Floreshës përveç 71-vjeçarit, policia i ka vrarë edhe burrin e parë
Floresha Zhidru mbeti e ve sërish, pasi 71-vjeçari është burri i dytë që asaj i vritet nga Policia. 56-vjeçarja, gruaja e Lefter Zhidru, i cili mbeti i vrarë nga forcat RENEA ka një fat të trishtë.
Floresha nga Peqini ishte martuar me shkuesi me Lefterin, pasi bashkëshorti i parë u ekzekutua nga policia në kufi, kur tentonte të kalonte në Greqi me këmbë.
Me bashkëshortin e parë ajo ka një djalë 24 vjeçar, të cilin nuk e pa më pas asaj dite të trishtë, pasi ai është në kujdestarinë e prindërve të ish burrit të ndjerë. Floresha u kthye në Peqin asokohe dhe familja e martoi me Lefterin.
Bashkë ata ikën në Sarandë, nga ku kishte vendin e lindjes i moshuari, e pasi lindën vajzën që sot është 14-vjeçe, u kthyen sërish në Elbasan dhe jetonin në një shtëpi me qira në katin e dytë të një pallati në lagjen “11 Nëntori”. Sot ajo do rrisë e vetme vajzën e mitur, pas fatkeqësisë së radhës që pllakosi familjen e saj.