kjo nuk i ndaloi ata të hynin brenda Gjykatës së Apelit. Ata thyen xhamat nga hyrja e publikut të institucionit dhe hynë brenda duke i vënë flakën. Ata qëndruan për disa sekonda dhe dolën shumë shpejt jashtë.
Ora 14:00 Një protestuese ka tentuar që të ndalojë një autobot me ujë, ndërkohë që ky i fundit nuk është ndalur. Dy autobotë me ujë u vendosën para Kryeministrisë. E pyetuar nga gazetarët, ajo u shpreh se kjo është një formë proteste, ”sepse forcë fizike nuk kam, ata më rrahin”.
Lexoni edhe:
Ambasada e Zvicrës në Shqipëri: Të ulen tensionet dhe t’i jepet përparësi dialogut konstruktiv
Nisin përplasjet, të rinjtë sulmojnë me gurë Gjykatën e Apelit dhe futen brenda


