Fluksi për azil, Irlanda ashpërson masat ndaj shqiptarëve

Pas Francës, Irlanda ka ngritur tani shqetësimin për azilkërkuesit nga Shqipëria, ndaj dhe për të frenuar fluksin, janë ashpërsuar masat. Oficerët e emigracionit në aeroportin e Dublinit janë urdhëruar që të adoptojnë masa më të ashpra dhe kontrolle strikte, për të luftuar këtë shqetësim. Media irlandeze “Independent”, në një artikull thekson se gjatë muajve të fundit të paktën 10 shqiptarë në ditë mbërrijnë në Dublin me anë të dokumenteve false. Një problem serioz sipas autoriteteve, është edhe fakti që këta shtetas refuzojnë të kthehen pas. Sipas të dhënave, shqiptarët përdorin shtetet e tjera të Bashkimit Europian si vende transiti drejt Irlandës.

Departamenti i drejtësisë i Dublinit, thekson se gjatë këtij viti 4500 persona refuzuan kthimin pas, shumë prej të cilëve ishin nga Shqipëria. Sa i përket temës së azilkërkuesve, kryeministri Leo Varadkar, ngriti shqetësimin se racistët po përpiqen të nxisin zemërimin e qytetarëve irlandezë rreth mbërritjes së emigrantëve në vend. Ai dënoi këtë retorikë duke theksuar rëndësinë e emigrantëve në sistemin shëndetësor. ”Jam shumë i bindur se shërbimi publik nuk do të funksiononte pa stafin e përbërë nga emigrantët. Ne duhet të jemi të vetëdijshëm për këtë”. Pavarësisht këtij qëndrimi, shefi i ekzekutivit të Dublinit, disa ditë më parë tha se numri i lartë i shqiptarëve që kërkojnë azil në vend është shumë shqetësues. Deklarata e tij ngjalli shumë polemika dhe u kritikua nga opozita dhe shoqatat për mbrojtjen e emigrantëve, të cilën e konsideruan të rrezikshme veçimin e Shqipërisë dhe Gjeorgjisë dhe cilësimin e tyre si vende të sigurta për të gjithë qytetarët.

Shqiptarët zënë vendin e parë në Irlandë për sa i përket kërkesave për azil, ndërsa në vend të dytë janë gjeorgjianët. Vendi ka njohur rritje prej 60% në kërkesa për azil. Shifrat e publikuara nga Zyra e Mbrojtjes Ndërkombëtare, një degë e Shërbimit Irlandez të Natyralizimit dhe Emigracionit, tregojnë se 3,762 aplikime për mbrojtje ndërkombëtare u pranuan nga shteti deri në fund të shtatorit. Pothuajse një e katërta ose 875, janë shqiptarë dhe 15 për qind, ose 556 raste, nga Gjeorgjia. Mediat irlandeze shkruajnë tendenca e kërkesave për azil nga vende të sigurta si Shqipëria dhe Gjeorgjia janë rritur dukshëm kohët e fundit, duke u zënë vendin sirianëve që ikin nga lufta. Azilkërkuesit nga vendet që konsiderohen si ”të sigurta” ka shumë më pak të ngjarë të lejohen të qëndrojnë në shtet sesa ata nga vendet në rrezik.

SHKARKO APP