Fondacioni ALSAR akordon 150 bursa për studentët e ekselencës
Si dhe disa herë të tjera më parë, Fondacioni Kulturor, Arsimor dhe Humanitar, ALSAR, edhe këtë vit ka akorduar 150 bursa për studentë ekselentë nga e gjithë Shqipëria. Ky është kësti i parë për vitin 2018, pasi do të ketë edhe një këst të tjetër në gjashtëmujorin e dytë. Bursat u shpërndanë, ditën e enjte, më datën 26.02.2018 nëpërmjet një ceremonie të bukur, të zhvilluar në sallën “Balsha” të Hotel Tirana Internacional, ku merrnin pjesë studentë dhe prindër të studentëve përfitues të kësaj burse, studentë të tjerë, pedagogë, drejtues kryesorë, shefa departamentesh dhe katedrash të fakulteteve të ndryshme të universiteteve publike të Tiranës.
Ceremoninë e hapi kryetari i Fondacioni Kulturor, Arsimor dhe Humanitar, ALSAR, Mehdi Gurra, i cili, pasi përshëndeti pjesëmarrësit në takim, foli për veprimtarinë e fondacionit të drejtuar prej tij në fushën e arsimit dhe të edukimit të të rinjve shqiptarë, veçanërisht atyre të talentuar nëpërmjet mbështetjes dhe inkurajimit akademik. Në fjalën e tij, ai dha shifra mjaft interesante.
“Kështu, në katër vjet, tha ai, Fondacioni ALSAR ka akorduar për studentët ekselentë mbi 400 bursa, me një rritje progresive nga viti në vit. Treguesit e pritshmërisë së tij kanë ardhur gjithnjë në rritje, numri i përfituesve në vitin 2014 ka qenë 25 studente, tashmë gjatë këtij viti, falë mbështetjes dhe inkurajimit të partnerëve tanë, numri i tyre ka arritur në 150 studentë.
Por puna në këtë drejtim nuk ngelet këtu. Fondacioni jo vetëm interesohet për këta studentë në vijimësi, por me programe aftësimi dhe projekte të tillë si “Nise tani karrierën tënde”, “Në horizontin e vullnetarizmit”, “Miqtë e librit” dhe ”Takim me personalitete”, synon të kontribuojë sadopak në orientimin e vëmendjes së studentëve drejt vullnetarizmit, punës në grup, dhe mendimit kritik si mekanizmat më të mirë të aftësimit kulturor e profesional të rritjes së potencialeve të tyre intelektuale e aktivizimit shoqëror.
Tashmë ky program është shndërruar në një traditë vlerash që ndiqet e pasurohet ndër vite”, tha më tej zoti Gurra, duke bërë thirrje për sa më shumë aplikime në të ardhmen.
Si organizua përzgjedhja
“Programi i akordimit të bursave të ekselencës” është konsideruar ndër projektet parësore dhe strategjike të Fondacionit “ALSAR”. Në kuadër të zhvillimit të këtij programi arsimor, në datat 19-22 dhjetor 2017, u zhvillua procesi i përzgjedhjes së studentëve aplikantë për vitin akademik 2017-2018, mbi bazën e kritereve të përcaktuara të vlerësimit të dokumentacionit si dhe të zhvillimit të procesit të intervistës.
Ky program vijon të zhvillohet për të katërtin vit radhazi, nëpërmjet të tij synohet ofrimi i asistencës akademike ndaj studentëve të dalluar në studime, me synimin për t’iu ofruar atyre mundësitë në drejtim të formimit dhe zhvillimit të përgatitjes së tyre të specializuar profesionale, duke i orientuar edhe me asistencë motivuese morale, shpirtërore, materiale dhe akademike, për të qenë të aftë për t’u përballur me sfidat e kohës.
Mbështetur në vlerësimet e Komisionit të Departamentit të Arsimit të drejtuar nga Dr. Ardian Muhaj, shpall lista emërore e studentëve përfitues të programit të bursave të ekselencës për vitin akademik 2017-2018.
Procesi i përzgjedhjes së tyre, u realizua mbi bazën e kritereve të përcaktuara të vlerësimit të dokumentacionit si dhe të zhvillimit të procesit të intervistës, ku mund të përmendet se nga 315 aplikantë përfituan të drejtën e bursave 150 studentë.
Numri i studentëve përfitues sipas fakulteteve
Në fakultetin Juridik – 18 studentë
Shkencat Ekz-Ekonomik – 35 studentë
Mjekësi + Farmaci – 36 studentë
Shkencat Sociale – 35 – studentë
Filologjik – 26 – studentë
Shpërndarja gjeografike
Rrethet dhe qytetet nga vijnë studentët
Tirane – Durrës………………….. 77
Kavajë – Rrogozhinë …………… 8
Fier – Lushnje …………………….. 9
Kukës – Has – Tropojë…………. 6
Dibër – Bulqizë – Burrel ……….13
6puke – M. Madhe – Laç ………. 9
Elbasan – Peqin – Librazhd …… 8
Korçë-Pogradec–Ersekë-Bilisht.. 7
Vlorë – Delvinë Sarandë ………….. 5
Gjirokastër – Tepelenë …………… 3
Berat – Skrapar ………………………. 2
Ulqin – Kosove ………………………. 3
Gjithsej: 150 studentë
KOHA JONË SONDAZH

