Flet vëllai i Simonit, në telefon ai më tha: S’kthehem sonte në shtëpi

 

“Më tha se ishte me shërbim në Shkodër. Nuk më tha gjë dhe nuk dija gjë për ndonjë operacion. Por më tha që ishte me shërbim atje dhe do të kthehej në shtëpi të dielën”. Këto janë fjalët e fundit të Simonit thënë vëllait të tij Petritit, në një bisedë telefonike mes tyre.

Simon Gjeta, ishte efektivi i parë që sakrifikonte për operacionet e rrezikshme të FNSH-ve, për të mbrojtur kolegët.

Lajmin për vrasjen në krye të detyrës për të oficerit Gjeta, ka mbërthyer si me ushtë në lotë e dhimbje familjarët e tij, të cilët banojnë në afërsi të Qytetit të Nxënësve në Tiranë.

Si për të qëndruar për herë të fundit me Simonin, të gjithë ishin mbledhur bashkë.

Duke qenë të vetëdijshëm për natyrën e punës së tij, për shpirtin sakrifikues, vëllezërit e Simonit nuk e patën të lehtë ta përballojnë këtë humbje. Vëllai i tij i madh, Luigji, që për pak kohë ka qenë edhe vetë pjesë e forcave speciale RENEA, shprehet se punë të tilla mund të kenë edhe një fund si ai i Simonit.

Ndërsa vëllai i vogël Petriti, i cili jeton në Greqi, ka udhëtuar gjithë natën drejtë Shqipërisë, sapo është lajmëruar për ngjarjen tragjike.

Petriti, rrëfen bisedën e fundit që ka bërë me Simonin, mesditën e së shtunës, kur i tha se atë natë nuk do të kthehej në Tiranë, por do të flinte në repart në Shkodër, pasi kishte shërbim.

Kur e morët vesh për atë që kishte ndodhur?

Petriti: Mbrëmë (të shtunën) vonë në darkë, nga ora 22:00-22:30, e kam marr veshë për ngjarjen, pasi unë vetë jetoj në Greqi.
Më mori vëllai në telefon dhe më tha se Simoni ishte vrarë.

Kishit folur me të në telefon atë ditë?

Petriti: Dje në drekë kam folur me të për herë të fundit në telefon.
Më tha se ishte me shërbim në Shkodër. Nuk më tha gjë dhe nuk dija gjë për ndonjë operacion. Por më tha që ishte me shërbim atje dhe do të kthehej në shtëpi të dielën.

Më tha se do shkonte në repart në Shkodër se kishte disa shërbime për të bërë./Panorama/

SHKARKO APP