FMN përmbyll misionin në Tiranë, Sejko: Vendi ka nevojë për reforma gjithëpërfshirëse
Në konferencën përmbyllëse të misionit të FMN në Shqipëri, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko u shpreh se ekuilibrat e përgjithshëm të ekonomisë shqiptare kanë vijuar të përmirësohen. Përfaqësuesi i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Jan Kess Martijn në konferencën e përbashkët me kreun e BSH-së, Gent Sejko dhe ministren e Financave, Anila Denaj foli qartë dhe rekomandoi një sërë masash për Shqipërinë. Ai tha se këtë vit rritja ekonomike e Shqipërisë pritet të ngadalësohet në 3,5%, ndërsa inflacioni do vijojë të jetë nën objektivin e parashikuar prej 3%.
Pjesë nga fjala e Gent Sejkos
Rritja e punësimit dhe e pagave ka sjellë forcimin e presioneve të brendshme inflacioniste. Tregjet e brendshme financiare shfaqen të qeta dhe të përshtatshme për mbështetjen e rritjes ekonomike. Këto trende zhvillimi kanë pasqyruar: (i) përmirësimin e ambientit të jashtëm; (ii) harmonizimin e konsolidimit fiskal me stimulin monetar dhe politikat e stabilizimit dhe zhvillimit të sektorit financiar; si dhe (iii) reformat strukturore të ndërmarra gjatë kësaj periudhe.
Sa i takon Bankës së Shqipërisë, gjatë vitit 2018, ne kemi vijuar e madje forcuar stimulin monetar, duke ulur më tej kostot e financimit dhe duke zbutur luhatjet e tregut valutor. Në afatin e gjatë, Banka e Shqipërisë vijon të konstatojë se vendi ka nevojë për vazhdimin e reformave strukturore. Këto reforma duhet të synojnë rritjen e produktivitetit dhe të konkurrueshmërisë, përshpejtimin e ritmit të rritjes dhe të ritmit të konvergjencës me Bashkimin Evropian, si dhe rritjen e qëndrueshmërisë së ekonomisë dhe sistemit financiar shqiptar.
Reformat strukturore duhet të vijojnë të jenë largpamëse, ambicioze dhe gjithëpërfshirëse. Ato duhet të ankorohen gjithnjë e më tepër në procesin e integrimit evropian dhe të synojnë një konsensus sa më të gjerë politik e social. Brenda fushës së saj të ekspertizës, Banka e Shqipërisë ka qenë dhe do të mbetet një partner i angazhuar dhe serioz në çuarjen përpara të axhendës së zhvillimit të vendit.
KOHA JONË SONDAZH

