Flamur Vezaj: Efektivi i policisë duhet të akuzohet për vrasje me dashje, nuk ka kontrolluar emocionet

I ftuar në një intervistë për Ora News gazetari Flamur Vezaj  u shpreh se akuza ndaj policit për kapërcim të nevojshëm nuk qëndron por duhet të quhet vrasje me dashje.

Flamur Vezaj për Ora News: Është hera që fatkeqësisht një person me uniformë të policisë së shtetit vret një person i cili nuk ishte pjesë e ndonjë aksioni policor, thjesht një person i cili nuk pranon të ndalet nga policia për verifikim dhe polici që tashmë është i arrestuar nuk arrin të kontrolloj emocionet dhe qëllon me pistoletë në drejtim të tij. Për mendimin tim duke parë gjithë situatën, efektivi i policisë nuk ka bërë vrasje në kapërcim të nevojshëm siç e ka cilësuar tashmë Prokuroria. Akuza për momentin mendoj se nuk qëndron, duhet të jetë akuzë për vrasje me dashje. Për shkak se në asnjë moment viktima nuk ka qenë rrezik potencial për efektivin e policisë.

Ai tha se efektivi i policisë ka treguar një mungesë profesionalizmi duke mos kontrolluar emocionet dhe duke e qëlluar 25 vjeçarin pasi nuk ka arritur ta  kapë.

Flamur Vezaj për Ora News: Nga fakti që nuk ka arrit ta ndalojë është rrëzuar dhe ka nxjerrë pistoletën duke qëlluar në drejtim të tij direkt. Po të ishte aspekti profesional i mirëfilltë i efektivit të policisë, nuk do nxirrte pistoletën në radhë të parë dhe nuk do qëllonte në drejtim të trupit apo pjesës së sipërme të trupit. Nga informacionet qe kam ekspertiza e ka nxjerrë që plumbi ka hyrje nga poshtë lart çka do të thotë që efektivi i policisë ka qenë i rrëzuar nga fakti që nuk ka arritur ta kapë dhe ka qëlluar nga poshtë lart duke i shkaktuar dhe vdekjen. Mendoj që prej kohësh policia po vuan nga aspekti profesional.

SHKARKO APP