Fluksi në Morinë, kosovarët drejt bregdetit/Kryeziu: Nuk i kontrollojmë dot për Covid-19
Muaji gusht ka nisur me fluks të shtuar në doganën e Morinës, aty ku mijëra kosovarë po vijnë drejt bregdetit shqiptar. Në korrik mesatarja ditore e kalimeve në kufi drejt Shqipërisë dhe anasjelltas i kaloi mbi 10 mijë. Ky fenomen shihet si shqetësim nga autoritetet shëndetësore të Kosovës.
Fadil Kryeziu, drejtor rajonal i Shëndetit Publik në Prizren thotë se qytetarët e Kosovës që po lëvizin gjatë kësaj periudhe në dy anët e kufirit shihen si bartës kryesor të Covid-19, si për Kosovën dhe Shqipërinë dhe ekipet mjekësore në kufi e kanë të pamundur të kontrollojnë të gjithë udhëtarët, ndaj duhet të shihet një mundësi e re për të kontrolluar situatën e cila po rrit me shpejtësi numrin e të infektuarve.
“Edhe kur testohen nuk na informojmë. Më shqetësues është numri i madh që shkojnë tutje, edhe e bartin edhe e sjellin në anën e kundërt infeksionin. Ne kemi ekip mjekësor që monitorojnë 24 orë, sidomos rastet që vijnë, por është e pamundur teknikisht që të depistohen rastet kur brenda një periudhe të shkurtër kalojnë 6 mijë persona. Për këtë arsye do të ishte më mirë të merren masa të tjera shtrënguese, pse jo edhe te heqja e ekipeve mjekësore por të ndiqen rastet, prej rastit në rast, që të kontrollojmë rastet e infeksionit”.
Fluks ka pasur edhe në dy ditët e fundit të korrikut që përkoi edhe me festën e Kurban Bajramit. Bazuar në të dhënat e Policisë së Kosovës, mbi 12 mijë kosovarë kanë hyrë në Shqipëri, në fund të korrikut. Në kufirin me Shqipërinë, Ministria e Shëndetësisë e Kosovës rishikoi vendimin dhe përjashtoi qytetarët e dy vendeve nga masat shtrënguese për kontrollet në kufi në kuadër të situatës me Covid-19.