Flet për “Koha Jonë” drejtuesi i LSI në Berat, Ardit Çela: Shqiptarët, betejë frontale në çdo qendër votimi, e për çdo votë, për të dërrmuar Ramën
Ardit Çela, drejtuesi politik i Lëvizjes Socialiste për Integrim në qarkun e Beratit deklaron se zgjedhjet e 25 prillit do të jenë një referendum kombëtar kundër Rilindjes.
Në një intervistë për “Koha Jonë”, Çela shpjegon se cilat janë problematikat më të mëdha me të cilat përballen qytetarët në Berat dhe prezanton disa nga pikat ku do të bazohet fushata elektorale e LSI.
Lidhur me mënyrën sesi do të funksionojë koalicioni opozitar në këto zgjedhjet, Çela shprehet se “Nuk ka asnjë paqartesi lidhur me këtë pjesë. Betejë frontale në çdo qendër votimi për të dërrmuar Rilindjen. Çdo votë duhet çuar tek kutia e votimit kundër Rilindjes. Çdo energji kundër atyre që varfërojnë shqiptarët. Çdo sekondë e minutë duhet harxhuar kundër atyre që premtuan qindra mijëra vende pune, dhe krijuan qindra mijera vatra të braktisura, qindra mijëra azilantë e emigrantë.
Më 25 prill formula është e qartë, vërshim masiv, referendum popullor kundër Rilindjes”.
Z. Çela, kryesia e LSI-së u ka caktuar drejtues politik të Qarkut të Beratit. Përse pranuat angazhoheni në këtë qark?
Për mua është nder dhe përgjegjësi e madhe që të jem drejtues politik i LSI-së në qarkun e Beratit. Rrënjet e mia familjare rrjedhin nga ai qark, aty unë kam lindur dhe aty kam kaluar një pjesë të rëndësishme të jetës time. Nga ana tjetër unë jam pjesë e LSI-së që 17-vjeç, jam themelues i kësaj force politike, kam besuar tek kjo forcë politike që i ri, dhe e thënë ndryshe, në qarkun e Beratit unë jam edhe në shtëpinë time politike, por edhe në shtëpinë time biologjike nëse mund të shprehemi keshtu. Mund t’ju them se vendimi i LSI-së për të më ngarkuar përgjegjësinë e drejtimit politik të qarkut, është tregues i filozofisë së LSI-së për t’u hapur drejt energjive të reja, për t’i dhënë hapësira profesionisteve të rinj, për të qenë protagonist në sfidat dhe zhvillimet e rëndësishme që e presin vendin. Në kushtet aktuale të një varfërie ekstreme, të një situatë ekonomike në përkeqësim të frikshëm, të largimit të të rinjve e profesionistëve, të një shpopullimi me ritme alarmante, misioni i LSI-së është të kthej shpresën dhe besimin, ta bëj Shqipërinë shtëpinë e shqiptarëve. Në kuadër të këtij misioni, LSI-ja e ka vizionin e qartë se energjia dhe profesionalizmi i të rinjve e të rejave është thelbesor, dhe tregues i qartë është ekipi me të cilin LSI-ja po prezantohet përballë këtyre sfidave. Së bashku me Endritin dhe Floidën, Erisën dhe Kejdin, Elonën dhe Silvën, Klevin dhe të gjithë ata të rinj drejtues në të gjithë Shqipërinë, dhe me mbështetjen e mijëra të rinjëve e të rejave në të gjithë vendin, ne do të mundemi që më 25 prill të arrijmë një rezultat të shkëlqyer, i cili do t’i japë mundësinë LSI-së që në qeverisjen e ardhshme të zbatoj programin e saj për hapjen e vendeve të reja të punës, për uljen e kostos së jetesës dhe për ti dhënë jetë programit për një arsim cilësor në funksion të punësimit.
Cila janë problemet kryesore për banorët e këtij qarku dhe cila është ku do të mbështet fushata e LSI në këtë qark?
Qarku i Beratit është ndër qarqet më të varfër në Shqipëri. Është lënë në mëshirë të fatit. Qeveria nuk ekziston për banorët e këtij qarku. Varfëria është rritur, papunësia është shtuar frikshëm dhe njerëzit, të rinjtë e të rejat po largohen përditë. Kriza ekonomike dhe ajo e papunësisë, privon personat dhe familjet nga siguria dhe prespektiva për stabilitet duke minuar kohezionin social. Punësimi transformohet në një prioritet absolut për ne, dhe kemi detyrim të japim përgjigje të shpejtë dhe konkrete. Sfida kryesore që qarku jonë ka përballë është të bëjë të mundur rilançimin e biznesit dhe transformimin e qarkut të Beratit në një ambient tërheqës për investitorët e huaj. Ne do të ndjekim politika ekonomike shumë agresive për të thithur investimet e huaja, në mënyrë që të hapim vende të reja pune. Bujqësia është një pikë tjetër që është lënë në harresë totale nga ana e qeverisjes. Toka dhe zonë e bekuar nga Zoti, por jo nga vëmëndja e pushtetit. Njerëz punëtor, por që nuk mbështeten në nevojat e tyre nga qeverisja. Ne angazhohemi që mbështetja ndaj bujqësisë do të shumefishohet, projektet bujqesore, blegtorale, të agropërpunimit dhe të agrobiznesit do të marrin me shumë fonde, në mënyrë të konsiderueshme, nga buxheti i shtetit por edhe nga fondet e huaja. Fonde të cilat do të shkojnë realisht atje ku duhet, në mënyrë transparente dhe efektive. Shumëfishimi i mbështetjes për bujqësinë do të thotë në mënyrë direkte dhe indirekte, hapje të vendeve të reja të punës dhe frymëmmarrje ekonomike për të gjithë zonën. Po të shikoni sot studimet, mbi destinacionet e dëshiruara për udhëtime individuale apo biznesi, qarku i Beratit është i dyti nga fundi, pas Dibrës. Ndërkohë që Berati është “brand “ botëror, nuk është i tillë për qeverisjen. Zero mbështetje për turizmin. Çdo qindarke që sot hyn në ekonominë e qarkut, është veten si meritë e “brandit” Berat, apo e mrekullive natyrore të Skraparit, si edhe si meritë e operatorëve turistik ambicioz, profesionist e kurajoz. Ndërkohë që qeveria nuk ekziston, madje shpesh herë kthehet në pengesë për projektet e zhvillimit. Ne do t’a kthejmë turizmin në prioritet absolut duke integruar të gjitha burimet natyrore, historike, kulturore, ekonomike të qarkut e duke bërë të mundur hapjen e mijëra vendeve të punës vetëm nga ky sektor. Ne do të angazhohemi gjithashtu që arsimimi i të rinjve, t’i përshtatet prioriteteve të zhvillimit ekonomik të qarkut, prandaj do t’i japim jetë Akademisë së Arsimit Profesional në mënyrë që zhvillimi i turizmit, bujqësisë, por edhe vendet e reja të punës që do të hapen nga thithja e investimeve të huaja, të mbështeten nga burime të kualifikuara njerëzore, të mirë arsimuara, e duke bërë të mundur transformimim rrënjësor ekonomik dhe social të qarkut të Beratit. Një pikë tjetër shumë e rëndësishme është edhe zhvillimi i infrastrukturës. Ne do të vazhdojmë përfundimin e rrugës Skrapar-Përmet, të cilën Rilindja e ngriu. Nëpërmjet kësaj rruge do të lidhim Gjirokastrën me Beratin, dy vendet e UNESCO, nëpërmjet Skraparit dhe Përmetit, si edhe nëpërmjet lidhjes së dy luginave të mrekullueshme të Vjosës dhe Osumit, duke krijuar në këtë mënyrë një korridor ekomonik që do t’i japë frymëmarrje zhvillimit të zonës.
Ka një paqartësi lidhur me mënyrën sesi opozita do të garojë në zgjedhje, nëse do të jetë në një koalicion apo me disa lista në garë. Konkretisht në Berat, cila është formula më e mirë për maksimalizuar fitoren e opozitës?
Nuk ka asnjë paqartësi lidhur me këtë pjesë. Betejë frontale në çdo qendër votimi për të dërrmuar Rilindjen. Çdo votë duhet çuar tek kutia e votimit kundër Rilindjes. Çdo energji kundër atyre që varfërojnë shqiptarët. Çdo sekondë e minutë duhet harxhuar kundër atyre që premtuan qindra mijëra vende pune, dhe krijuan qindra mijera vatra të braktisura, qindra mijëra azilantë e emigrantë. Më 25 prill formula është e qartë, vërshim masiv, referendum popullor kundër Rilindjes, kundër këtij makthi që i varfëroi, depersonalizoi shqiptarët, kundër kësaj qeverie që bën gangsterin dhe të pashpirtin më fukarain dhe bën bujarin me miliarderin. Kundër kësaj qeverisje që e fut në burg dhe e dënon me vdekje të varfërin për 200 lekë, dhe nga ana tjetër i fal miliona dollarë, miliarderëve dhe klientëve të saj.
Tashmë që jeni drejtues politik i LSI-së në Berat, a keni një objektiv për rezultatin e 25 prillit?
Objektivin për 25 prillin e kanë vendosur dhe po e vendosin çdo ditë, qindra dhe mijëra të rinj e të reja që po i bashkohen LSI-së në Berat, por edhe në gjithë Shqipërinë. LSI-ja do të marrë 3 mandate përfaqësimi në qarkun e Beratit. Tashmë ky është një realitet i prekshëm dhe nuk është një objektiv. Ndërkohë, sfida jonë e vërtetë është qeverisja që vjen pas 25 prillit. LSI-ja në qeverinë e ardhshme ka vetëm një mision kthimin e besimit dhe shpresës, t’a bëjë Shqipërinë shtëpinë e shqiptarëve, përmes hapjes së vendeve të reja të punës, uljen e kostove të jetesës dhe arsimimit cilësor të të rinjëve e të rejave në funksion të punësimit.
Intervistoi: Mili Xhani