”Fluturonte” në autostradë, policia: Po të prisnim, nuk lëvizet me 172 km/h (VIDEO)
Edhe pse ditët e fundit është folur shumë për shtim të aksidenteve, shqiptarët vijojnë të thyejnë rregullat e qarkullimit. Policia Rrugore ka vijuar me kontrollet në kuadër të planit të masave për fundjavën duke penalizuar mjaft drejtues mjetesh që lëviznin me shpejtësi tej normave të lejuara. Një i ri fierak 29-vjeç është kapur mat nga radarët duke lëvizur me shpejtësi 172 km/h në autostradën Tiranë-Durrës. “Ky nuk është “vetëbesim” por papërgjegjshmëri ndaj jetës tënde dhe përdoruesve të tjerë të rrugës. Argëtohuni, por mos abuzoni, mos shkelni rregullat e qarkullimit se ne rastin me te mire ju pret policia me pezullim te patentës e ne rastin me te keq ju pret aksidenti” thotë policia në mesazhin e shpërndarë në rrjetet sociale.
Muaji tetor i zi nga aksidentet. 25 të vdekur në rugë
Pothuajse çdo ditë një person ka humbur jetën. Kjo shifër e frikshme e dhënë nga Instat, duhen të bëjë shtetin që të marrë masa para këtij bilanci që për Shqipërinë është bilanc lufte. Aksidentet rrugore po i marrin jetën shumë të rinjëve. Sipas Instat, vetëm në muajin tetor 2019, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 25 persona nga 16 persona të vdekur në tetor 2018.
Në dhjetëmujorin e 2019, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 182 persona nga 168 persona në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuar një rritje prej 8.3%. Në muajin tetor 2019 numërohen 118 aksidente rrugore nga 149 aksidente të ndodhura në muajin tetor 2018, duke u ulur me 20,8 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në dhjetëmujorin e 2019, numërohen 1.254 aksidente rrugore nga 1.452 aksidente të ndodhura në dhjetëmujorin e 2018, duke u ulur me 13,6 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Të dhënat tregojnë se ata që kryejnë më shumë aksidente janë grupmoshat e reja. 52% e numrit të aksidenteve në total janë kryer nga grupmosha deri në 34-vjeç. 21% e aksidenteve në total janë kryer nga grupmosha deri në 24-vjeç. Këto janë shifrat zyrtare të regjistruara nga Instituti i Statistikave, ku tregohet se numri i aksidenteve ka rënë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Janë regjistruar 31 aksidente më pak. Pothuajse çdo ditë një person ka humbur jetën.
Autostrada Tiranë Elbasan, në disa pjesë të saj siç është rrethrrotullimi i Teg-ut, ka regjistruar një sërë aksidentesh, duke u kthyer kështu në një njollë të zezë. Për këtë arsye, pjesë të kësaj rruge janë marrë nën mbikëqyrje nga policia rrugore pikërisht për të kontrolluar shpejtësinë e automjeteve. Policia Rrugore thotë se nuk mund të mbetet pas në zhvillimet teknologjike. “Pjesa më e madhe e shqiptarëve komunikojnë me smartphone dhe për ta ndjekur trendin dhe për t’iu përgjigjur nevojave të kohës, Policia Rrugore është e detyruar të përshtasë shërbimin e saj dhe me teknologjinë e kohës”.