Flasin dy profesorët e Erion Veliajt në Amerikë: Më i miri që kemi pasur

Teksa ishin të ftuar për të mbajtur një leksion të hapur me studentë shqiptarë mbi Politikën e Jashtme të administratës amerikane, dy pedagogët e “Grand Valley State University” SHBA, John Constantelos dhe Polly J. Diven (universiteti ku ka përfunduar studimet edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj), dhanë edhe një intervistë të shkurtër për median.

Ata kujtojnë periudhën kur kryebashkiaku ka qenë student, flasin me krenari për arritjet e tij asokohe, por edhe për faktin se sot drejton kryeqytetin shqiptar. Të pyetur për Veliajn, pedagogët shprehen se ai shkëlqeu që në fillimet e tij si një student shumë i mirë dhe se i ka përfunduar me sukses studimet në SHBA.

Një vit më parë, kryebashkiaku Veliaj ishte i ftuar nderi në ceremoninë e diplomimit të 3 mijë studentëve të “Grand Valley State University”, ku u vlerësua me titullin “Doctor Honoris Causa”, për kontributin e tij në shërbimet publike. Titulli iu dorëzua nga vetë Presidenti i “Grand Valley State University”, i cili e vlerësoi Veliajn si shembullin e një historie suksesi mes studentëve që kanë mbaruar studimet në “Grand Valley State University”.

Intervista e plotë:

– Si ishte Erioni gjatë periudhës së studimeve? A ishte një student i mirë? Cila është përshtypja juaj, si ish pedagog i tij?

John Constantelos, Ph.D. Departmenti i Shkencave Politike: Disa njerëz do të dëshironin që unë të thoja se ka qenë një student i keq, por në të vërtetë ishte një student i shkëlqyer, ose më mirë, studenti më i mirë që kam pasur. Ai shkëlqeu që në fillimet e tij, ishte i veçantë dhe e kuptuam menjëherë këtë. Një herë mora disa nga studentët e mi për një prezantim në Indiana, për të marrë pjesë në një model të ngjashëm të Bashkimit Europian, dhe Eri ishte një nga liderët e delegacionit. Aty mbajti fjalimin kyç dhe të gjithë profesorët e tjerë pyetën: Nga ka ardhur?

– Si ishin studentët shqiptarë, studentët e tjerë përpara Erionit? Pra, mendoni se Shqipëria ka studentë të mirë?

Polly J. Diven, Ph. D., Departamenti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare: Ne kishim 3 studentë shqiptarë, të cilët i mbaj mend mirë sepse ishin me të vërtetë studentë shumë të mirë. Ndoshta, edhe më të mirë se sa studentët tanë amerikanë përsa i përket përgatitjeve për kolegjin, në të shkruar dhe në të folur në anglisht, kështu që ishin realisht studentë të shkëlqyer.

– Shumë të rinj do të donin të shkonin në Amerikë dhe të studionin atje. A është kjo një zgjedhje e mirë, apo jo? Çfarë do t’u sugjeronit atyre?

John Constantelos: Unë mendoj se është një zgjedhje shumë e mirë. Gjithashtu, mendoj se është një zgjedhje e mirë edhe për studentët tanë të shkojnë jashtë vendit, që do t’u vlejë për disa pjesë të edukimit të tyre, mëson kaq shumë gjëra që nuk do t’i mësoje dot pa udhëtuar jashtë vendit. Ka zgjedhje shumë të mira si Europa, por edhe Shtetet e Bashkuara janë një mundësi që duhet marrë në konsideratë, pavarësisht disa problemeve që kanë dalë në pah në 2 vitet e shkuara.

– Është një problem se shumë nga studentët shqiptarë që studiojnë jashtë vendit, nuk dëshirojnë që të kthehen më në Shqipëri.

Polly J. Diven: Tre studentët që ne kishim nga Shqipëria u kthyen pas; njëri punon si vullnetar këtu, tjetri është profesor, ndërsa i fundit është Kryetar i Bashkisë. Pra, të 3 studentët që unë mbaj mend, janë kthyer.

– Çfarë mbani mend nga Erioni në kohën kur kryente studimet?

John Constantelos: Ka kaluar shumë kohë, por di t’ju them se ai u rrit aty, me grupin tonë, dhe çdo student që ka pasur njohje me të, ka qenë shumë i impresionuar prej tij, shpenzonte kohë me të gjithë dhe në të vërtetë ia doli të diplomohej aty në Grand Valley State University.

– Dhe pyetja e fundit sepse këtu ka hapur pak debat: A është diplomuar Erioni?

Polly J. Diven: Kësaj pyetjeje po i përgjigjem unë, duke qenë se prej 20 vitesh mbaj detyrën e Drejtoreshës së Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Grand Valley State University: Ai iu bashkua programit tonë mësimor dhe e përfundoi atë. Mund t’ju them se ai është i diplomuar në Grand Valley State University, në fushën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare.

(Marrë nga Vizion Plus)

SHKARKO APP