Fluksi i kërkesave për azil nga shqiptarët, Gëdeshi rendit faktorët që po tkurrin vendin
Edhe pse bota është duke jetuar një normalitet të udhëhequr nga Covid-19, kërkesat për azil nga shqiptarët drejt vendeve të BE-së, u rritën ndjeshëm në shtator, duke arritur shifrat më të larta që nga shkurti. 655 aplikimet e dy muajve më parë, përkthehen me rritje 62 për qind. Ilir Gëdeshi, drejtues i Qendrës për Studime Ekonomike dhe Sociale tha se shkaqet që ndikojnë në rritjen e kërkesës së azilkërkuesve janë ato ekonomike dhe sociale.
”Azilkërkuesit shqiptarë kanë qenë një konstante që nga viti 2013, rriten dukshëm në 2015, dhe pastaj për shkak se nuk janë pranuar, kjo shifër ka rezultuar e ulët. Pas këtyre shifrave qëndrojnë faktorët ekonomikë që i ka shtyrë shqiptarët. Kjo tendencë nga koha e pandemisë ka rënë, dhe pas pandemisë është rritur. Shkaku që e shpjegon, që edhe në korrik dhe gusht ka pasur azilantë lidhet kryesisht me faktorët ekonomikë”, tha ai.
Nga ana tjetër, ai theksoi se ky fenomen vihet re më shumë në zonat veriore të Shqipërisë, kryesisht në Kukës dhe në Peshkopi. ”Përveç faktorit ekonomik janë edhe arsyet shëndetësore, arsimim më të mirë, me strehimin ose me konfliktin që mund të ketë ndonjë person i veçantë, por kryesorja është faktori ekonomik. Si fenomen është i përhapur kudo në Shqipërinë veriore, por më së shumti është në verilindje si; Kukësi, Peshkopia, Shkodra, Elbasani, Tirana, Durrësi e kanë të përhapur fenomenin e azilit, kryesisht nga shtresat e paprivilegjuara, njerëz që nuk kanë të ardhura dhe kanë arsimim më të ulët”,-u shpreh ai për ”Euronews Albania”.