Flet Helena Kadare për KOHA JONE
(Botuar me 28 Maj 1995 në KOHA JONE)
Kur adoleshente lexoje libra natën nga dhoma e prindërve të vinte zëri: “Shuaje dritën. Është vonë”. E kur një ditë të binte në dorë “Shuaje dritën Vera”ndjehej si në pak libra të tjerë një botë si jotja. Një vajzë si veten. Shkrimtarja quhej Helena Kadare. Një vajzë me prindër të dashur, dashuria e të cilëve gati e mbyste. Por sa nisi shkollën e lartë në Tiranë, e para gjë që bëri ishte nxjerrja e sekreteve të fisit në këtë libër që e zemëroi me të tërë dhe e bëri të suksesshme. Ndërkaq vajza bionde, e afruar dhe e miqësueshme, simpatike dhe interesante dashuronte Ismail Kadarenë. Nis një raport me idhullin e saj. Këmbëngul me ndroje për ta pasur, toleron për ikjet e saj, telefonatat kapriçoze dhe kujtesën pas një mujore. Mësohet me idenë se s’duhet të ushqente iluzione për martesë, pasi Ismail Kadareja kurrë s’do të martohej. Bën plane për të pasur një fëmijë, që do të kishte syze dhe do t’i ngjante atij. Ajo do ta rriste e vetme. Veç ndodhi që ai vendosi. Nuk zgjodhi ndonjë nikoqire gjirokastrite për ta ndihmuar ta vazhdonte karrierën i qetë, por u martua mençërisht me Helenën. Po ajo? Ajo u vetëprivua bujarisht nga një hapësirë që i takonte, por mendoi se e meritonte një qind për qind Kadareja. Pas “Nusja dhe shtetrrethimi”, “Shuaje dritën Vera”, “Një lindje e vështirë”, etj. vjen heshtja. Një heshtje e gjatë që gjithkush do e justifikonte akumuluese, ndërsa ajo s’kërkon epitetime. Quan Perëndi burrin e saj që di të shkruajë aq bukur. Dashuron fort dhe kërkon e gjen lumturi në një det konfliktesh dhe kontradiktash. Shtyp dhe deshifron veç ajo shkrimin e palexueshëm të Kadaresë, e shoqëron në çdo aktivitet a darkë, pret sidomos ajo miqtë duke u shndërruar në ambasadore të shkrimtarit të madh. E pikërisht kur duket se i përket vetëm atij e jo më vetvetes, në libraritë e Parisit dhe Tiranës del libri “Një grua nga Tirana”.
E keni ndjerë shpesh Helenën shkrimtare, tek ju përsëriste netëve pranë veshit: “Pse më braktise?”
Helena Kadare: Po. Herë pas here, darkave, mëngjeseve, kohë e pa kohë dëgjoja një qortim të heshtur. Madje më dukej sikur më fliste në vesh Lasgush Poradeci.
Po kur mbaruat librin ç’ndjetë?
Isha e lumtur, e qetë. Pra nuk e pata harruar Helenën shkrimtare.
Ju ka shqetësuar më tepër fakti ç’përshtypje do t’i shkaktonte burrit tuaj libri, apo cilat do të qenë opinionet e lexuesve?
Lexuesi i parë i imi është ai. Gjithë ankthet e mia dhe frenimet dhe pengesat i sjell pëlqimi apo mospëlqimi i tij. Gjithçka që ai më thotë se duhet ndryshuar e bëj pa hezitim. Unë e besoj kaq shumë, sepse ai është specialist dhe i sinqertë me mua.
Ai mund t’ju thotë “shumë mirë” pa e pasur mendjen?
Kurrë. S’është aspak i detyruar të më bëjë komplimente. Deri tani pas çdo libri që kam shkruar ka thënë: “Mirë, jo keq”. Ndërsa pas të fundit tha: “Më në fund ke bërë diçka vërtet të mirë”.
Ndërkaq pasi morët vlerësimin maksimal, mendoni ta lini letërsinë?
Jo. Përkundrazi. Jam e pushtuar nga ideja e një libri të ri. Ky do të jetë një roman për jetën e çiftit, subtil dhe intim, që do të përcjellë ndjesi marrëdhëniesh njerëzore, pavarësisht nga koha të cilës këta njerëz i përkasin. Do mundohem të jap në këtë libër zemërime të mëdha, keqkuptime të mëdha, dashuri të mëdha, por gjithçka e dhënë me fluiditet. Do e titulloj “Një xhelozi që durohet lehtë”.
Pse ju tërheqin pasionet e mëdha? A nuk ju duket se njerëzit që e kanë xhan njëri tjetrin jetojnë më gjatë bashkë?
Më tërheqin pasionet e fuqishme, që në dukje s’kanë shpërthime e zënka, por ashtu të fshehura e të mbytura, ato flasin pa fjalë.
Ju duket se jeni duke ndërruar rolet me burrin tuaj? Ju sapo mbaruat një libër dhe po punoni për tjetrin. Ndërsa ai…
Ai po bën gjithashtu gjëra të reja. “Piramida”, “Kisha e Shën Sofisë” janë të reja. Ndërkaq po merret me përpunimin e veprës së tij të plotë. Unë shtyp gjatë ditës faqet që ai ka shkruar e paskëtaj merrem me librin tim.
Ju keni nisur të punoni për ta materializuar idenë tuaj?
Po. Shkruaj dhe shfletoj shënime që kam mbajtur prej vitesh, ku ka gjendje, situata, zënka çiftesh. Do përpiqem në këtë libër të tregoj raporte të ndryshme gjithmonë e nisur nga këndvështrimi im.
Dukeni e lodhur.
Jo. Mua më lodh vetmia. Në Francë vetmia më mposht. Kjo vjen nga mungesa e miqve të sigurt. Ndërsa këtu është ndryshe. P.sh. dje ndenja për orë të tëra me një mik që e njoh prej 30 vjetësh dhe kisha kohë pa e takuar. Folëm e folëm gjatë, sa më duket se kurrë nuk kishim qenë larg. Pastaj hapa shënimet e mia dhe gjeta letrat që shkëmbeja e re me një shoqen time Merin. Qeshja me vete kur lexoja se i shkruanim njëra tjetrës për çudinë e fundit që kishim dëgjuar; ai shkrimtari i njohur Kadareja punonte me një manjetofon. Pastaj ajo më lutej të njihesha me këtë njeri të madh. E vazhdonin kështu letra të gjata, romantike, me kaq shpirt sa s’di ç’të them. Ndërsa tani miqtë e mirë nuk mund t’i kesh gjithmonë përreth. Shumica janë indiferentë ndaj miqësisë, të zënë me politikë dhe tregti. Megjithatë pak miq të mirë kam ditur t’i mbaj. Mes tyre unë jam Helena e vërtetë, që qesh, tregon histori, është e kënaqur.
Po Ismail Kadare?
Sigurisht dhe ai nuk ka mundur t’i mbajë të gjithë miqtë. Ka nga ata që tani dhe e sulmojnë. Veç unë i përsëris shprehjen e Napoleonit: “Ç’të mirë të kam bërë, që po më bën këtë të keqe?”
Në fakt ç’të mirë i kemi bërë pronarit të dyqanit përballë që nuk po e ndërron këtë kasetë melodioze me çifteli?
Në të vërtetë gjatë gjithë ditës ata nuk e ndërrojnë kasetën. Zëri është i lartë siç e dëgjon. Ismaili aty ka studion, punon, por nuk mund t’ju themi gjë.
Kur mbërritët në Tiranë dhe hapet derën e shtëpisë, çfarë thatë nën zë?
Jam në shtëpinë time. Është imja, me gjithë plehrat shkallëve, muzikën e padurueshme, problemet, është imja. Atje jam e huaj në vend të huaj.
Po vajzat a e ndjejnë këtë?
Shumë. Më e vogla rri gjatë gjithë kohës në Tiranë dhe pak i pëlqen të jetojë atje. Ndërsa Gresa është gati gjithmonë në Paris, bashkë me të fejuarin e saj.
Jeni e kënaqur ju nga fejesa e vajzës me djalin e Llazar Siliqit?
Një ditë teksa ata të dy bënin plane për të shkuar në Durrës me autobus, kunata iu kthye: “Si nuk more një burrë të pasur moj Gresë”? Ndërsa unë jam e lumtur që ajo dashuron. Dua që vajzat e mia të jenë gjithmonë të dashuruara, sepse gjithçka e dashuruar është e shenjtëruar.
Ju jeni një grua vërtet e sinqertë, apo koha ju ka falur një tis mirësjelljeje?
Jam e sinqertë, dhe pse e di që sinqeriteti i plotë është katastrofik. Por unë jam impulsive dhe bie shpejt në kurthin e sinqeritetit.
A është e sinqertë apo thjesht e mirësjellshme?
Ajo është e vërtetë.
A është aq e mirë sa duket, apo di të trajtojë mirë?
Ajo është e shpenguar, e qeshur, e dashur dhe bën gjithkënd të ndihet mirë. Edhe kur ai për ndonjë moment që Helena i kushton të tjerëve, i duket sikur ja vjedh kohës që ka për të dhe ankohet, ajo e vështron qetësisht. Thotë shumë vështrimi i qetë i saj.
A është me fat apo jo?
Kjo është shumë e diskutueshme. Ajo thotë po, të tjerët thonë po. Megjithatë, në këtë mes ndoshta ai që vërtet ka pasur fat në zgjedhjen martesore ka qenë Ismail Kadare. Sepse Helena dashuron fort, fal, toleron, duke mundësuar një bashkekzistencë të mrekullueshme miqësore dhe jo vetëm kaq.
Rudina Xhunga