Flasin Edi Rama dhe Fatos Lubonja: Plasin “armiqtë e Shqipërisë”

(Botuar me 1 Tetor 1995 në KOHA JONE)-
E përditshmja kombëtare “Albania” doli dje me titullin e ububushëm: “Armiqtë e Shqipërisë”. Në historinë e përbotshme të shtypit të lirë, është e para e përditshme që merr përsipër të vetëquhet e “përditshmja kombëtare” vetë cilësinë që e përcakton prerazi drejtorin e saj Ylli Rakipi, si drejtor të punëve të kombit, ndërsa anonimet e kësaj gazete të mbushur me iniciale, si ushtar të yllit të Shqipërisë. Përveç anonimëve, shfaqen tek-tuk në krah të Yllit edhe etër të mplakur të shqiptarizmës, siç janë në këtë numër shkarashkruesi Mero Baze dhe zoografi Alush Shima. Titulli, i shoqëruar me fotografi të armiqve, pasohet nga sprovat patriotike të Bazes dhe Shimës, e para në formë fletërrufeje dhe e dyta në trajtë interviste. Në një version modern të Gjergj Elez Alisë, Meralush Bazeshima lëshohet mbi Bajlozin Soros me topuzin e tij prej sallate fjalësh. E godet armikun e madh të Shqipërisë si sponsorizues të një bande diversantësh, të një bande armiqsh që quhen kësaj radhe Fatos Lubonja, Edi Rama, Bashkim Shehu, Preç Zogaj, Ardian Klosi. As më shumë e as më pak se sa ata që, së bashku me Arben Kumbaron, Bojken Lakon e të tjerë të rinj, treguan në festivalin Lindje-Perëndim një Shqipëri tjetër, një Shqipëri që vuan plagët e thella të totalitarizmit dhe që sidoqoftë rreket të krijojë një kulturë tjetër, një Shqipëri që kërkon dëshpërimisht të ngrejë një urë për t’u lidhur me kulturën europiane.
Festivali Lindje-Perëndim i cili në edicionin e tij të shtatë ju kushtua Shqipërisë, i ka turbulluar keq trutë e Kreshnikut Meralush Bazeshima i cili e tund emrin e Ismail Kadaresë si bajrak të nderit të vet të nëpërkëmbur dhe godet përçart në hava duke dëshmuar me luftën e tij absurde se gjumi i gjatë në shtratin e nacionalizmit vulgar ja ka mpirë shqisat, ja ka shurdhuar veshët, ja ka marrë dritën e syve. Kreshniku i “luftës së përditshme kombëtare”të Ylli Rakipit pret me thikën e sallatës lidhjet e Bajlozit Soros me Komitetin e Helsinkit dhe Aleancën Demokratike, zbulon se Bajlozi i pasur e ka çnderuar me arrogancë motrën e tij të dashur; Ministrinë e varfër të Kulturës, bile ulërin si në jerm se një franceze e quajtur Iren, e paska vendosur që zgjedhjet të bëhen më 6 të Marsit 96. Erdhi holandezi Ton Vink me lista të gatshme dhe nuk i përfilli propozimet e Ministrisë së Kulturës, bërtet “trimi i çartur” Meralush Bazeshima dhe nuk ka marrë vesh akoma që festivalet i bëjnë organizatorët dhe janë ata që vendosin për çdo gjë, megjithëse holandezi i shkretë u tregua boll i duruar me Ministrinë tonë të Kulturës. Nuk ishte vendi për të bërë politikë, ia beh zografi dhe nuk e mendon dy herë, sepse në atë festival këtu e 7 vjet të shkuara bëhet një tryezë e rrumbullakët për probleme politike e shoqërore me vendet e ish perandorisë komuniste, tryezë ku Fatos Lubonja ka fituar admirimin e të gjithë atyre që e kanë dëgjuar, natyrisht përjashto këtu shurdhin tonë të fyer. “Meralush, dëmi më i madh që po i vjen Shqipërisë nga shqiptarët”, i paska konfiduar Kreshnikut në veshin e shurdhër vetë Ismail Kadareja. Po mor Kreshnik, po nga cilët shqiptarë i vjen dëmi Shqipërisë, nga ata që bota e qytetëruar i fton në tryezë apo nga ti që akoma nuk flet e shkruan saktë as në gjuhën tënde? Nga kush i vjen dëmi i madh Shqipërisë o i tërbuari Meralush Bazeshima, nga ti që rri i mbledhur kulaç nën gurin tënd të vjetër e që grumbullon helm në gjuhën tënde apo nga Preç Zogaj që lexohet tashmë jo vetëm në Shqipëri por edhe në Francë. Nga ti që i tmerron shqiptarët me diktatin e injorancës dhe moskomunikimit apo nga Fatos Lubonja që hap me durim dritare në murin e trashë të idiotësisë tënde? Nga ti që e shuan etjen e kombit me erën mbytëse të “shurrës tënde patriotike” apo nga Bashkim Shehu që larg Atdheut laton me dashuri çdo fjalë shqipe që ju dhuron njerëzve në shqip dhe në frëngjisht “Rrugëtimin e Mbramë të Ago Ymerit”? Nga ti që me prapambetjen tënde na more erzin në sy të botës apo nga bunkeri i Edi Ramës që tërhoqi vëmendjen e publikut dhe kritikës franceze, e cila e quajti shprehimisht “shembull dhembshurie dhe paturpësie”? Dhe nuk është fjala për paturpësinë tënde o Kreshnik i lodhur, por për paturpësinë e sinqeritetit. Po më mirë le ta lemë me kaq për kësaj radhe dhe t’ju japin lexuesve tanë edhe opinionin e disa prej armiqve tuaj, miq të nderuar të gazetës sonë.
Flet Edi Rama
Edi Rama nuk kishte dijeni për të përditshmen kombëtare “Albania”, bile fillimisht ai kujtoi se po i flisnim për gazetën e Namik Hotit, e cila gjithashtu quhet “Albania”. Pasi e lexoi kalimthi gazetën e zotit Rakipi, ai na tha:
Çfarë t’ju them? Këtu fliten vetëm marrëzira. Nuk ka ide, nuk ka argumente, nuk ka asnjë të vërtetë, sulmohet në tym, përdoren fantazitë e Ismail Kadaresë për një sulm të bashkërenduar armiqësor ndaj gjuhës shqipe për t’i dhënë besueshmëri një rrëfimi pa kurrfarë niveli të të menduarit, flitet kot, nëpër një mjegull artificiale patriotizmi. A ja vlen të bësh polemikë me njerëz kaq të lehtë e të papërgjegjshëm që identifikohen me kombin dhe formulojnë lloj-lloj absurditetesh, aq më tepër në një kohë si kjo e jona, kur këta patriotë të padijes janë bërë të panumërt?! Ja shikoje vetë, flet Alushi për të pabërat e Fatos Lubonjës në tryezën e rrumbullakët të Festivalit Lindje-Perëndim, por unë nuk e di se si e mori vesh Alushi, çfarë tha Fatosi, sepse atij flitet në frëngjisht, ndërsa Alushi edhe shqipen e ka shumë të kufizuar! Nuk bëj shaka, njihemi me njëri tjetrin, flet një shqipe fare të varfër, njësoj si të gjithë ata që sot i bien gjoksit të tyre të ngushtë për Shqipëri e për Flamur.
Zoti Shima e kritikon ashpër edhe veprën tuaj…
Nuk do të dëshiroja të polemizoja me Alushin për probleme të artit. Alushi është një njeri, të cilit si shumë artistëve shqiptarë, nuk i pëlqen të lexojë e të thellohet në çështje kaq të imta sa ato të artit dhe të estetikës, ndoshta ngaqë, siç thashë edhe më lart, ai nuk njeh gjuhë tjetër, veç një shqipeje boll të varfër. Kësisoj ai nuk ka se si të pranojë edhe gjëra të atilla elementare që janë krejt të natyrshme për pjesën dërrmuese të studentëve tanë qysh në fund të vitit ta parë në Akademi, të cilët merren me problemet e vërteta të artit të sotëm. Jo më kot ai sulmon lart e poshtë edhe Akademinë, nuk e kap dot procesin e transformimit të shkollës sonë, një proces i vështirë që po kryhet falë një grupi pedagogësh që i besojnë të resë. Keq për të që bëhet qesharak duke pretenduar të jetë “Ambasador i Kulturës Shqiptare”, ndërkohë që flet për artin si një profan.
Nuk ju bën asnjë përshtypje që ju rreshtojnë ndër armiqtë e Shqipërisë?
Asfare, është krejt normale. Mjaft të mendosh që edhe Fishta, Konica, Noli, Poradeci apo Dhimitër Pasko, të cilët Alushi, edhe pse nuk besoj se i ka lexuar, i rreshton këtu si përfaqësues të denjë të kombit shqiptar, kanë qenë mallkuar për kohë të tëra, më zi se sa unë dhe miqtë e mi. Pastaj ne jemi të lirë dhe unë e parapëlqej shtypin që jeton në liri të egër në krahasim me shtypin e kontrolluar prej ligjit, më mirë kështu, secili e lë të shkruar fjalën e tij dhe lexuesit e bëjnë vetë zgjedhjen e tyre duke dalë nga bunkeri i vetvetes apo duke e mbyllur edhe atë dritare të ngushtë që hapi kjo liria jonë e vështirë.
Zoti Shima këmbëngul se bunkerin që ju keni ngritur në oborrin e një shkolle fshati është bunkeri që ju keni brenda vetes suaj.
Ah, ti më nxit të vazhdoj të flas për Alushin. Por ja shikoje këtu, ai thotë oborr i një shkolle fshati për sheshin e Mediatekës së Disë, këtij qyteti të vogël dhe gjithnjë e më të njohur për festivalin e vet të veçantë. Siç duket përkthyesi që i ka shpjeguar Alushit termat antishqiptare të Fatos Lubonjës, ka kujtuar se Mediatek do të thotë shkollë fshati. E sheh pra sa e vështirë është ta ngresh nivelin e bisedës me njerëz të frustruar (sqaro në kllapa për shqipfolësit e Albanias se frustrim do të thotë kamxhikim) nga inferioriteti i tyre, njerëz që në rast takimesh të tilla zënë një cep shqipfolës dhe shajnë të huajt si dhe shqiptarët që rrinë me ta, shajnë kuzhinën e varfër vendasi që nuk ka qofte apo imanbajalldi, shohin tinëz shalët që dalin nga minifundet e vajzave të huaja dhe skuqen deri në vesh pa lëshuar bëzanë ndërkohë që një vegim seksi ju përvëlon gurmazin, shkojnë qafëngrirë me kravata zengjinësh nëpër ceremonitë e rastit dhe kur ndonjë i huaj ju drejtohet me mirësjellje, mezi e rrotullojnë qafën për të kërkuar përkthyesin?!
Duke u kthyer tek bunkeri brenda vetes, diferenca midis meje dhe Alushit e cila është edhe diferenca midis armiqve të Shqipërisë dhe albanëve të “Albanias”, konsiston në faktin e thjeshtë që ne jemi të ndërgjegjshëm për bunkerët që sot pengojnë komunikimin midis njerëzve, ndërsa ata janë të pavetëdijshëm për izolimin e tyre tragjik.
Flet Fatos Lubonja
Biseda juaj rreth Shqipërisë në tryezën e rrumbullakët të intelektualëve organizuar me rastin e Festivalit të Kulturës Shqiptare në Die të Francës është cilësuar në gazetën “Albania” “fyese dhe banale”. Mund të na thoni me dy fjalë çfarë thatë atje?
Fola për tranzicionin në Shqipëri. Tregova përrallën e atij përbindëshit që e kemi edhe ne në legjendat tona, i cili i priste ujët qytetit, rrëmbente vajzat më të bukura dhe e mbante qytetin në kërcënim dhe frikë të përhershme. Këtë përbindësh e krahasova me diktaturën dhe pastaj tregova se një nga ditët më të lumtura në jetën time, ndonëse në burg, ka qenë dita e rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës, të cilën e krahasova me ditën kur simbolikisht u vra përbindëshi i autoritarizmit. Fola për dehjen e lirisë dhe të çlirimit nga frika që përjetuan asokohe dhe pastaj për faktin se mbasi u bëmë esëll, pamë se trupi i përbindëshit që kishim vrarë na kishte mbetur aty dhe ishte shumë i madh ose, ose, thënë ndryshe, se zbuluam që ne vetë ishim qelizat e atij trupi. Me fjalë të tjera pohova se mendësia autoritariste, apo quajeni po të doni totalitariste apo bolshevike, vazhdoi të punojë si prirje për t’i futur ujërat që vërshyen në shtretërit e vjetër. Mirëpo, shtova, ndonëse ne shqiptarët nuk jemi fort të qartë për çfarë duam, e dimë fare mirë se çfarë nuk duam. Dhe me këtë dije shpjegova humbjet e PD në zgjedhjet lokale dhe në Referendum. Shpreha gjithashtu mendimin se Shqipëria nuk e ka kaluar ende provën e demokracisë e cila, sipas politologut dhe sociologut të njohur Ralf Dar Hendorf, mund të quhet e kaluar kur shqiptarët të tregohen të aftë t’ua dorëzojnë pushtetin në mënyrë paqësore, dy herë radhazi, partive të opozitës.
Po si është puna e ndryshimit të identitetit kombëtar për të cilin ju akuzoheni?
Fola edhe për krizën e identitetit kulturor që po kalon Shqipëria, mbas rënies së komunizmit, ide që e kam rrahur edhe në editorialin e numrit të parë të revistës “Përpjekja”. Me dy fjalë mund të them se shtjellova idenë që Shqipëria tradicionalisht ka pësuar influencën e tre qytetërimeve, të atij turko-mysliman, sllavo-ortodoks dhe evropiano-perëndimor, por po të kemi parasysh se dy të tretat e kohës që ka ekzistuar si shtet i pavarur ndikimet e këtyre qytetërimeve i zëvendësoi ideologjia marksiste-leniniste, e cila krijoi një identitet që tashmë mund të quhet i bjerrur, s’ka se si të mos themi se sot jemi një vend i cili, pas kolapsit të komunizmit dhe të simboleve të tij identifikuese po përjeton një krizë të fortë të identitetit. Më në fund thashë se me hapjen e kufijve Shqipëria gjendet përpara tre rrugësh: atë të asimilimit kulturor për shkak të agresionit kulturor perëndimor dhe mundësive të pakta për të ruajtur dhe zhvilluar identitetin e vet kulturor; atë të mbylljes në bunker – sepse bunkerin e Edi Ramës unë e interpretoj si simbol të mbylljes, të frikës për t’u hapur për shkak të komplekseve të ndryshme të inferioritetit që e kanë plazmuar psikologjinë tonë në raport me më të mëdhenjtë përgjatë shekujve – si dhe rrugën e tretë: atë të hapjes drejt Perëndimit dhe Lindjes gjithë duke ruajtur dhe zhvilluar identitetin tonë kulturor.
Dhe cila ishte zgjidhja juaj?
Afër mendsh u shpreha se jam për rrugën e tretë e cila është më e vështira sepse shumica e shqiptarëve që nuk e duan asimilimin, parapëlqejnë bunkerin – dhe të luftosh me prirjen bunkeriste për fat të keq sot në Shqipëri do të thotë të luftosh jo vetëm me tabu dhe paragjykime të mbrujtura ndër shekuj, por edhe me shtetin i cili e ka më lehtë të sundojë nëpërmjet ruajtjes së statuskuosë. Të qëndrosh në bunker do të thotë frikë për t’u hapur, frikë për t’u ballafaquar me realitetin, të ndjehesh mirë nëpërmjet arratisjes në një të kaluar të lavdishme ose në një të ardhme të lumtur. Kjo gjendje u pëlqen shumë veçanërisht sundimtarëve. Nuk është e rastit, mendoj se ne sulmohemi nga gazetat, shkrimtarë dhe intelektualë që janë pro qeveritarë.
Dhe cili është reagimi juaj ndaj tyre?
Thjesht do tu citoja filozofin e shquar bashkëkohor Isajah Berlin: “Çdo regjim autoritar dhe çdo lëvizje irracionaliste, thotë ai, ka ndjekur objektiva të kësaj natyre: – mbytjen e dhunshme të çdo dyshimi, deskreditimin e atyre që bëjnë pyetje shqetësuese ose edukimin e njerëzve në atë mënyrë që të mos bëjnë asnjë pyetje (nga eseja Idetë Politike të Shekullit 20).
Mendoni se Shqipëria ndodhet në një moment irracional?
Kam frikë se po. Gjithçka ndodhi me shkarkimin e kryetarit të Gjykatës së Kasacionit, mënyra se si po trajtohet ligji i gjenocidit, më bëjnë të mendoj se politika shqiptare po hyn në rrjedha të paparashikueshme dhe të rrezikshme. E dini, më ka ndodhur shpesh kur isha në burg të luaja shah me lloj -lloj njerëzish. Ka pasur edhe nga ata të cilët e fillonin lojën mirë dhe me qetësi, mirëpo kur shikonin se po e humbnin fillonin e bëheshin nervoz, gjithnjë e më shumë nervoz, derisa në një moment i fusnin një shkelm skakierës dhe e kthenin në ndeshje boksi ku ndjeheshin më të fortë. Mua më duket se jemi shumë pranë çastit të shkelmimit të skakierës. Dhe ata që po punojnë për të përgatitur këtë moment, qofshin politikanë, gjyqtarë, shkrimtarë, artistë, gazetarë, duhet ta dinë se do të mbajnë një përgjegjësi shumë të rëndë përpara historisë sepse, në qoftë se në kohën e diktaturës liria e njerëzve ishte aq e kufizuar sa gjithkush mund të gjente një justifikim për të mohuar përgjegjësinë, sot liria e zgjedhjes është shumë më e madhe. Askush sot nuk ka të drejtë të thotë nesër: “ashtu ishte koha”.

SHKARKO APP