Ursula von der Leyen ka paralajmëruar për zgjerimin: Viti 2030 mund të jetë afat real
Presidentja e rizgjedhur e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka paralajmëruar se në ekipin e saj të ri me mandat pesëvjeçar do të ketë një komisionar për zgjerim.
Ajo e ka thënë këtë për të treguar se procesit të zgjerimit do t’i kushtohet rëndësi dhe kujdes i veçantë.
Edhe në përbërjet e deritashme të Komisionit Evropian ka pasur komisionar për zgjerim, por ai ka qenë përgjegjës edhe për politikën fqinjësore të BE-së. Me zgjerimin është marrë vetëm pjesërisht, pasi në resorin e tij ka pasur përgjegjësi edhe për vendet në fqinjësi të BE-së – nga lindja e Evropës deri te vendet e Afrikës së Veriut.
Hera e fundit kur Komisioni Evropian ka pasur komisionar vetëm për zgjerim, ka qenë gjatë mandatit të parë të Komisionit Evropian, të udhëhequr nga Jose Manuel Barroso, nga viti 2004 deri në vitin 2009. Atëkohë, këtë rol e ka pasur komisionari Olli Rehn. Më pas, për tri mandate radhazi të Komisionit, komisionari për zgjerim ka qenë i angazhuar edhe me politikën ndaj fqinjëve.
Drejtoria për zgjerim është shndërruar, po ashtu, në drejtori të përgjithshme për fqinjësi dhe zgjerim. Shkurtesë e saj ishte NEAR, që nga anglishtja i bie ‘afër’. Kjo është shpjeguar me faktin se vetëm disa vende kanë qenë në procesin e zgjerimit dhe shumica prej tyre në fazën fillestare.
Tash, me përfshirjen e tri vendeve të Evropës Lindore në procesin e zgjerimit – Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë – krahas gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor – Malit të Zi, Serbisë, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Bosnje e Hercegovinës dhe Kosovës – si dhe Turqisë – numri i vendeve në procesin e zgjerimit është rritur në dhjetë.
Të gjitha, me përjashtim të Kosovës, kanë edhe formalisht statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në këtë bllok qysh në dhjetor të vitit 2022, por kërkesa e saj deri më tash nuk është shqyrtuar.
Në BE, ndërkohë, është rritur mbështetja për procesin e zgjerimit dhe pritet që ai të përshpejtohet.
Presidenti në largim i Këshillit Evropian, Charles Michel, e ka përmendur vitin 2030 si afat deri kur edhe BE-ja, edhe vendet kandidate do të duhej të bëheshin gati për zgjerim.
Edhe udhëheqës të tjerë të BE-së kanë bërë thirrje që të dyja palët, si vendet kandidate, ashtu edhe Bashkimi Evropian, të kryejnë pjesën e tyre të punës, për të mundësuar realizimin e qëllimit të procesit të zgjerimit, përkatësisht pranimin formal të vendeve kandidate në BE.
Mali i Zi, si vend që ka avancuar më së shumti në procesin e negociatave të anëtarësimit, është edhe më ambicioz.
Presidenti i tij, Jakov Millatoviq, ka shprehur bindjen se Mali i Zi do të mund të bëhet anëtar i BE-së deri në vitin 2028.
Megjithatë, në BE thonë se nuk mund të caktohet data se kur dhe cili vend mund të anëtarësohet, sepse kjo varet nga meritat individuale të kandidatëve dhe rezultatet e tyre në përmbushjen e kritereve të anëtarësimit.
Diplomatët në BE pranojnë se, nëse ka vullnet politik nga të dyja anët, atëherë edhe afatet kohore – sidomos viti 2030 – për të pranuar anëtarë të rinj në BE, mund të jenë reale.
Vendet kandidate duhet të përshpejtojnë në procesin e reformave, ndërsa vendet e BE-së duhet të pajtohen për hapjen dhe mbylljen më të shpejtë të kapitujve përkatës në procesin e negociatave të anëtarësimit.
Von der Leyen është zotuar se do ta ketë prioritet zgjerimin, por, siç pohon zëdhënësja e BE-së për zgjerim, Ana Pisonero, ajo edhe deri më tash e ka pasur këtë proces ndër prioritetet e saj.
“Zgjerimi i BE-së ishte prioritet gjatë mandatit të parë të presidentes von der Leyen. Ajo e ka bërë me dije se edhe në të ardhmen do ta ketë prioritet strategjik, duke avancuar qëllimin e saj që në përbërjen e ardhshme të kolegjit të ketë një komisionar për zgjerim”, thotë Pisonero për Radion Evropa e Lirë.
Edhe Jana Jurova, eksperte për zgjerim nga Instituti për politikat Evropiane, EUROPEUM, mendon se tash ka vërtet vullnet politik për të pranuar anëtarë të rinj në bllok.
“Besoj se kemi një vullnet të caktuar politik brenda BE-së se duhet dhënë prioritet zgjerimit. Këtë vullnet nuk e kemi parë në dekadën e fundit. Nëse një vend kandidat dëshmon progres bindës në përmbushjen e kritereve të anëtarësimit, është e mundshme që të shohim zgjerim deri në vitin 2030, apo së paku përmbylljen e negociatave të anëtarësimit dhe nisjen e procesit të ratifikimit të Traktatit të Anëtarësimit”, thotë Jurova për Radion Evropa e Lirë.
Diplomatët në Bruksel pranojnë se edhe BE-ja, edhe rajoni i Ballkanit Perëndimor, por edhe Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia kanë nevojë për dëshmi konkrete se zgjerimi i BE-së është real dhe i mundshëm.
REL